Kombëtarja mbërrin në Beograd ‘Fitoren shqiptarëve ua kemi borxh!’

522
Sigal

Ekipi ynë kombëtar nën drejtimin e Gianni De Biasit ka mbërritur zyrtarisht drejt Beogradit, ku të nesërmen në orën 20:45, do të përballet me Serbinë, në ndeshjen e shumëpritur të vlefshme për eliminatoret e Evropianit “France 2016”.

Edhe pse është një ndeshje që vlen tre pikë në klasifikimin e Grupit “I” për shqiptarët kjo është një sfidë e veçantë. Në stadiumin e Partizanit në Beograd, 11 kuqezinj pritet të jenë të vetëm në një sfidë ku sytë dhe zemrën e kanë mbi 10 milion shqiptarëve anembanë botës.

Ekipi kuqezi, është shprehur optimist në një rezultat pozitiv për këtë supersfidë. Djemtë kuqezi në nisjen drejt kryeqytetit Serb shprehen se do të japin maksimumin e tyre, dhe se do të bëjnë të gjithë shqiptarët kudo që janë të ndjehen krenarë.

“Është një ndeshje e rëndësishme dhe premtojmë se do të bëjmë të gjithë shqiptarët të ndjehen krenarë për ne.” shprehet Cana

“Është një ndeshje futbolli, por gjithsesi është një sfidë që për tifozët do të thotë shumë. Do të përpiqemi të marrim rezultat dhe t’i bëjmë të ndjehen krenarë për ne.” tha Mavraj

Heroi i Danimarkës, 25-vjeçari Ermir Lenjani kryqëzon gishtat që të përsërisë paraqitjen e tij të mirë ashtu si dhe të shtunën në “Elbasan Arena”, duke shpresuar të shënojë një tjetër gol.

“Shpresoj të shënoj një tjetër gol, megjithatë do të përpiqem të jap maksimumin dhe nëse do të më jepet mundësia për të shënuar nuk do të hezitoj”. u shpreh ai

Ndërsa ylli i kombëtares sonë, Alban Meha, shprehet i bindur, me anë të një postimi në Facebook, se Shqipëria do mund t’ja dalë përballë Serbisë

“Me Serbinë duhet të fitojmë patjetër, ja kemi borxh popullit shqiptar” thekson Meha

meha fb

Në një stadium me kapacitet mbi 30 mijë spektatorë, pritet të mungojnë koret kuqezi, ato që përherë i kanë dhënë zemër djemve të kombëtares sonë në fushë.