Kapllani: “Jam në top formë, De Biazi e ka telefonin tim”

480
Sigal

Sulmuesi durrsak është golashënuesi më i mirë i FSV Frankfurtit në Bundesligën e dytë gjermane

Edmond Kapllani ishte golashënuesi më i mirë i FSV Frankfurtit në fazën e parë të Bundesligës 2 gjermane. Shtatë gola. Golat e durrsakut janë shënuar kundër Zandhauzenit, Bokumit, Padebornit, St.Paulit, Erzgebirges dhe Ingolshtadtit, duke i dhënë pikë të çmuara skuadrës së tij. “Ndihem shumë mirë të FSV Frankfurti. Është një ambient i ngrohtë. Drejtuesit e klubit më kishin vlerësuar përpara se të fillonte sezoni, kur ata ndërhynë në merkato dhe më ofruan një kontratë të kënaqshme si nga ana sportive ashtu dhe nga ajo sportive”, – tha sulmuesi durrsak për “Telegraf”. Kapllani foli edhe për mundësinë e rikthimit të tij në ekipin Kombëtar, që i mungon që nga 15 nëntori i vitit 2012. “Të gjithë më njohin, e dinë se cilat janë cilësitë e mia dhe kur më është dhënë mundësia kam bërë ndeshje të mira dhe me Kombëtaren”.

 – Edmond, së pari një urim për Vitin e Ri 2013, në emër edhe të lexuesve të gazetës “Telegraf”. Në fazën e parë, me shtatë golat e realizuar, rezultuat shënuesi më i mirë i FSV Frankfurtit dhe ndër më të mirët në Bundesligës së Dytë gjermane. Si po e përjetoni këtë rikthim në vitet e tua më të mira?

– Faleminderit për urimin. Për hir të së vërtetës bëra një fazë të parë shumë të mirë, kjo dhe për faktin se gjatë fazës përgatitore nuk pata asnjë dëmtim. Jam në top formë dhe kjo m’u shpërblye edhe me golat që kam realizuar, disa prej tyre shumë të rëndësishëm për skuadrën, pasi janë marrë pikë të vlefshme. Fakti që, jam shënuesi më i mirë i skuadrës në fazën e parë më jep shumë kënaqësi.

 – Karlsruhe, Augsburgu, Padeborni, Koblenci dhe tani FSV Frankfurti janë skuadrat e tua në Gjermani, midis Bundesligës 1 dhe asaj 2. Si të vlerësojnë te FSV Frankfurti për kontributin që jep?

– Ndihem shumë mirë të FSV Frankfurti. Është një ambient i ngrohtë. Drejtuesit e klubit më kishin vlerësuar përpara se të fillonte sezoni, kur ata ndërhynë në merkato dhe më ofruan një kontratë të kënaqshme si nga ana sportive ashtu dhe nga ajo sportive. Tifozët më kanë mbështetur shumë. Kjo është tepër e rëndësishme për një lojtar, sidomos për një sulmues.

– Te FSV Frankurti luan edhe mesfushori Odise Roshi, i huazuar nga Këlni. Cila është performanca e tij?

– Edhe Odiseja po bën një sezon shumë të mirë dhe ka qenë i rëndësishëm për skuadrën, duke e ndihmuar atë.

– Si janë marrëdhëniet tuaja, pasi mediat gjermane ju vlerësojnë shumë për miqësinë që keni, madje e përmendin shpesh faktin që FSV Frankfurti ka ngjyra shqiptare?

– Marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe rimë shumë së bashku. Kuptohemi mjaft mirë me njeri-tjetrin, si në lojë, ashtu dhe jashtë fushe. Kjo është normale, pasi jemi që të dy shqiptarë.

– FSV Frankurti po bën një sezon të mirë. Cili është objektiv madhor i skuadrës?

– Këtë vit objektivi ynë nuk është ngjitja në Bundesligën 1, por të renditemi te 6-7 ekipet e para, pastaj vitin tjetër mund të mendojmë ngjitjen në Bundesligën 1. Gjithsesi, klubi ka nevojë për të blerë 2-3 lojtarë cilësorë.

– I mungoni prej disa kohësh Kombëtares A , nga 15 nëntor 2011, në ndeshjen kundër Maqedonisë. Cili mund të ishte mesazhi juaj drejtuar trajnerit Xhani De Biazi?

– Për të qenë i sinqertë nuk kam asnjë lloj mesazhi, pasi nuk jam 20 apo 21 vjeç. Të gjithë më njohin, e dinë se cilat janë cilësitë e mia dhe kur më është dhënë mundësia kam bërë ndeshje të mira dhe me Kombëtaren.

Dueli me holandezin Verhoek

Sulmuesi durrsak ka fituar duelin me holandezin Xhohn Verhoek. Kapllani ka shënuar shtatë gola, ndërsa holandezi ka realizuar gjashtë gola në 18 ndeshje.

44 gola

ka realizuar Edmond Kapllani në 130 ndeshje në Bungesligën 2: 26 gola, në 118 ndeshje me Karlsruhen; 5 gola, në 17 ndeshje me Tus Koblencin; 8 gola në 23 ndeshje me Padebornin dhe 7 gola në 18 ndeshje me FSV Frankfurtin. Kapllani ka realizuar 3 gola në Bundesligën 1 me 54 ndeshje me Augsburgun dhe Karslruhen.

Shqiptarët e Gjermanisë

Këtë sezon futbollistik janë disa lojtarë shqiptarë dhe kosovarë që luajnë në Gjermani. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Odise Roshi, luan te FSV Frankfurti. Gjatë këtij sezoni e shënoi golin e vetëm ndaj St.Paulit, dhe në po atë takim dha asistin e golit të realizuar nga Edmond Kapllani. Po në Bundesligën 2, mesfushori i ri i përfaqësueses, kosovari Alban Meha, shënoi dy gola në 12 me Paderborni e tij (kundër Bokumit dhe Hertës së Berlinit). Në Bundesligën 1, te Grojther Fyrthi luan Mërgim Mavraj. Kosovari është dhe kapiten i skuadrës. Te Grojther Fyrth luan edhe sulmuesi kosovar Ilir Azemi. Mbrojtësi Mërgim Mavraj është në fokusin e Mainc 05, më të cilën dikur ka luajtur mesfushori i Kombëtares Jahmir Hyka. Lajmin e dhanë mediat gjermane, që e shohin Mavrajn një kandidat perfekt për të zëvendësuar Jan Kirhofsin, ky i fundit do të largohet në verën e vitit 2013 te Bajerni i Munihut. 26-vjeçari Mavraj, kapiteni i Grojther Fyrthit, vlerësohet shumë nga trajneri i Maincit, Tomas Tyhel. Mavraj ka kontratë me ekipin e tij aktual deri në vitin 2014. Edhe ekipet e Bundesligës, si Shtutgarti dhe Hofenhaimi, si dhe kampioni i Zvicrës, Bazeli, janë të interesuar për Mavrajn. Xherdan Shaqiri luan te Bajerni i Munihut, ndërsa Granit Xhaka aktivizohet te Borusia e Mënshengladbahut. Të dy kanë realizuar secili nga një gol për ekipet e tyre. Altin Lala e nisi sezonin me skuadrën e dytë të Bajernit të Munihut, por për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju u detyrua ta ndërpresë aktivitetin.

Breme: “Shaqiri një blerje e bujshme”

Andreas Breme u ka thurur elozhe dy lojtarëve të rinj të Bajernit, Shaqirit dhe Dantes. Legjenda gjermane ka vlerësuar mesfushorin kosovar si blerjen më të mirë të Bajernit në merkaton e verës. “Xherdan Shaqiri është ende i ri dhe mjaft simpatik. Kur ai aktivizohet i jep gjallëri skuadrës. E them me bindje të plotë se Shaqiri është blerja më e bujshme e Bajernit”, – tha Breme.

Besart Berisha, dopjetë pa fitore për Brisbejnin

Besart Berisha në planin personal e ka nisur mjaft mirë viti 2013, ku në këto ditë të para të janarit ka shënuar tre gola, dy nga të cilët i shënoi dje ndaj Melburne Hart. Ndonëse Berisha shënoi dy gola, Brisbejn Roar u mund 3-2. Dy golat e Besartit vijnë kur rezultati ishte 3-0 për vendasit. Në minutën e 74-t Berisha shënon nga pika e penalltisë dhe dy minuta më vonë shënon golin e dytë për Brisbejn. Me këto dy gola të sotëm shkon në tetë numri i golave të shënuar nga Besart Berisha në këtë sezon në kampionatin australian.

Ujkani

Portieri kosovar i Palermos dhe i Kombëtares shqiptare nuk ishte në portë si zakonisht, por në bankinë në humbjen 2-1 kundër Palermos, në Serinë A.

Bogdani

Sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani luajti si titullar për Sienën në humbjen 2-1 kundër Milanit. Golashënuesi i njohur po gjen hapësirë me trajner Jakinin.