Kampionati, nuk ka akoma favoritë për titull edhe pas javës së gjashtë

529
Sigal

Ndeshjet e javës së shtatë pritet të sjellin ndryshime në renditjen e përgjithshme

Kjo javë e Superligës tregoi edhe një herë se është e vështirë për tu menduar një fitues që në këtë fazë, sepse ndryshe nga vitet e kaluara ku kishim Skënderbeun që hidhte hapa të mëdhenj dhe pa gabime, këtë vit skuadrat po gabojnë shumë e më shumë duke i sjellë kampionatit një freski dhe emocione të reja. Aktualisht janë tre skuadra që ndajnë kreun e renditjes, me dy që ndjekin me një pikë më pak dhe me Vllazninë që ka rritur nivelin e lojës dhe duket se po bëhet çdo ditë e më bindëse dhe më e rrezikshme për kundërshtarët. Në javën e shtatë do të kemi në fakt përballjet kokë më kokë të të gjitha skuadrave të kreut, me Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Tirana. Këto përballje vinë në një kohë që të gjitha e quajnë veten pretendente për titull dhe fitorja do të jetë një detyrim për skuadrat që duan ta shohin veten në krye të renditjes. Interesant është në fakt takimi Partizani-Flamurtari, një ndeshje që do të vejë në provë mbrojtjen e Partizanit që ka katër ndeshje që nuk pëson gol, nga ana tjetër Flamurtarit i nevojitet fitorja për të rivënë edhe një herë besimin që duhet të ketë një skuadër që pretendon të shpallet kampione Shqipërie. Ndërkohë Skënderbeu-Tirana vjen në një kohë të vështirë për të dyja, me korçarët direkt pas një humbje me Teutën dhe për Tiranën që ka dy ndeshje që nuk shënon gol, duke sjellë mangësi të mëdha në sulm. Në ndeshjet e tjera të kësaj jave bie në sy përballja mes Laçi-Vllaznia, një takim që kërkohet të mbyllet me fitore nga të dyja palët, sidomos nga Vllaznia që e sheh veten në mes të pretendenteve dhe duke parë që ekziston mundësia që të mëdhatë të humbin pikë ndaj njëra-tjetrës, kjo ndeshje kërkon vetëm një rezultat nga të besuarit e Rainerit. Kukësi-Teuta është një tjetër përballje që jep shpresë për një ndeshje të bukur, me verilindorët që duan të forcojnë pozitat në renditje dhe më durrsakët që pas fitores ndaj kampionëve në fuqi, krijojnë përshtypjen se në një ditë të mirë mund të mundin nënkampionët në fuqi. Pak a shumë ashtu siç bëri Partizani. Ndeshja përmbyllëse e javës është mes sy vendeve të fundit, Elbasani-Apolonia. Duket se kjo ndeshje do të jetë shansi i vetëm real, deri më tani, për Elbasanin që të mund të marrë pikët e para për këtë sezon. Të gjitha ndeshjet do të luhen në datat 5/6 tetor.

 Ndeshjet e javës së shtatë

04/10/2014

Partizani-Flamurtari

Skënderbeu-Tirana

05/10/2014

Laçi-Vllaznia

Kukësi-Teuta

Elbasani-Apolonia

 

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 6 3 2 1 11
2 KF Flamurtari 6 3 2 1 11
3 KF Partizani 6 3 2 1 11
4 KF Skënderbeu 6 3 1 2 10
5 KF Kukësi 6 3 1 2 10
6 KF Vllaznia 6 3 2 1 8
7 KF Teuta 6 2 1 3 7
8 KF Laçi 6 1 4 1 7
9 KF Apolonia 6 1 1 4 4
10 KF Elbasani 6 0 0 6 0

 

 

Turi i dytë i Kupës së Shqipërisë fillon këtë të mërkurë

 Rikthehet Kupa e Shqipërisë, ndeshje interesante që në fazën e parë

 Superliga i lë vendin Kupës së Shqipërisë që do fillojë nesër të gjitha ndeshjet e turit të parë. Në fundgusht janë luajtur dy ndeshje të turit paraeleminator, me  katër skuadrat me renditjen më të mirë nga Kategoria e dytë me Himarën dhe Vorën e që mundën përkatësisht Bilishtin dhe Albetrol-in. Turi i parë përfshin të gjitha skuadrat e Superiores, Kategorisë së parë dhe dy skuadrat që arritën të kualifikoheshin nga kategoria e Dytë. Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumet e skuadrave që kanë qenë më keq në renditjen e kampionatit që shkoi dhe do të jenë ndeshje me dy takime, jo si në turin paraeleminator që ishte vetëm një takim. Aktualisht skuadrat janë të ndara në dy grupe të mëdha (A dhe B) dhe do të ndeshen mes tyre në turin e dytë dhe të tretë që përkojnë më çerekfinalet, pastaj në gjysmëfinale do të hidhet short që do përcaktojë se cilat skuadra do të ndeshen me njëra-tjetrën. Kujtojmë që fituesi i Kupës ka një shans të mirë për Kupën UEFA pasi kualifikohet drejtpërdrejtë. Vitin që kaloi kupën e fitoi Flamurtari që këtë vit në fazën e parë do të ndeshet me Kamzën. Ndeshjet do të zhvillohen të gjitha në orën 14:00. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen me datë 22.10.2014 në ora 14:30.

  

Ndeshjet e turit paraeleminator

Himara 3-0 Bilishti

Albpetrol 0-1 Vora

Ndeshjet e turit të parë

Grupi A

1-Veleçiku – Besa

2-Burreli – Lushnja

3-Shkumbini – Elbasani

4-Kamza – Flamurtari

5-Iliria – Partizani

6-Himara – Skënderbeu

7-Naftëtari – Laçi
8-Tomori – Tërbuni

Grupi B
9- Vora- Kukësi

10-Luftëtari – Bylis
11-Dinamo – Apolonia
12-Ada – Kastrioti
13- Adriatiku Mamurras – Vllaznia
14-Besëlidhja – Teuta
15-Sopoti – Tirana
16-Pogradeci – Butrinti

Komisioni i Apelit, me dorë të hekurt për Tiranën dhe Vllazninë

U mbajt dje në ora 16:00 Komisioni i Apelit pranë FSHF, për shqyrtimin e kërkesave ankimore nga Vllaznia dhe Tirana për vendimin e Komisionit të Disiplinës të datës 13.09.2014 në lidhje me dhunën e shkaktuar nga tifozët në “Loro Boriçi” me datë 11.09.2014. Komisioni vendosi që të linin në fuqi vendimin e datës 13.09.2014 pavarësisht se pritej një ulje e dënimit, jo vetëm nga klubet përkatëse, por edhe nga tifozët deri edhe tek opinioni më i gjerë. Ky vendim duket se është marrë mbi të gjitha për të krijuar bindjen se nuk do të ketë më lëshime për dhunën e shkaktuar në futboll dhe se dënimi do të jetë gjithmonë i ashpër për çdo skuadër që nuk merr masat të parandalojë këto veprime që futbollit tonë i sjellin vetëm pasiguri dhe zhdukin qëllimin e vetë sportit.

 Miqësorja Itali- Shqipëri tashmë zyrtare, do luhet me 18 nëntor

U fol shumë, sidomos nga mediat italiane, për një ndeshje të Shqipërisë me Kombëtaren italiane dhe në fakt çdo gjë është zyrtarizuar, me FSHF dhe federatën italiane që kanë rënë dakord madje edhe për datën, e cila është 18 nëntor të 2014 në Parma të Italisë në ora 18:00. Gjithçka ka nisur pas një bisede, mes dy trajnerëve, Konte dhe De Biazi, të cilët ndodheshin në një takim trajnerësh, organizuar nga FIFA dhe UEFA në Shën Petersburg të Rusisë. Gjatë bisedës mes dy teknikëve është diskutuar mundësia e miqësores dhe kanë rënë dakord mes tyre. Kjo do jetë ndeshja e parë që Kombëtarja jonë do të luajë me atë italiane, qoftë miqësore apo kualifikuese. Bëhet e ditur se ka qenë dëshira e Kontes që të ketë si kundërshtar pikërisht përfaqësuesen tonë, që aktualisht po bën performanca shumë të mira dhe shihet si një test i vërtetë për “axurrët” që duan të ndërtojnë një fytyrë tjetër për Kombëtaren e tyre. Natyrisht, kjo përballje është me vlerë edhe për ne, qoftë në një formë testi apo thjeshtë një ndeshje prestigji që na ndihmon të përgatitemi edhe më tej për ecurinë pozitive në kualifikueset e europianit.