Jurgen Uldedaj “mbulohet” me ar, shpallet kampion në “A. Agalamov Cupa 2014”

555
Sigal

Boksieri merr medalje ari në turneun që u zhvillua në Azerbajxhan, duke shpalosur qartë talentin e tij 

Triumfon boksi shqiptar në rang ndërkombëtar, dhe këtë e ka bërë të mundur boksieri lezhjan i ekipit të Tiranës Jurgen Uldedaj, i cili ka arritur të triumfojë duke marrë medaljen e arit në turneun shumë prestigjioz “A. Agalamov Cupa 2014″”që u zhvillua në Azerbajxhan, me pjesëmarrjen e boksierëve më të mirë të botës. Në fakt një rezultat i tillë nga ana e Uldedaj ishte më se i pritshëm, duke marrë parasysh edhe talentin e tij të pakundërshtueshëm që vihet re më së miri me të gjitha trofetë që ka fituar deri në tani, si në shkallë vendi ashtu edhe në rang  ndërkombëtar, ku kujtojmë që dy herë ka arritur të marrë medalje bronzi në Kampionatet Europiane, ku në 2013 u rendit i treti në kampionatin e zhvilluar në Rusi, ndërsa edhe dy muaj më përpara arriti të merrte medalje bronzi në Zagreb të Kroacisë, në Kampionati Europian të zhvilluar atje. Në fakt nuk mund të mos përmendet edhe arritja shumë e lartë në Kampionatin Botëror, ku me rreth 120 shtete që merrnin pjesë me boksierët e tyre, Uldedaj arriti të renditej më së miri në vendin e 5-ë, duke e bërë këtë një arritje mjaft të madhe për boksin shqiptar në përgjithësi. Duke u rikthyer edhe një herë tek kompeticioni “A. Agalamov Cupa 2014” që u zhvillua në Baku, dje pasdite Uldedaj ka mundur në finale kampionin e Ukrainës, pasi kishte mundur më përpara edhe kampionët e Egjiptit dhe të Uzbekistanit. Në ndeshjen finale, çdo gjë foli për Jurgenin që kishte epërsi mbi kundërshtarin e tij, diçka që e kishte treguar edhe në takimet që pati më kundërshtarët e tjerë. Një arritje e këtij niveli sigurisht që nuk mund të kalojë pa u vënë re, pasi bëhet fjalë për një sportist që është vetëm 17 vjeç dhe pa frikë mund të themi që renditet si një nga boksierët më të mirë në botë për moshën e tij dhe më tutje. Në fakt nuk ka kaluar pa u vënë re talenti i tij edhe nga specialistët e boksit nëpër botë, që kanë filluar ta quajnë si e ardhmja e këtij sporti, diçka që ka filluar që herët në turnetë e tjerë botëror. Gjithë kjo arritje sigurisht që vjen edhe falë talentit të Uldedaj por është edhe ndihmesa shumë e madhe dhe trajtimi profesional nga ana e trajnerit Suad Bushati. Në një prononcim të bërë nga ana e trajnerit Bushati, tha se “epërsia dhe fitorja e Jurgenit nuk viheshin asnjëherë në dyshim, pasi talenti i tij i padiskutueshëm nuk lë vend për hipoteza të tjera. Ndeshjet kanë qenë shumë të forta, kundërshtarët gjithashtu, pasi ishin boksierët më të mirë në botë që konkurronin në këtë turne”. Kjo medalje, pavarësisht se është arritur nga boksieri Uldedaj, është një fitore për të gjithë shqiptarët që shohin një sportist të këtij kalibri tek mbron ngjyrat e flamurit, duke arritur madje të hipë në shkallën më të lartë të piedestalit e të valëvisë flamurin Kuq e Zi në çdo turne që garon. Vazhdimësia në këtë sport, sa i përket arritjeve, duket të jetë e garantuar edhe për një periudhë të gjatë kohe, e ne, dashamirëve të sportit nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të shijojmë dhe të japim mbështetjen tonë për ata që pa frikë mund ti quajmë edhe krenaria e Shqipërisë. Sot, pritet që të mbërrijë në Shqipëri boksieri Uldedaj bashkë me stafin e tij, e pritja që do i bëhet do jetë e denjë për një sportist si ai, që sapo u shpall kampion në një nga turnetë më të mëdhenj të boksit në botë.