Jupi: “Rifillim jo shumë pozitiv i kampionatit”

520
Sigal

Analiza e ish-futbollistit të Kombëtares: “Partizani ka më shumë personalitet në lojë”

Redi Jupi, shefi i Ekipeve Kombëtare, duke iu referuar gjashtë ndeshjeve të javës së 17-të të Kategorisë Superiore, e vlerësoi si jo shumë pozitive rifillimin e kampionatit. “Tri ndeshje që ndoqa përfunduan në barazim 0-0, kështu që nuk e quaj shumë pozitive, janë ato Kastrioti-Tirana, Bylis-Flamurtari dhe Partizani-Kukësi. Gjithsesi, brenda këtyre ndeshjeve kemi parë dhe momente të një niveli shumë të lartë, madje shpesh edhe të mira të kampionateve fqinje, duke mos futur këtu ndeshjet e ekipeve të mëdha. Më vjen çudi, që pas një faze përgatitore, të investimeve, shpenzimeve, të përgatitjeve jashtë, i gjej ekipet si të topitura”, – tha Jupi. Ish-futbollisti i Dinamos tha se, ekipet paraqiten një gjendje të mirë fizike, duke filluar një futboll apatik. “Zakonisht, ekipet ngarkohen shumë kur kanë për të luajtur në Ligën e Kampioneve, apo evente të rëndësishme, dhe këto nga prilli apo maji, por nuk mund ta kuptoj dot sesi ekipet tona që kanë vetëm një ndeshje në javë, dhe gjendjen fizike mund ta mbash deri në fund të kampionatit të vijnë nga faza përgatitore pa një gjendje të mirë”, – theksoi Jupi për “Procesin Sportiv”, i cili ka luajtur në Kroaci dhe Turqi. Duke folur, për paraqitjen e ekipeve që luajnë për mbijetesë, sipas formulës do të bien direkt katër skuadra një kategori më poshtë, Redi Jupi tha: “Ekipet që luftojnë për mbijetesë, pikët e para i kanë shumë të rëndësishme. Në të gjithë botën kështu ndodh, ekipet e vogla, sidomos në fillimet e sezonit, pra në shtator dhe janar, marrin pikë. Dhe po të shohim kampionatin italian, ekipet e vogla i ke në vendet e para në javët e para. Nuk më pëlqeu ky rifillim i kampionatit, shpresoj që të ketë qenë mosshtrimi i ekipeve, moskoordinimi i lojtarëve të ardhur në merkato”. Shefi i Ekipeve Kombëtare bëri edhe një koment në lidhje me takimin Partizani-Kukësi. “Partizani ka bërë një sërë blerjesh, por po të shohësh me kujdes takimin, peshën më të madhe e mbajtën Mazrekaj dhe Hyshmeri, dy lojtarë që mbajtën peshën gjatë gjithë fazës së parë të kampionatit. Kuptohet, që kur merr pesë apo gjashtë lojtarë të rinj, nuk mund ta bësh kohezionin e tyre në një kohë shumë të shkurtër. Gjithsesi, trajnerët i dinë më mirë problemet që kanë. Nuk duhet të harrojmë se, dhe klube shumë të mëdha në Europë, me sistem skautingu shumë të fuqishëm kanë gabuar apo lojtarë të ndryshëm kanë dështuar në një ekip, ndërsa kanë shkëlqyer te një tjetër. Kemi parë Henrinë, që të largohet nga Juventusi dhe të shkëlqejë te Arsenali, apo të tjerë. Në një farë mase justifikohen edhe dështimet në blerje. Nëse një skuadër, merr pesë apo gjashtë lojtarë dhe i dalin tre apo katër blerje të goditura, atëherë ia kemi arritur qëllimit, është brenda parametrave. Është shumë e vështirë të godasësh në blerje. Skuadra e Partizanit ka më shumë personalitet tani në raport me atë të fazës së parë. Ndoshta, kishte humbur disi atë zhdërvjelltësinë dhe bukurinë në lojë, por kishte fituar seriozitet, karakter dhe personalitet në lojë”, – tha Jupi, i cili ka veshur fanellën e Partizanit në sezonin 1995-1996. Jupi dha edhe një opinion për blerjet e Kukësit. “Ka bërë blerje jo të këqija, por konstatova një disbalancim në lojën e skuadrës, sidomos në mesfushë, sikur mbetej pak e thatë, mungonte një lojtar kompozues, duhet të kishte një lidhje më mirë midis reparteve. Më duket se, në raport me Kukësin e fazës së parë, duke dashur ta forconin, duket se e kanë dobësuar pak. Ndoshta, fortësia mund të vijë në të ardhmen, por kjo mbetet për t’u parë”.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XVII

RENDITJA

1 Skënderbeu      17   +13 36

2 Partizani    17   +3   27

3 Teuta         17   +4   27

4 Laçi           17   +3   26

5 Kukësi             17   +1   26

6 Flamurtari*      17   +4   25

7 Besa          17   -3    22

8 Bylis         17   +2   22

9 Vllaznia    17   +0   21

10 Lushnja          17   -10  18

11 Kastrioti  17   -6    17

12 Tirana            17   -11  13

* Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

“Tirana duhet të guxojë!”

Ndërsa Partizani po lufton për një vend në Europë, dhe deri tani ia ka arritur qëllimit, Tirana ndodhet në vendin e fundit dhe është një nga kandidatet e para për të rënë nga Kategoria.

“Tirana bëri një ndeshje të mirë kundër Kastriotit në Krujë. Mendimi im është se, tani Tirana duhet të bëjë ndeshje të ‘çuditshme’, të mos luajë me kujdes. Ekipi ka shumë tension, duhet të lirohet nga presioni, duhet të bëjë ndeshje të guximshme, të rrezikojë, pasi nuk i bëjnë punë tani barazimet, por duhet të fitojë ndeshjet. Që të mbijetojë, Tirana duhet të kalojë katër ekipe, ndërkohë që këto të fundit të humbasin pikë gjatë rrugës. Tirana ka një portier të mirë, është përforcuar në repartin e mbrojtjes, është një ekip më i mirë se i fazës së parë”, – tha Redi Jupi, i cili ka luajtur më parë me Tiranën në sezonin 2002-2003.

 Shqiptari nga Maqedonia shënoi golin e fitores në ndeshjen e parë kundër Tiranës: “Fitojmë sërish!”

  Demiri: “Ndeshja e jetës për tifozerinë e Partizanit”

 Ertan Demiri shënoi golin e vetëm të ndeshjes, në fitoren 1-0 të Partizanit ndaj Tiranës në fazën e parë”. “E kemi të qartë se çfarë do të thotë kjo ndeshje. Ky është takimi i vitit dhe i jetës për të gjithë tifozët dhe dashamirësit e Partizanit. Edhe ne lojtarët e ndjejmë rëndësinë dhe entuziazmin e kësaj sfide dhe do të japim më të mirën tonë që t’i gëzojmë tifozët tanë. Ndaj Tiranës do të kërkojmë vetëm fitoren, pasi çdo rezultat tjetër do të na distanconte edhe më shumë nga kreu”, – tha Demiri, një nga katër futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, së bashku edhe me Mevlan Muratin, Ersen Sali dhe Nderim Nexhipi, teksa këta dy të fundit kanë ardhur gjatë merkatos dimërore. Në stërvitjen e djeshme me të kuqtë ka ushtruar për herë të parë përforcimi i fundit, fantazisti Nderim Nexhipi, i ardhur nga Shkëndija e Tetovës. Ai pritet të debutojë në derbi kundër Tiranës, duke kërkuar që ta nisë me këmbën e mbarë aventurën te Partizani. Përgatitja e djeshme ka qenë e lehtë, ku futbollistët që luajtën të shtunën ndaj Kukësit kanë kryer një seancë të lehtë shkrythëse, ndërsa pjesa tjetër mori ngarkesën e duhur. Të kuqtë për momentin i kanë sytë nga sulmuesi Migen Memelli, i cili u dëmtua para ndeshjes me Kukësin. Mungesa e tij u ndie të shtunën e kaluar, kështu që të kuqtë luten që lojtari të rikuperohet për derbin e 7 shkurtit.

  “Derbi mbetet derbi”

 Redi Jupi ka veshur fanellën e të tre ekipeve të kryeqytetit: Dinamos, Partizani e Tiranës. Të premten (27 shkurt) do të luhet derbi i madh i kryeqytetit, Tirana-Partizani, i dyti për këtë sezon. Në atë të fazës së parë, Partizani fitoi 1-0 me një gol të realizuar nga shqiptarit nga Maqedonia, Ertan Demiri. “Unë jam një nga ata që, i kam veshur fanellat e të tre ekipeve të kryeqytetit. Dua ta theksoj se, derbi mbetet derbi. Në kujtesën time, derbi ka qenë interesant kur ai ka qenë përcaktues, pra kur ka qenë një finale. Ndeshjet të tilla, kanë vendosur shumë për titullin, ashtu dhe si për tifozeritë. Tani, gjërat lëvizin shumë shpejt, shikoni në këtë sezon: Partizani lufton për titull, Tirana lufton për të mos rënë nga Kategoria”, – tha Jupi. Pas 17 ndeshjeve, Partizani ndodhet në vendin e dytë me 27 pikë, ndërsa Tirana e fundit me 13 pikë.