Sadiku: “Dua të luaj te Çelsi!”

473
Sigal

Sulmuesi shqiptar i Zyrihut dhe i Kombëtares: “Idhulli im është Zlatan Ibrahimoviçi!

Që nga 1 janari, FC Zyrihu mund të jetë krenar për sulmuesin më të ri të tij: Armando Sadikun. Sulmuesi shqiptar luan prej tre vitesh në Zvicër, me Lokarnon dhe Luganon. Elbasanasi është i ri, i uritur dhe i rrezikshëm përpara portës. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë, portreti i tij. Tani, Sadiku dëshiron të fitojë zemrat e tifozëve të FC Zyrihut, që beson se ka gjetur “bomberin” e ri të skuadrës. Në Challenge League, sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi një “thes me gola”, po tashmë ai duhet të dëshmojë aftësitë e tij edhe në Superligë, atje ku kompeticioni është edhe më i fortë. Përpara se Sadiku të mbërrinte në Zvicër, ai luante me Elbasanin. Fillimi i tij nuk ishte i lehtë në Zvicër. “Në Shqipëri luhet më shumë futboll fizik. Këtu në Zvicër ka më shumë taktik në themel të lojës. Kështu, që duhet të trajnohesh shumë”, – thotë 23-vjeçari për portalin sportiv zviceran, sport.ch. Sadiku është prej dy vjetësh, lojtar i Kombëtares shqiptare, madje, ai ka luajtur disa nga ndeshjet e Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2014. Ai ka një kujtim shumë të bukur nga ndeshja e tij të parë në kualifikuese, atë kundër Qipros. “Ishte një përjetim i pakrahasueshëm. Kjo vjen, edhe për faktin se unë shënova golin tim të parë për Shqipërinë. Kjo e bën atë speciale”, – tregon Sadiku. Sulmuesi i ri natyrisht ka një idhull, të cilin ai dëshiron të ndjekë. Sadiku shënoi 53 gola në 83 ndeshje në Challenge League, dhe është logjike që ai të adhurojë një superyll. “Idhulli im është Zlatan Ibrahimoviç, pa asnjë diskutim”, – tha Sadiku. Ashtu si Ibra, edhe djaloshi shqiptar dëshiron të luajë në një klub të nivelit të lartë. “Unë do të doja të luaja një herë në Premier Ligë”, – tha sulmuesi. Por, tek cili klub ai do të dëshironte të transferohej? “Çelsi është absolutisht ekipi im më i dashur, por natyrisht që nëse do të më jepej mundësia mund të luaja edhe për ekipet e tjera të Premier Ligës”, – tha Armando Sadiku. Natyrisht, si një lojtar i ri i FC Zyrihut, ai ka plane të mëdha. “Unë dëshiroj të fitoj sa më shumë tituj që të jetë e mundur. Dëshiroj të fitoj ‘Këpucën e Artë’ të Superligës”.

  Lojërat Dimërore, ngrihet flamuri shqiptar

 Dje, në Fshatin Olimpik të Lojërave Olimpike Dimërore “Soçi 2014″ u zhvillua ceremonia e pritjes për Ekipin Olimpik Shqiptar. Kryetarja e Bashkisë së Fshatit Olimpik, Elena Isinbaeva, i uroi mirëseardhjen delegacionit shqiptar, ndërkohë që u ngrit me një ceremoni të posaçme flamuri ynë Kombëtar, i cili simbolizon mirëseardhjen dhe qëndrimin e ekipit Olimpik Shqiptar. Në përfundim të ceremonisë, siç është tashmë zakon, përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse nënshkruan në Murin e Paqes (armëpushimit) të cilët zotohen që gjatë periudhës së Lojërave do të mbizotërojë paqja ose quajtur ndryshe “Armëpushimi Olimpik”.

 

Januzaj, futbollisti i muajit për Mançesterin

 Adnan Januzaj vazhdon të shkëlqejë tek ekipi i tij Mançester Junaitid. Kosovari është zgjedhur sërish “futbollisti më i mirë i muajit” për ekipin e David Mojesin. Paraqitjet e mira kanë bërë që Januzaj të vlerësohet maksimalisht dhe të shihet si lojtari më i rëndësishëm për momentin tek Mançester Junaitid. Januzaj mori 75% të votave të tifozëve të “Djajve të kuq!”, të cilët i bënë dhuratën më të mirë vetëm pak ditë përpara se të mbush 19 vjeç. “Unë jam i kënaqur me vitin tim, unë kam bërë shumë punë dhe jam integruar në ekipin e parë. Shpresoj të fitoj trofe me këtë klub dhe të jem futbollisti më i mirë”.  Me Junaitid sapo është bashkuar edhe Huan Mata, i blerë në merkaton e janarit nga Çelsi për 37.1 milionë sterlina. “Ai është lojtar i madh dhe mendoj se do të mësoj shumë prej tij”, vazhdon Januzaj. “Është lojtar teknik dhe shumë i zgjuar. Shënon dhe përgatit gola, jemi shumë të lumtur që Mata erdhi në skuadrën tonë”, – tha talenti shqiptar për faqen zyrtare të klubit anglez.

  Ilir Çaushaj firmos për Kerkyrën

 Mesfushori i njohur, Ilir Çaushaj, firmosi për Kerkyrën, skuadrën greke të ishullit të Korfuzit. Ish-lojtari i Tiranës në fazën e parë do të luajë tek ky ekip për gjashtë muajt e ardhshëm. Kërkyra është aktualisht në kategorinë e parë të Greqisë dhe si objektiv ka ngjitjen në elitën e futbollit grek. Pas 18 javëve, Kërkyra kryeson me 44 pikë, tetë më shumë se Iraklisi i Selanikut. Nga kategoria e dytë greke ngjiten në Superligë katër skuadra, nga dy për çdo grup, kështu që Kërkyra e ka plotësisht të mundur ringjitjen.

 “Bild”: “Guardiola, një Ajnshtajn i futbollit”

 Bajerni fitoi 5-0 kundër Eintrahtit të Frankfurtit, duke regjistruar ndeshjen e 44-t rresht pa humbje e rritur diferencën në +13 pikë nga vendi i dytë në Bundesligën 1. Trajneri Pep Guardiola ka fituar zemrat e tifozëve bavarezë, por tashmë tabloidi gjerman “Bild” e krahason spanjollin si një “Ajnshtajn” të futbollit. Gazeta më e shitur në Europë (mbi 3 milionë kopje) ka zbuluar edhe formulën e ish-teknikut të Barcelonës, që në sezonin 2010-2011 fitoi gjashtë nga gjashtë trofetë e mundshëm. Formula magjike sipas “Bild” është kjo: 365:51 + 1,79 + (66% x 87%) + 65. “Bild” e ka zbërthyer atë, teksa jep karakteristikat e veçanta për lojën e Bajernit, siç janë kapaciteti golashënues, përdorimi i lojtarëve shtatshkurtër, kontrolli i topit dhe kilometrat e përshkruar në fushë gjatë një takimi. Kështu duke zbërthyer formulën “alla Ajnshtajn” që ka nxjerrë “Bild”, 365 është numri i të gjitha rasteve për gola, nga të cilët në 51 raste topi është çuar me sukses brenda porte. Gjithsesi kaq nuk mjafton për Guardiolën. Ai kërkon gjithnjë e më shumë nga skuadra, takim pas takimi. Një tjetër aspekt i skuadrave të Guardiolës është shfrytëzimi i lojtarëve jo shumë shtatlartë, por që janë të zotët me topin. Për momentin, futbollistët që përbëjnë 11-shen titullare të Bajernit kanë një gjatësi mesatare 1.79 metra. Më i shkurtri prej tyre është Xherdan Shaqiri, i gjatë 1.69 metra dhe me nga 1 cm më shumë pas tij vijnë Lahm dhe Riberi. Shifra 66% në formulë i përket mesatares për zotërimin e topit nga ana e bavarezëve, ndërsa 87% për saktësinë e pasimeve, shifra më e lartë në kampionatin gjerman. Edhe për vrapin në sulm, Bayerni është kampion në Bundesliga, nuk ka asnjë skuadër tjetër që ta mundë, me një mesatare prej 65 kilometrash për ndeshje. Gjithçka, në sinkron me filozofinë e Guardiolës, sipas të cilit, nëse ekipi vrapon shumë, ky është hapi i parë për të luajtur sa më mirë. Në Gjermani tani mendojnë se ky Bajern është edhe më i mirë se ai i drejtuar nga Jup Hejnknes, i cili fitoi Ligën e Kampioneve, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Pep ka fituar deri tani dy trofe me Bajernin: Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve, teksa humbi Superkupën e Gjermanisë. 16 trofe ka fituar Pep Guardiola gjatë karrierës së tij si trajner, nga viti 2008, ku spikasin dy Liga të Kampioneve me Barcelonën (2008-2009 dhe 2010-2011).