Gëzim Kaso: Vlorën e kam Nënë, Çamërinë e kam Gjyshe

958
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari çam Gëzim Kaso: “Atje ku më lindi Nëna”, Djalë çam”, “Kuq e zi për Çamëri”, këngët më të bukura

Ka lindur dhe është rritur në Vlorë por me origjinë është nga Çamëria. Ka vite që jeton në Itali dhe kënga për të është bërë pjesë e pandarë e jetës.  Ka vite të tëra, që ai lëviz në gjithë Evropën dhe më tej, për të kënaqur me zërin e tij të bukur mijëra emigrantë shqiptarë në të katër anët e globit.  Prindërit e tij janë shpërngulur herët me dhunë nga trojet çame, por ai se ka harruar kurrë vendlindjen e të parëve dhe origjinën e vet, ndaj ka shkuar aty disa herë për të çuar në vend ëndrrën e gjyshërve të tij. Për ‘të kënga ka qenë pasion i fëmijërisë, pasi qysh në kopsht, më tej në shkollë, mes shokëve gjithmonë do të gjente kohë të këndonte këngë të ndryshme. Duke u rritur kënga u bë pjesë e jetës së tij, që padyshim do ta çonte përfundimisht në profesionin magjiplotë të këngëtarit, ku tashmë ai ka gjetur veten dhe ndihet mirë.

 Kënga e parë mbahet mend si dashuria e parë. Ajo të hap rrugët e suksesit. Cila ka qenë për Gëzimin kënga e parë?

Kënga ime e parë titullohet “Atje ku me lindi nëna”. Duke qenë shumë vjet i larguar, malli për nënën dhe vendlindjen më bëri që këngën e parë ta këndoja për Nënën e shtrenjtë dhe vendlindjen e shtrenjtë. Malli ta bën domosdoshmëri ta shprehësh atë që ndjen, aq më tepër në këngë.

Në këto vite larg atdheut, larg nënës, të afërmve, kjo ndjesi  më ka shtuar mallin dhe ndjeshmërinë shpirtërore.

Sigurisht, duke qenë larg atdheut nuk keni pasur mundësinë e një mësuesi të muzikës?

Jo! Jam mësues i vetvetes, studioj vetëm dhe mundohem të praktikohem sa më tepër me kolegë të ndryshëm.  Duke qenë gjithmonë në aktivitete, veshi më është stërvitur dhe praktika më ka rritur nuhatjen e të qenit këngëtar.

Zakonisht në hapat e para shumë këngëtarë kërkojnë bashkëpunim për afirmim. Ju keni bashkëpunuar?

  Nuk kam bërë asnjë bashkëpunim deri tani. Kam kërkuar të afirmohem sa më tepër vetëm, por kjo nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen të bashkëpunoj me dikë. E kam menduar, por le ta lëmë surprizë këtë temë. Besoj se do të jetë një bashkëpunim shumë serioz. “Më mirë vonë se kurrë”.

 Ndërsa kur flitet për kompozitorët besoj në një bashkëpunim korrekt dhe serioz, ndryshe nuk mund të arrihet rezultat dhe emër qysh në fillime?

 Sigurisht. Kam bashkëpunuar me kompozitorë me shumë emër. Puna e tyre me mua ka qenë korrekte dhe i janë përshtatur vokalit tim. Deri tani kam bashkëpunuar me tre kompozitorë. E kam filluar me Genci Malaj, pastaj me Adrian Hila, dhe me Klodian Qafoku….

 Sa këngë keni në repertorin tuaj?

Kam gati 20 këngë të mijat, por duke parë se unë këndoj gjithmonë live në repertorin tim kam këngë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Numrin e këngëve nuk e di, por sigurisht janë shumë më shumë se këngët e kënduara vetëm nga unë.

 Ju jeni me origjinë çame, por lindur dhe rritur në Vlorë. Ç’përbëjnë për ju të dy këto dy vende?

Sigurisht, këto dy vende për mua janë shumë. Po unë jam rritur në Vlorë dhe jam me orgjinë nga Çamëria. Vlorën dhe Çamërinë i dua njësoj. Të dy janë vende të bukur me det dhe me pasuri. Janë vende të rralla që kanë shumë gjëra të përbashkëta.

Keni qenë ndonjëherë në Çamëri?

 Kam qenë shumë herë në Çamëri. E kam shëtitur të gjithë, dhe mund të them se është një nga krahinat më të bukura të Shqipërisë që fatkeqësisht ka një histori shumë të hidhur. Desha të shtoj se, Vlorën e kam Nënë, Çamërinë e kam Gjyshe.

 A keni në repertorin tuaj këngë për Çamërinë?

Po kam bërë tre këngë për Çamërinë “Ulu mal të shoh Kastrinë”, “Djalë çam”, dhe “Kuq e zi për Çamërinë”.

 Kush është sipas jush këngëtari më i mirë i krahinës së Çamërisë?

 Pa dyshim që ikona e këngës çame për mua (e theksoj për mua) është dhe do të mbetet i madhi Refat Sulejmani. Por nga ana tjetër mund të them se të  gjitha këngët çame më pëlqejnë, pasi janë shumë të bukura.

 Ku këndon kryesisht Gëzimi?

 Unë këndoj në çdo vend të botës, ku ka emigrantë shqiptarë. Jam kudo i ftuar.

 Cilat janë këngët më të pëlqyera për emigrantët?

Normalisht emigrantët pëlqejnë këngët që i prekin ato të mërgimit. Mes tyre ndihesh i malluar pasi ata kur këndohen disa këngë qajnë. Por unë në repertorin tim do të veçoja dy këngë që emigrantët mi kthejnë disa herë. Ato janë “Atje ku më lindi Nëna” dhe “Jabanxhi” etj..

 Keni ndonjë këngëtar që mundoheni ta keni si udhërrëfyes shpirtëror?

 Jo, unë nuk i referohem askujt në mënyrën se si këndoj. Kam mënyrën time të të kënduarit. Por nga ana tjetër mundohem që nga këngëtarë të ndryshëm të marr ato që më nevojiten si shkëmbim eksperiencash.

 Çfarë është dashuria për një këngëtar?

 Dashuria është gjëja më e bukur tek njeriu. Jam i dashuruar, pasi kam 18 vjet që jam martuar.

Flitet për meshkuj ideal, a ka një të tillë në sytë apo mendimin tuaj?

Mashkulli ideal? Për mua këtë duhet ta dinë më mirë femrat…, por mund të them se duhet të jetë i zoti, i edukuar, punëtor, mbi të gjitha i përgjegjshëm për familjen  dhe t’i jap siguri asaj që ka në krah.

 Si do ta cilësonit profesionin tuaj?

Për mua ky është profesioni më i bukur në botë, nuk do ta ndërroja me asnjë tjetër, është ëndrra ime që po vazhdoj ta realizoj.

 Çfarë vlerëson tek njeriu?

 Tek njerëzit vlerësoj mbi të gjitha shpirtmirësinë, respektin, dashurinë dhe drejtësinë etj..

 Cilët janë autorët e teksteve të tua?

 Për tekstet punoj me poetë të ndryshëm si: Akrem Lamaj, Armand Trebicka, Arben Duka, Vladimir Seferi, Laureta Petoshati, por punoj fort dhe me Gëzim Kason, d.m.th shkruaj dhe vetë.

Cilat janë këngët e tua hit?

Këngët e mia hit janë “Atje ku më lindi Nëna”, “Besa”, “Tradita Shqiptare”, Djalë çam”, “Jabanxhi”, “Vajza shqiptare”, “Kuq e zi për Çamëri”,  etj..