Intervista/ Mahir Halili: Largimi i trajnerëve, një plagë gangrenë e Superiores

48

Flet për “Telegraf” Mahir Halili, ish-sulmuesi bardheblu ndalet te fenomeni i bankinave

Sigal

Agron Kaja

Si një ish, sot si i keni marrëdhëniet me futbollin e luajtur shqiptar?

Nuk them se jam shkëputur, por nuk merrem drejpërdrejt me futbollin. Punoj në biznesin privat dhe shoh shpesh ndeshje, ku në këtë sezon do të thoja se Superioren dhe Kombëtaren i kam ndjekur thuajse në çdo ndeshje, si çdo shqiptar.

Si i përshkruani në tërësi 59 ndeshjet e luajtura në Abissnet Superiore në 12 javë?

Në tërësinë e këtyre ndeshjeve, surprizë mbetet ‘Egnatia’, e cila ka bërë shumë mirë. Këtë sezon ka krijuar grup të mirë lojtarësh dhe po tregohet se është skuadër e konsoliduar, e po kështu edhe Partizani, që ka treguar se është ekip i fortë.

Partizani mundi Vllazninë 4-1 në javën e 12-të, ishte kjo një fitore që i thotë Egnatias kujdes me vendin e parë?

Nuk besoj se Egnatia do dorëzohet para Partizanit me atë fitore. Edhe ajo ka treguar vlera gjatë këtyre 12 javëve të luajtura dhe e shoh si një ekip të fortë që po përballohet me vështirësi. Partizani do jetë rrotë më rrotë me të në kreun e renditjes.

Në javën e kaluar kishim disa barazime dhe gola në ekstrem, çfarë shprehin këto dukuri nga java në javë?

Kjo tregon se ekipet nuk kanë shumë diferenca mes tyre, por problem është mentaliteti që kanë në lojën e tyre. Skuadrat kanë më shumë besim te vetja dhe gjatë ndeshjeve kërkojnë të kujdesen për çdo rezultat, sipas kundërshtarëve.

Mund të themi se largimet e trajnerëve në disa skuadra po e zbehin ecurinë e garës?

Unë mendoj se largimi i trajnerëve mbetet një plagë e kampionatit tonë. Nuk është shumë e mirë në aspektin teknik të përshtatjes së trajnerit me skuadrën ta largosh nisur nga një rezultat humbës. E shoh si një fenomen që duhet luftuar periodikisht.

Sa kanë ndikuar në rezultate ditët e ngjeshura të kalendarit në këto javë?

Mendoj se kjo ngjeshje në çdo tre-katër ditë, është lodhje për lojtarët. Dhe duke shtuar edhe stërvitjen, e mendoj si një mbilodhje, si për ata ashtu edhe për stafet e tyre teknike e drejtuese. Një ritmikë e ngjeshur e zbeh cilësinë e lojës.

Nga ndeshjet e javës së 13-të, cilën prej tyre e veçoni si një kryendeshje?

Natyrisht që mbetet “Kryendeshja” Egnatia-Partizani. Sepse ndeshet kreu i renditjes, dhe këtu njëra nga këto skuadra do të shkëputet. Partizanin e shoh më favorit, dhe duke qenë se ka edhe një ndeshje të prapambetur me Teutën, kryesimi prej tij mbetet evident.

Në gjithçka të zhvilluar në këto 12 javë, çfarë veçoni si elementët më pozitivë të garës?

Me aq sa unë e kam ndjekur Superioren, mendoj se po tregon që është një kampionat i fortë. Skuadrat tona e kanë treguar edhe në kupat e Europës, ku edhe pse janë eliminuar, kanë luajtur mirë dhe pak disnivel ndaj kundërshtarëve.

EGNATIA – PARTIZANI

Përballjet direkte në Superiore

Ndeshje 9, Egnatia 1 fitore, Partizani 3 fitore,

5 barazime, Golat 10:12

ABISSNET SUPERIORE

     NDESHJET, JAVA 13

Të shtunën 11 nëntor 2023

Egnatia-Partizani            13:30

Vllaznia-Laçi                  17:00

Skënderbeu-Teuta          17:00

Të dielën, 12 nëntor 2023

Tirana-Kukësi                13:30

Dinamo City-Erzeni       17:00

(Në “Niko Dovana”, Durrës)

RENDITJA 

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              12      26

2.Partizani            11      26

3.Tirana                12      18

4.Laçi                   12      15

5.Kukësi               12      14

8.Skënderbeu        12      14

7.Vllaznia             12      13

8.Erzeni                12      13

9.Dinamo City      12      12

10.Teuta               11      12

 

KOMBËTARJA – EMOCIONET KUQEZI

Silvinjo shpall listën, ka rikthime dhe Broja jashtë

LISTA E LOJTARËVE QË GRUMBULLOHEN

PORTIERË: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati.

MBROJTËS: Elseid Hysaj, Ivan Balliu Kampenj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Frederik Veseli, Mario Mitaj.

MESFUSHORË: Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Keidi Bare, Klaus Gjasula,

Qazim Laçi, Nedim Bajrami.

SULMUES: Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani, Arbnor Muja,

Arbnor Muçolli, Sokol Cikalleshi, Mirlind Daku.

Ditën e djeshme, trajneri i Kombëtares sonë, Silvinjo, shpalli listën e futbollistëve që ka menduar të përballojë dy sfidat e fundit për “Euro 2024”, Grupi E, me Moldavinë më 17 tetor dhe më 20 nëntor në Tiranë me Ishujt Faroe. Interesi fillimisht shkon te emri i Armando Brojës, i cili edhe këtë herë mbetet jashtë liste, për shkak të dëmtimit që ka marrë një muaj më parë, i cili që e ka lënë jashtë edhe me Çelsin në Premierligë. Edhe Enea Mihaj nuk është grumbulluar për këto dy sfida, ndërkohë që në këtë listë me 24 lojtarë ka edhe rikthime. Mbrojtësi Ardian Ismajli ka lënë pas dëmtimin e tij dhe është gati të jetë në fushë, gjithashtu në listë është edhe sulmuesi Arbnor Muçolli që aktivizohet me Goteborgun në Suedi.

 

ATLETIKË – KROSI BALLKANIK

Në pjesëmarrjen e parë, Luiza Gega synon Medaljen e Artë

Luiza Gega do përfaqësojë Shqipërinë në Krosin Ballkanik të atletikës që do zhvillohet sot më 11 nëntor, në qytetin Pirdop të Bullgarisë. Duke marrë pjesë në këtë garë, kampionia dhe rekordmenia shqiptare nuk do jetë më pjesë në disiplinat e saj, ku është kampione Evropë në 3000 m/p. Sepse kjo disiplinë, garën e zhvillon në terren kodrinor dhe malor, një vrapim në natyrë. Kjo është diçka e re për Luizën, e cila pas triumfeve radhazi si kampione e Europës si individe dhe si ekip, pasi medaljes së artë mesdhetare dhe pas vendit të pestë vjet në Kampionatin Botëror në SHBA, provon këtë herë Krosin Ballkanik. Së bashku me trajnerin e saj Taulant Stërmasi, Luiza për gazetën “Telegraf” ka deklaruar se synon Medalje të Artë.

Historia e pjesëmarrjeve në Krosin Ballkanik

Kampionati Ballkanik i Atletikës është një garë rajonale e atletikës e organizuar dhe mbajtur mes kombeve të Ballkanit. Në Bullgari, në krosin ballkanik, Shqipëria ka fituar medaljen e parë dhe të vetme të Artë, pikërisht në vitin 1966. Skuadra e femrave e përbërë nga atletet Elisabeta Muço, Lumturi Markolaj dhe Adile Dani, nën drejtimin e trajnerit Sokol Morina  dolën kampione në garën e zhvilluar në Varnë. Ekipi shqiptar la pas Jugosllavinë që udhëhiqej nga kampionia e Europës, Vera Nikoliç. Ndërsa në vitin 1981, në këtë garë ka marrë pjesë edhe atletja Pavlina Evro, e cila u rendit në vendin e 5-të.