Champions League/ Bajerni, kualifikim horror për… hallouin (Video)

595
Në sfidën e katërt të fazës së grupeve për Champions League, skuadra bavareze ka arritur të shënojë triumfin e radhës duke mposhtur skocezët e Sëlltikut me rezultatin 1-2 e duke siguruar kualifikimin. Për Bajernin, mungesa e bomberit polak, Robert Levandovski dhe zëvëndëskapitenit Tomas Myler, ka detyruar teknikun gjerman, Jup Hejnkes, të aktivizojë në fushë skuadrën me formacionin 4-4-1-1, duke vendosur në pjesën e sulmit Hames Rodrigez dhe pas tij kilianin Arturo Vidal.
Që prej startit të pjesës së parë, skuadra bavareze ka arritur të dominojë në fushën skoceze duke shfaqur më tepër koordinim se vendësit. Ndërsa skuadra e teknikut Roxhers e ka nisur agresivisht sfidën për të marrë hak ndaj humbjes 3-0 të pësuar në Mynih. Megjithatë, ata nuk kanë pasur të njëjtin efektivitet sikurse kampionët gjermanë, të cilët kanë arritur të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 22-të falë mesfushorit francez, Kingsli Koman, i cili ka kaluar mbrojtjen dhe portierin e skocezëve fare lehtë, duke nxjerrë skuadrën në avantazh.
Gjatë pjesës së dytë të lojës, skocezët kanë treguar më tepër përqendrim dhe agresivitet, duke kërcënuar në disa raste portën e bavarezëve. Megjithatë, edhe gjatë kësaj pjese, kampionët gjermanë të Hejnkesit kanë pasur kontrollin më të madh të lojës, si edhe pasimet më të sakta. Mirëpo në minutën e 74-t, Mek Gregor barazon gjithçka pas një gabimi në mbrojtjen e Bajernit, duke ndezur tifozërinë skoceze në stadium. Menjëherë pas këtij goli, të dyja skuadrat kanë shfaqur më tepër agresivitet, duke krijuar mjaft raste. Në dy raste mjaft të rrezikshme të skocezëve, portieri bavarez, Sven Ulraish, ka qenë tejet vigjilent dhe ka arritur të shpëtojë portën e kampionëve.
Skuadra e Bajernit ka arritur të shënojë golin e dytë vetëm tri minuta pas kundërpërgjigjes së kundërshtarëve, në minutën e 77- të, kur pas një harkimi në zonën kundërshtare nga Kingsli Koman, mesfushori spanjoll, Havi Martinez, ka gjetur kuadratin e portës së Gordon, duke kaluar skuadrën bavareze në avantazhin 1-2, edhe pse ka çarë vetullën në momentin e dyluftimit. Në këtë mënyrë, kampionët gjermanë u rrëmbejnë triumfin në shtëpi skocezëve të Sëlltikut.
Sigal