30 kualifikimet e mëdha në Europë

421

Klubeve shqiptare iu deshën 20 vjet për të përmbushur ëndrrën e kalimit të një turi

Ekipet tona i kanë pasur të pakta kualifikimet e një turi në kompeticionet europiane ku kanë marrë pjesë: Liga e Kampioneve (më parë Kupa e Kampioneve), Ligën e Europës (më parë Kupa UEFA), Kupa e Fituesve të Kupave (tani nuk ekziston më) apo Kupa Intertoto (edhe ky kompeticion ka pushuar së ekzistuari). Gazeta “Telegraf” paraqet të gjitha rastet kur janë kualifikuar skuadrat shqiptare. Vetëm 7 ekipe nga 14 pjesëmarrëse në kompeticionet europiane kanë mundur ta kalojnë të paktën 1 herë turin e parë: Tirana (11 herë), Vllaznia (7), Dinamo (3), Partizani (3), Besa (3), Flamurtari (2), Teuta (1). Kulmin e ka arritur Flamurtari në edicionin 1987-1988, kur arriti të kalonte në turin e tretë të Kupës UEFA.

  LIGA E KAMPIONEVE

 Edhe pse Shqipëria mori pjesë për herë të parë në edicionin 1962-1963 në kompeticionin më prestigjioz për klube, me Partizanin kundër suedezëve të IFK Norkeping, asaj ju deshën 20 vjet për të kaluar një tur. Pikërisht këtë e bëri Tirana në edicionin 1982-1983. Tirana eliminoi Lindfild të Irlandës së Veriut. Fitoi 1-0 në “Qemal Stafa” me golin e Augustin Kolës, humbi 2-1 në Belfast (vendosi goli i Arben Mingës, që hapi dhe takimin). Në turin e dytë, shorti e vendosi përballë Dinamos së Kievit, por skuadra ukrainase bënte pjesë në atë kohë në ish-Bashkimin Sovjetik. Politika e Tiranës nuk i lejonte përballjet me skuadrat sovjetike dhe ndeshja u fitua aforfe nga Dinamo e Kievit. Ishte sërish Tirana ajo që kaloi një tur në Ligën e Kampioneve, pikërisht në edicionin 1988-1989. Eliminoi në turin e parë Hamrun Spartanin e Maltës: humbi 2-1 në Maltë, fitoi 2-0 në Tiranë. Në turin e dytë u eliminua nga Goteborgu i Suedisë: 0-3 dhe 0-1. Në edicionin 1989-1990, Tirana eliminoi Sliema Uonderesin: humbi 1-0 në Maltë, fitoi 5-0 në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe fitorja më e thellë e një skuadre shqiptare në Europë. Në turin e dyte, bardheblutë u eliminuan me dy humbje nga Bajerni i Munihut: 3-1 (gol i Mingës) dhe 3-0. Vllaznia në edicionin 2001-2002 eliminoi në tyrin e parë Rejkavik të Islandës: humbi 2-1 në Rejkavik dhe fitoi 1-0 në Shkodër, me protagonist absolut Klodian Duron, autorin e dy golave për shkodranët. Në turin e dytë u eliminua nga Gallatasaraji: 0-2 dhe 1-4 (gol i Sinanit). Në edicionin 2002-2003, Dinamo eliminoi Kaunas të Lituanisë: fitoi 3-2 në transfertë (Ahmataj, Pisha, Qorri) dhe barazoi 0-0 në Tiranë. Në turin e dytë u eliminua nga Brondby i Danimarkës: 0-1, 0-4. Vijon një seri prej tre kualifikimesh rresht të Tiranës. Në edicionin 2003-2004 eliminoi në turin e parë Dinamon e Tbilisit: humbi 3-0 në Gjeorgji, fitoi 3-0 në Tiranë, duke u kualifikuar 4-2 me penallti. Në turin e dytë u eliminua nga Sturm i Grazit: 1-5, 1-2. Në sezonin 2004-2005, eliminoi Homel të Bjellorusisë: fitoi 2-0 jashtë, humbi 1-0 brenda. Në turin e dytë, u eliminua nga hungarezët e Ferencvaroshit: humbi 2-3 në “Qemal Stafa”, fitoi 1-0 në Budapest, por me Mukën që humbi një penallti, që do t’i jepte kualifikimin. Në edicionin 2005-2006, Tirana eliminoi Goricën e Sllovenisë: humbi 2-0 jashtë, fitoi 3-0 brenda (Rraklli, Dabulla, Salihi). Në turin e dytë u eliminua nga CSKS e Sofjes me dy humbje 2-2-0.

   

LIGA E EUROPËS

Kompeticioni nisi me emrin Inter-Cities Fair-Cup, më vonë e emrin Kupa UEFA (nga 1971-2009) dhe tani vazhdon me emërtimin Liga e Europës (nga 2009-2010). Kalimin e parë të një turi e realizoi Dinamo në edicionin 1985-1986. Kaloi në turin e parë, Hamrun Spartanin e Maltës; 1-0, gol i Abazit dhe 0-0. Në turin e dytë u eliminua nga Sportingu i Lisbonës: 0-0 dhe 0-1. Në edicionin 1987-1988 regjistrohet edhe kulmi i futbollit shqiptar në Europë. Flamurtari eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit: fitoi 2-0 në Vlorë (autogol i Gjorxheviçit dhe gol i Roland Iljadhit) dhe humbi 2-1 në Beograd (eurogol i Sokol Kushtës). Në turin e dytë eliminoi gjermanolindorët e Vismute Aue: humbi 1-0 në Gjermani dhe fitoi 2-0 dhe Vlorë (Taho, Ruci). Në turin e tretë, u elimina nga Barcelona: humbi 4-1 në “Kamp Nou” (gol i Vasil Rucit), fitoi 1-0 në Vlorë (gol i Kushtës). Edhe Partizani e ka nënshkruar emrin e tij në kalimin e një turi. Të kuqtë eliminuan në turin e parë të edicionit 2004-2005, maltezët e Birkirakës: fituan 4-2 në Tiranë, humbën 2-1 në La Valleta. Në turin e dytë u eliminuan nga izraelitët e Hapoel Bnei Sakhnin, me dy humbje 3-0 në Izrael dhe 3-1 në Tiranë, e që provokoi edhe përjashtimin e shtatë lojtarëve nga ana e presidentit Xhani. Në edicionin 2006-2007, Tirana eliminoi Varteks Varazhdinin e Kroacisë, barazoi 1-1 jashtë (gol i Mukës) dhe fitoi 2-0 brenda (Salihi, Merkoçi). Në turin e dytë u eliminua nga turqit e Kayserisporit: 0-2 dhe 1-3. Besa në edicionin 2007-2008 eliminoi skuadrën serbe të Bezanijës së Beogradit. Barazoi 2-2 në Beograd dhe 0-0 në Kavajë. Në turin e dytë, u eliminua nga Liteksi i Loveçit, me dy humbje 3-0, si në në ndeshjen e zhvilluar në Durrës, ashtu dhe në ndeshjen e Bullgari. Kualifikimet vazhojnë me Vllazninë. Në edicionin 2008-2009 eliminoi në turin e parë sllovenët e Koper (2-1, 0-0), dhe u eliminua në të dytin nga Napoli i Serisë A: 0-3 dhe 0-5. Në edicionin 2009-2010, Vllaznia eliminoi irlandezët e Sligo Roversit, fitoi 2-1 në Irlandë dhe barazoi 1-1 në Shkodër. Në turin e dytë u eliminua nga Rapidi i Vjenës me dy humbje 0-3 dhe 0-5. Në edicionin 2011-2012, Vllaznia eliminoi në turin e parë Birkirkarën e Maltës: fitoi 1-0 në Maltë, barazoi 1-1 në Shkodër. Në turin e dytë u eliminua nga Tuni i Zvicrës: 0-0, në Shkodër, 1-2 në Tun. Flamurtari eliminoi në turin e parë malazezët e Buduçnostit: fitoi 3-1 në Podgoricë, humbi 2-1 në Vlorë. Në turin e dytë, humbi 2-0 me Jablonecin dhe 5-1 në Çeki. Sezonin e kaluar, kaloi një tur vetëm Tirana, e cila mposhti luksmburgasit e Grevenmaherit (2-0, 0-0), përpara se të eliminohej në mënyrë të turpshme nga norvegjezët e Alesundit (1-1, 0-5).

  KUPA E KUPAVE

 Në edicionin 1970-1971, Partizani u kualifikua në turin dytë të kompeticionit. Në turin e parë eliminoi Atvidabergun e Suedisë: 1-1 në Suedi, 2-0 në Tiranë (golat nga Pano dhe Ragami). Në turin e dytë u eliminua nga austriakët e Vaker Insbruk, me dy humbje 3-2 dhe 2-1 (golat nga Pano 2, dhe portieri Mikel Janku). Po në këtë kompeticion, në edicionin 1972-1973, Besa e Kavajës eliminoi në turin e parë danezët e Fremad Amager të Kopenhagenit, me gol në fushën kundërshtare: 1-1 në Danimarkë, 0-0 në Kavajë. Në turin e dytë, Besa u eliminua nga skocezët e Hibernian: humbi 7-1 në Skoci, barazoi 1-1 në Kavajë. Tirana në edicionin 1986-1987 kaloi turin e parë duke eliminuar Dinamon e Bukureshtit, duke i fituar të dy takimet: 1-0 në “Qemal Stafa” (Kola), dhe 2-1 në Bukuresht (Minga, Josa). Në turin e dytë u eliminua nga Malmoe e Suedisë, me nga dy humbje me rezultatin 3-0. Në edicionin 1987-1988, erdhi radha e Vllaznisë, që të kalonte një tur. Eliminoi në të parin maltezët e Sliema Uonderesit, me dy fitore 2-0 dhe 4-0 (në Maltë). Në turin e dytë u eliminua nga Rovaniemi i Finlandës me dy humbje 1-0. Dinamo në edicionin 1989-1990 eliminoi Cernemorec Burgas të Bullgarisë. Humbi 3-1 në Bullgari (Demollari), por fitoi thellëshisht 4-0 në Tiranë: Canaj, Abazi, Jançe dhe Demollari. Në turin e dytë u eliminua nga Dinamo e Bukureshtit: fitoi 1-0 në Tiranë dhe humbi 2-0 në Bukuresht. Në edicioni 1994-1995, Tirana eliminoi Fandok të Bjellorusisë: humbi 4-1 në Bjellorusi, fitoi 3-0 në Tiranë në një ndeshje dramatike të vendosur në minutën e 94-t, me një tregolësh të jashtëzakonshëm të Indrit Fortuzit (46’, 76’ dhe 94’). Në turin e dytë, Tirana u eliminua nga Brondby e Danimarkës, me dy humbje 3-0 dhe 1-0. Teuta kaloi një tur në edicionin 1995-1996, eliminoi finlandezët e TPS Turku. Humbi 1-0 ndeshjen e parë në Finlandë, por fitoi 3-0 ndeshjen e kthimit në “Niko Dovana”: golat nga Vila, Koca dhe Bushi. Në turin e dytë humbi me Parmën e Serisë A: dy humbje 2-0.

 

 

 

KUPA INTERTOTO

 

Në këtë kompeticion, që pati jetë nga viti 1999 deri në 2008, skuadrat shqiptare rregullisht kanë kaluar nga një tur. Teuta në vitin 2002 në turin e parë eliminoi Valetën e Maltës  (2-1, 0-0), ndërsa u eliminua në të dytin nga rumunët e Gloria Bistricës (0-3, 1-0). Në vitin 2003, Partizani eliminoi izraelitët e Makabi Netanjahut: 2-0 në Tiranë, 1-3 në Bullgari. Në turin e dytë u eliminua nga moldavët e Daçia Kishinaut: 0-2 në Moldavi, 0-3 në Tiranë. Vllaznia në vitin 2004, turin e parë eliminoi izraelit e Hapoel Bir Shevës: humbi 1-2 në Shkodër dhe fitoi 1-0 në Izrel, por u kualifikua me fitore në tavolinë 3-0 nga UEFA, pasi skuadra izraelite kishte futur në lojë një lojtar të pavlefshëm. Në turin e dytë u eliminua nga kroatët e Slaven Belupo: 0-2, 1-0. Në vitin 2007, Vllaznia eliminoi në turin e parë NK Zagreb, humbi 2-1 në Kroaci dhe fitoi 1-0 në Shkodër. Të dy golat mbajnë firmat e Arlind Norës. Në turin e dytë u eliminua nga turqit e Trabzonsporit me dy humbje: 6-0 në Turqi dhe 4-0 në Shkodër. Në vitin 2008, Besa eliminoi në turin e parë qipriotët e Etnikos Aknasit: 0-0 në Tiranë dhe 1-1 në Qipro. Në turin e dytë u eliminua nga zviceranët e Grasshopersit me dy humbje: 2-1 dhe 3-0 në Durrës.

 

 

KALIMI I NJË TURI

LIGA E KAMPIONEVE

Tirana: 6 herë (1982-1983, 1988-1989, 1989-1990, 2003-2004, 2004-2005, 2005-2006)

Vllaznia: 1 herë (2001-2002)

Dinamo: 1 herë (2002-2003)

LIGA E EUROPËS

Dinamo: 1 herë (1985-1986)

Flamurtari: 2 herë (1987-1988, 2011-2012)

Partizani: 1 herë (2004-2005)

Vllaznia: 2 herë (2008-2009, 2009-2010, 2011-2012)

Tirana: 3 herë (2006-2007, 2011-2012, 2012-2013)

Besa: 1 herë (2007-2008)

KUPA E KUPAVE

Tirana: 2 herë (1986-1987, 1994-1995)

Partizani: 1 herë (1970-1971)

Besa: 1 herë (1972-1973)

Vllaznia: 1 herë (1987-1988)

Dinamo: 1 herë (1989-1990)

Teuta: 1 herë (1995-1996)

KUPA INTERTOTO

Teuta: 1 herë (2002)

Partizani: 1 herë (2003)

Vllaznia: 1 herë (2004, 2007)

Besa: 1 herë (2008)

DY TURE

Flamurtari: 1 herë (1987-1988)