INTERVISTA/ Iljaz Çeço: Futbolli shqiptar nuk është më ai i traditës, ndaj Norvegjisë ka shumë alternativa reflektimi

502
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Dinamos dhe i Kombëtares, ja si e shikon skuadrën kuqezi para ndeshjes në “Elbasan Arena”
Si qëndrojnë marrëdhëniet e Iljaz Çeços me futbollin në tërësi?
Të pashkëputura në asnjë rast. Unë jam pjesë e kësaj loje që në fëmininë time, e më pas karriera me Dinamon dhe Kombëtaren, sikur na kanë lidhur pazgjidhmërisht me këtë lojë. Natyrisht që do të vazhdojë në ritmikën e jetës, kështu ndjehem i plotësuar.

Preferoni të shkoni më shumë në stadium, apo nëpërmjet televizionit?
Çdo gjë varet nga rrethanat. Por, më shumë nëpërmjet televizionit, sepse në këtë periudhë shikon shumë futboll në ekrane, ndryshe nga periudha jonë. Jam shumë i vëmendshëm ndaj emisioneve dhe analizave sportive, për të cilat edhe kam dhënë qëndrimin tim profesional.

Veç skuadrës së Dinamos, sot keni ndonjë preferencë për skuadër tjetër në futbollin shqiptar?
Për mua Dinamo është e pazëvendësueshme me çdo skuadër tjetër, por duke qenë se nuk luan në elitë, unë parapëlqej Skënderbeun, Kukësin e Flamurtarin. Janë skuadra që kanë rritje në futbollin tonë, të tjerat me hope, sikundër edhe Partizani i këtij sezoni.

Po skuadrën Kombëtare, e keni ndjekur në këtë periudhë? 
Fjalë është ajo? Kombëtarja është një detyrim shpirtëror edhe si shqiptar, por edhe si një ish-futbollist i saj. Mundësia më jepet të shoh edhe kombëtaret e niveleve të ulëta, dhe shoh se te te gjitha ka progres në organizim, menaxhim e në rezultatet që kanë arritur në arenën ndërkombëtare.

Sa vlerë kanë grumbullimi dhe miqësorja e Kombëtares me Norvegjinë?
Kanë shumë vlerë, si grumbullimi i Kombëtares, ashtu edhe miqësorja me Norvegjinë. Më pëlqen kjo platforma e Panuçit me Kombëtaren, ai duket se e njeh mirë futbollin, natyrisht që kjo vjen edhe nga përvoja e madhe në karrierën e tij si futbollist. Të shohim sa do përshtatet në lojë.

Si e mendoni spostimin gradual që Panuçi po u bën futbollistëve me moshë më të rritur në Kombëtare?
Së pari, duhet menduar se asnjë trajner nuk të heq nga skuadra, nëse mendon se i shërben aktualitetit, por edhe vazhdimësisë. Edhe ata që nuk i ka ftuar, si Agolli, unë nuk mendoj se i ka larguar përgjithmonë, sepse kështu, ai po seleksionon emra që do t’i duhen për vazhdimësinë, e cila është e ngarkuar me Evropianin e Ligën e Kombeve.

Çfarë mendoni se do të shikojë më shumë Kombëtarja jonë në këtë miqësore me Norvegjinë?
Në këtë miqësore me Norvegjinë, mendoj se trajneri Panuçi duhet të shikojë së pari harmonizimin e lojës së skuadrës. Të gjithë duhet të harxhojnë energji të barabarta në fushë, sepse kjo ndeshje ka rëndësi për taktikën,pozicionet e lojtarëve dhe organizimin e lojës.

Nga Kombëtarja te Superiorja, si e përshkruani situatën në këtë kategori?
Për mua, futbolli shqiptar vuan shumë. Nuk është më ai futboll i traditës, sepse i është dhënë prioritet më shumë futbollistëve të huaj. Me një matematikë të thjeshtë, janë 50-60 futbollistë të huaj që mund të përbëjnë 4-5 ekipe më vete. Kështu talentet shqiptare humbasin, ndërsa të huajt në përqindjen më të madhe, janë të dorës së dytë.
Si grumbullimi i Kombëtares, ashtu edhe miqësorja me Norvegjinë, kanë shumë vlerë. Më pëlqen kjo platforma e Panuçit me Kombëtaren, ai duket se e njeh mirë futbollin, natyrisht që kjo vjen edhe nga përvoja në karrierën e tij si futbollist. Të shohim sa do përshtatet në lojë
Sigal