Bashkim Aliraj/ Hysni Bregu, “delfini” i notit shqiptar

833
Sigal

Në muajin janar 2014, Federata Shqiptare e Notit do të organizojë Kupën “Hysni Bregu”

*Trajner, Shoqata “Jon”, Vlorë

 Po bëhet traditë që, për nder të figurave të shquara në not të organizohen veprimtari sportive.  Kjo mendoj është një gjë mjaft pozitive që flet për kontributin dhe sakrificën e tyre dhe vlerësimin që ka shoqëria për ta. Edhe në janarin e vitit të ardhshëm, 2014, për nder të notarit Hysni Bregu, Federata Shqiptare e Notit së bashku me akademinë “Stela” në Tiranë do të organizojë Kupën “Hysni Bregu”.

Hysniu është një ndër notarët më të talentuar të vendit tonë, një nga figurat më të shquara të notit. Sa më shume vite kalojnë, aq më e plotë bëhet figura e tij sportive. Rezultatet e tij sportive në not në 50 e 100 m delfin janë dëshmi e punës së madhe, plot pasion dhe këmbëngulëse. Hysniu u lind dhe u rrit në Tiranë.  Talenti i tij filloi të shfaqej që në moshë të vogël. Në moshën 13-vjeçare ai filloi të stërvitej në ekipin e Dinamos me trajner Emin Gripshin (që nuk jeton më). Në ekip kishte mjaft notarë të tjerë si: S.Mema, A.Shoshaj, A.Belegu, G.Tirana, Gj.Kurkeshi , B.Zekthi, etj.. Por, rezultatet e tyre ishin modeste si ekip. Me përjashtim të notarit S.Mema, që kishte thyer rekordin kombëtar të notarit të madh J.Hondro në 100 m delfin, notarët e tjerë luftonin për arritje të larta. Aty Hysniu do të gjente dhe frymëzimin e do të zhvillonte mundësitë e tij. Por, nuk ishte e lehtë për të, pasi shokët e tij paraardhës në këtë stil dhe garë të vështirë, 100-200 m delfin kishin vendosur rekorde shumë të mira. Duke filluar nga J.Hondro, S.Mema dhe më vone rezultatet e shkëlqyera të notarit të Butrintit të Sarandës, Shpëtim Kote. Pra kërkohej shumë punë nga Hysniu, mbi të gjitha besim në vetvete dhe stërvitje intensive. Por, këmbëngulja, pasioni dhe vendosmëria Hysniut nuk i mungonin. Ai bënte pjesë në notarët e rrallë që iu kushtua notit me gjithë pasionin e tij. Ja çfarë thotë ish-notari i ekipit të Dinamos, shoku i tij kampion e rekordmen i vendit në këtë stil Sadik Mema: “Hysniu ishte shume i vullnetshëm dhe shume i talentuar, ai stërvitej çdo ditë e me përkushtim. Natyrisht, kjo nuk ishte e lehte sepse bënim 6000 – 7000 m not në ditë në verë, ndërsa në periudhën e dimrit bënim përgatitje të mirë fizike”.

      Dhe në vitin 1980-81, ekipi i Dinamos me notarët H.Bregu , F.Murati, E.Mema, J.Murati, F.Shehu do të ishte një nga ekipet me cilësorë të vendit në not. Të gjithë ishin kampionë e rekordmene kombëtare. Meritë të padiskutueshme në këtë drejtim ka ish-trajneri i tyre, Emin Gripshi, që punoi pa u lodhur e me pasion , ndonëse në kushte shume të veshtira (në liqen).  “Për Hysniun, Ciken, sepse kështu  e thërrisnin shokët, – thotë notari veteran ish-kampion e rekordmen i ekipit te Partizanit në stilin shpine Emin Lishi, – kam fjalët më të mira si notar dhe djalë shumë i mirë. E njoh qysh në ekipin e Partizanit kur ishte notar. Ai ishte dhe një djalë i shkëlqyer”

Por, në familjen Bregu tradita dhe pasioni për notin do të vazhdonin. Jo vetëm Pëllumbi, Dashi dhe Hysniu që ishin vellëzër, por dhe nipërit e Hysniut, Juliani dhe Xhinua do të vazhdonin në traditat e tij. Ata duke u stërvitur nga babai i tyre Dashi, do të arrinin rezultate të larta që të dy duke u bërë kampionë e rekordmenë të vendit: në 50, 100 e 200 m bretkosë; Juli për të rinj e të rritur dhe Xhinua me moshat 13-14-15 vjeç, katër notim, 200-400 m stil i lirë në 4 km, etj. Vetëm ata prindër që kanë pasur fëmijet vetë notarët e dinë se sa e vështirë është që të nxjerrësh fëmijë kampion, sidomos kur ke dy në ekip. Kjo falë punës plot pasion të trajnerit, babait të tyre Dashamir Bregu.

Ai tashmë është bërë i njohur për publikun tonë dhe sportdashësit e notit si një nga trajnerët më të mirë të vendit, që ka nxjerrë me dhjetëra notarë kampione e rekordmenë. Ai vazhdon akoma të stërvitet me pasion e përkushtim për notin.

   Por siç thotë një fjalë e urtë popullore fiku nën fik do të bjerë. Kjo punë nuk është me inat, nuk është me “të thënë” thoshte dikur trajneri i paharruar i futbollit Myslym Alla, por është me të dhënë. Natyrisht, që ka shumë prindër që kanë dëshirë të bëjnë fëmijët e tyre kampion e rekordmen por, kjo ka të bëjë shumë me punën vullnetin e trajnerit dhe notarit. Për Hysniun që nuk jeton më, të gjithë shokët e miqtë e tij do ta kujtojnë me respekt, i urtë e i qeshur, i dashur me shokët. Ai me atë trupin e tij shtatlartë e buzagaz të impononte respekt. Ai 10-11 vitet e fundit do të jetonte në kryeqytetin e Anglisë si emigrant, ku u mor dhe me përkthimin e librave në shqip të Budës dhe Konfucit.  Vdekja e parakohshme e ndau Hysniun nga familja, shokët e miqtë e tij. E kam të freskët takimin e tij të fundit kur u takuam në pishinë. Më shoqëroi deri tek stacioni i autobusit kur do të kthehesha për në Vlore tek stadiumi “Dinamo (sot “Selman Stërmasi”) atë vit, aty afër kishte dhe shtëpinë, pimë një kafe së bashku dhe biseduam për notin.  “Profesor, – më tha, – më bëhet qejfi që vazhdon me të njëjtin pasion por, shikoj që noti nuk ka kushte akoma, por unë kam besim se kjo punë shumë shpejt do të rregullohet. Do të vijë ditë që edhe notarët tanë të stërviten në pishina në uje të ngrohtë si andej”. Dhe me të vërtetë koha erdhi shumë shpejt. Në Tiranë dhe në Durrës u ndërtuan mjaft pishina për stërvitjen e notarëve në periudhën e dimrit. Hysniu nuk pati fat që t’i shikonte ato në vendlindjen e tij. Ai u nda nga jeta shumë i ri. Si kujtim atë dite më dha dhe një libër të përkthyer nga vete ai. Hysniu ka përfaqësuar vendin në not dy herë në takimet miqësore ndërkombëtare në Kinë në vitet 1974-76. Ai ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti” dhe është dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen “Naim Frashëri” të klasit të dytë. Mendoj se, për kontributin dhe rezultatet e larta që ka dhënë, Hysni Bregut i takon titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”.

 Rekordet e Bregut, në 50 dhe 100 m delfin

 Mbas 7-8 vjetësh punë rezultatet e H.Bregut sigurisht që nuk do të mungonin. Ai theu rekordin kombëtar në 100 m delfin me kohën 01’02”60,që mbahej nga notari i Butrintit Sh.Kote me kohën 01’04”40 dhe ne vitin 1980-81 në Shkodër në pishinë në 25 m ai vendosi përsëri rekordin kombëtar në 50 m delfin me kohën 00’26”50, një rezultat ky që edhe sot mjaft notarë e kanë të vështirë ta realizojnë, megjithëse kushtet e stërvitjes janë përmirësuar mjaft nëpërmjet pishinave dimërore.

Edhe pse kanë kaluar mbi 30-35 vjet, mendoj se këto rekorde në not në këtë stil do të mbeten rezultatet më të mira të kohërave.