Flet për “Telegraf” Faruk Sejdini, analizon situatën në futbollin shqiptar
Agron Kaja
“Lëvizjet e tyre duken si aksion me goditje të përqendruar. Këto janë përgatitje sa për t’u prezantuar në Europë, sepse më shumë i kushtojnë rëndësi përfitimeve ekonomike. Më pas ato stopojnë.”
Si e shikoni situatën në futbollin shqiptar, me lëvizjet në merkato e përgatitje?
Zakonisht, puna me futbollin në këtë periudhë duket si kaotike me lëvizjet e mëdha që bëhen nga skuadrat, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Më shumë kanë lëvizur katër skuadrat që do të luajnë në Europë, dhe kjo është normale.
Po merkaton e katër skuadrave që do të luajnë në Europë, si e shikoni?
E përmenda më sipër, por lëvizjet e tyre duken si aksion me goditje të përqendruar. Këto janë përgatitje sa për t’u prezantuar në Europë, sepse më shumë i kushtojnë rëndësi përfitimeve ekonomike. Më pas ato stopojnë.
Me gjithë hyrjet e daljet, cilën skuadër e shikoni më të kompletuar në këto përgatitje?
Me sa shohim e dëgjojmë shpesh këto lëvizje nuk janë reale, por mediatike. Gjithsesi, Tirana më duket si më e kompletuar në këtë periudhë përgatitore, e deri diku edhe Partizani. Vllaznia dhe Egnatia kanë ritëm normal, por duhet të presim.
Çfarë mendoni se ndodh me këto skuadra pas paraqitjeve në Europë?
Ndodh e zakonshmja, sepse pasi i mbyllin ndeshjet në Europë, të gjitha këto skuadra kalojnë në një spirale, sepse do bëjnë pushime, më pas nisin përgatitjet me merkaton nëpër këmbë.
Dhe ju çfarë do të sugjeronit që të bëhej në këtë periudhë?
Ritmika në këtë periudhë është e kushtëzuar, harmonizim e sinkronizim të veprimeve në skuadër. Natyrisht që shoqëruar edhe me ndeshje miqësore, të cilat për skuadrat që do luajnë në Europë janë shumë të domosdoshme.
Kjo periudhë duhet shfrytëzuar edhe për riorganizime te klubet e futbollit?
Të gjitha skuadrat tona të futbollit, flas kryesisht për Abissnet Superiore dhe Kategorinë e Parë, duhet të bëjnë hapa para për riorganizimin e tyre, sepse nuk janë në perfeksion. Duhet të plotësohen mangësitë e sezonit të kaluar dhe këtu duhet të kenë strehë profesionistët.
Duke ju referuar katër skuadrave që do të luajnë në Europë, cilën prej tyre e mendoni të kualifikuar në raundin e parë?
Duke ju referuar njohjes së skuadrave tona dhe kundërshtarëve që do të luajnë në Europë, shoh se Vllaznia ka kundërshtar më të kalueshëm. Pse jo, edhe Tirana i ka këto shanse, ndërsa Partizanin dhe Egnatian duhet t’i shohim pas ndeshjeve të para.
Në Kategorinë e Parë debutojnë 12 skuadra, pjesa më e madhe kanë luajtur në elitë, si e mendoni formulën e këtij sezoni të ri?
Është një format normal që duhej të aplikohej më parë. Kështu i jepet më shumë mundësi rritjes së cilësisë në këtë kategori. Kjo duhet të jetë edhe si një pedanë për elementë cilësorë, të cilët duhen parë me syrin e Superiores.
Liga e Kampioneve Femra
Shqipëria organizon gjysmëfinalet e grupit, Vllaznia me fat në short
Dje në Nion të Zvicrës, u hodh shorti për ndeshjet kualifikuese në Ligën e Kampioneve për Femra dhe Vllaznia do të jetë në Grupin 7, së bashku me hajvalinë e Kosovës, Valur të Islandës dhe Ankara Fomget të Tuqisë. Vllaznia do të ndeshet me fituesen e Kosovës, Hajvalinë, ndërsa ndeshja tjetër është Valur-Ankara Fomget. Fituesit e dy takimeve gjysmëfinale do të ndeshen në ndeshjen finale, të cilat do të luhen në datat 6 dhe 9 shtator 2023. Vllazninë duket se e ndihmon fati në short, por edhe pse Shqipëria është organizatore e ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Kampioneve për Femra, Grupi 7.
Ndarja nga Over Sport, FSHF me planin rezervë
Ditë më parë, FSHF-ja doli me një njoftim në të cilin bëri të ditur mbylljen e kontratës me “Over Sport”, për ndërprerjen e transmetimit të ndeshjeve të Abissnet Superiore, Kategorisë së Parë dhe Kupës së Shqipërisë. Shkak ishin bërë mospagesat prej kësaj kompanie mediatike, nisur nga muaji shkurt 2023. Por Over Sport nisi një lojë pingpongu, dhe menjëherë doli me një prononcim publik, ku shprehej se çdo gjë ndodhi për shkak të mungesës së transparencës nga ana e FSHF-së. Së fundmi, FSHF-ja ka bërë një sqarim publik për këtë reagim, duke deklaruar se “Over Sport” nuk kishte bërë asnjë pagesë që nga janari. Për këtë situatë, nga federata është menduar plani rezervë, prodhimi i sinjalit prej saj, duke e nxjerrë më pas në ankand transmetimin për gjithë operatorët ose platformat e interesuara.