Luiza Gega, e treta në Pekin dhe rekord në 1500 m

687
Sigal

Presidenti i Atletikës, Gjergj Ruli: “Historike të triumfosh midis atleteve më të mira në botë”

Luiza Gega vazhdon të shkruajë faqe të lavdishme në historinë e atletikës shqiptare. Vendi i tretë në 1500 metra në mitingun e përvitshëm IAAF World Challenge të Pekinit, e shoqëruar kjo edhe me thyerjen e rekordit kombëtar tashmë në kohën 4’03’12, është dëshmia më e qartë për vlerat e atletes së mirënjohur, një prej më të mirave që ka aktualisht “Mbretëresha” e sporteve. 25-vjeçarja garoi fort në Pekin, midis atleteve më të mira të botës duke lënë pas sportiste nga Kina, Australia, Sllovenia, Ukraina. Duke pasur parasysh vështirësitë e “mbretëreshës së sporteve” në vendin tonë rezultati është vërtet sensacional dhe për më tepër në një event që është pjesë e kalendarit të IAAF World Challenge, që në fakt renditet vetëm një shkallë më poshtë sesa Diamond League, aktivitet që konsiderohet njëkohësisht si kategoria elitare e atletikës botërore. I kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, e konsideroi rezultatin e Luiza Gegës si historik. “Vendi i tretë  në 1500m i Luiza Gegës në një miting ndërkombëtar, si ai IAAF World Challenge në Pekin, i njohur nga Federata Ndërkombëtare dhe ku marrin pjesë atletët më të mira në botës është me të vërtetë një rezultat historik. Kjo tregon se, po të punohet me seriozitet dhe në vazhdimësi, atletika jonë ka mundësi të konkurrojë denjësisht në nivel të lartë. Të mos harrojmë se, me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Luiza Gega u stërvit për rreth një muaj në Kenia, në një prej qendrave më të njohura në botë nga ku kanë dalë kampionë të mëdhenj në atletikë. Gega e vazhdoi stërvitjen edhe në Korçë, dhe ja ku janë frytet e punës së saj. Duhet ta përshëndes dhe ta uroj Luizën edhe për rekordin e arritur prej saj në 1500 m, një kohë dukshëm më e mirë se ajo që kishte pasur më parë po ajo vetë”- tha presidenti i Atletikës, Gjergji Ruli. Gara e djeshme u zhvillua në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, stadium që mbajti gjithë peshën e atletikës në Lojërat Olimpike të vitit 2008, atletja shqiptare zhvilloi një garë të shkëlqyer duke siguruar podiumin në garën e 1.500 metrave. Koha e saj është 4’03”12 dhe tashmë Luiza Gega përmirëson me plot 2 sekonda rekordin e vjetër shqiptar, që mbahej pikërisht prej saj. Rekordi i mëparshëm në garën e 1.500 metrave ishte vendosur nga atletja durrsake vitin e kaluar në Poloni, në Szczecin, me kohën 4’05”11, e në vetvete edhe ajo kohë konsiderohej si një kohë e mirë për nivelin e atletikës tonë. Për të kuptuar se ku renditet koha e arritur nga Luiza Gega në Pekin krahasuar me nivelet më të larta të atletikës bashkëkohore mjafton të përmendim faktin se rekordi i ri kombëtar do të mjaftonte për t’i dhënë mbretëreshës së atletikës shqiptare medaljen e bronzit në kampionatin e fundit botëror, që u zhvillua gushtin e kaluar, në Stadiumin Luzhniki të Moskës, pasi e treta në atë kompeticion u pozicionua atletja keniane Hellen Onsando Obiri, me kohën 4’03”86. Ndërkaq për të guxuar ca më shumë mjafton të përfytyrojmë medaljen e artë, që në Botërorin rus u fitua me një kohë vetëm 0,5” më të shpejtë, nga atletja suedeze me origjinë nga Etiopia, Abeba Aregaëi. Gara në mitingun e Pekinit u fitua nga atletja nga Maroku Rababe Arafi, me kohën 4’02”71 ndërsa e dyta u pozicionua atletja etiopiane Gudaf Tsegay, me kohën 4’02”83. Arritjet më të mëdha të saj deri më tani konsiderohen, vendi i katërt në Lojërat Mesdhetare të vitit 2013, në Mersin të Turqisë, në garën e 800 metrave, ndërsa përsa i përket sallave të mbyllura sivjet Luiza Gega siguroi vendin e parë në Kampionatin ballkanik të Stambollit, pikërisht në garën e 1.500 metrave. “Kjo tregon se, me pak investime mund të marrim rezultate të larta, edhe në një nga sportet më të vështira individuale si atletika. Luiza Gega është shembulli më i mirë. Është e natyrshme, që po të kishte Shqipëria kushte më të mira stërvitore dhe bazë më të mirë materiale, rezultatet tona në arenën ndërkombëtare do të ishin akoma më të mira. Unë jam i bindur se, dhe atleti Izmir Smajlaj i kërcimit së gjati, mund të shkojë shumë shpejt në kufirin e 8 metrave, pasi aktualisht ai është në kufirin e 7,55 metrave. Smajlaj është tepër i talentuar dhe unë besoj tek aftësitë e tij”, – tha presidenti i Atletikës, Gjergji Ruli.

Rekordi

Koha e re është 4’03”12 dhe tashmë Luiza Gega përmirëson me plot 2 sekonda rekordin e vjetër shqiptar, që mbahej pikërisht prej saj

Gara e 1500 metrave

V    Atletja          Vendi    Koha

1.    Rababe Arafi      Marok          4’02”71

2.    Gudaf Tsegai      Etiopi    4’02”83

3.    Luiza Gega         Shqipëri 4’03”12

4.    T. Tverdostup     Ukrainë 4’08”16

5.    Kaila Mcknight  Australi 4’09”20

6.    Sonja Roman      Slloveni 4’14”80

7.    Xheni Blandëll   Australi 4’20”16

8.    Fang Liu             Kinë             4’21”36

9     Jing Zhao            Kinë             4’30”40

 REZULTATET E GEGËS

Në pistë

800 m    2’01”96 Mersin   29 qershor 2013

1500 m  4’03”12 Pekin            21 maj 2014

3000 m  9’09”74 Bar        1 maj 2012

3000 m/p     9’54”72 Tiranë   8 qershor 2011

Salla të mbyllura

800 m    2’02”27 Pire       10 shkurt 2013

1500 m  4’03”12 Stamboll      21 shkurt 2014

Rezultati më i mirë

1500 m  vendi i 6-të/ 4’08”24

IAAF Kampionati Botëror Salla të Mbyllura Sopot

Një jetë e tërë pranë pushkës e poligonit e kampiones dhe rekordmenes së pushkës

 Lume Pepa, legjenda e qitjes shqiptare

Nga ARTUR AJAZI

  E ka nisur sportin e bukur të qitjes në moshën 12-vjeçare, dhe si të thuash është rritur në poligonet e saj në disa prej ekipeve prestigjioze të kryeqytetit. Duke e pyetur Lumturinë për fillesat e sportit, vështirësitë e para dhe ecurinë e mrekullueshme të saj si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ajo me modesti të përgjigjet se, “jam lodhur shumë, por vullneti dhe pasioni për sportin e bukur të qitjes edhe sot nuk ma kanë zbehur dëshirën për të vajtur në stërvitje çdo ditë”. Lumja e ka nisur aktivitetin e saj sportiv me ekipin e Partizanit qysh në vitin 1982, kur ajo ishte 12 vjeçe. Shkonte në poligon çdo ditë duke zgjedhur si “armë” pushkën. “Muajt dhe vitet e para kam bërë stërvitje me pushkë mësimore për fillestarët, dhe në garën e parë që mora pjesë në Berat, u kualifikova e para në garën e pushkës 3×20, me pionierët, dhe në garën 1×60, u kualifikova e treta”- tregon kampionia Pepa. Vitet rrodhën, dhe Lumturia akoma adoleshente, nisi me vullnet, pasion dhe me sigurinë e kampiones, rrugën e gjatë të sportit të bukur të qitjes. Biseda me Lumturinë rrjedh e qetë, kur dëgjon prej saj për pjesëmarrjen në dhjetëra kampionate, spartakiada, takime kombëtare ballkaniada, Lojërat Mesdhetare, Europiane, Kupa Bote, turne si brenda dhe jashtë vendit, tek të cilat ajo ka marrë pjesë, por pretendimet e saj ishin dhe mbeten për më shumë. Të paharruara do të mbeten për Lumturinë, vlerësimet dhe vendet e nderit që ajo ka zënë, si kampione dhe rekordmene në garën e ushtrimit 1×60 me pushkë me 594 pikë e barabartë me rekordin botëror në vitin 1990, maksimalja për këtë garë, në disiplinën 3×20, duke arritur 566 pikë në vitin 1991 edhe ky rekord kombëtar, dy herë fituese e Medaljes së Artë në spartakiadat që zhvilloheshin në Shqipëri në vitet’90, e shumë arritje të tjera. Kampionia Pepa, numëron sot 33 Diploma si Kampione Kombëtare për disiplinën e pushkës, dhe 11 Medalje të marra në Ballkaniada dhe brenda vendit. Ajo ka milituar për shumë vite në ekipin e Partizanit, ndërsa prej vitesh ajo ndodhet në vendin e nderit në Klubin “Studenti”, me dinjitetin e Kampiones dhe Rekordmenes Kombëtare. Emri i Lume Pepës njihet jo vetëm brenda vendit por edhe në mjaft klube të Ballkanit dhe Europës, dhe kjo duket nga ftesat dhe pjesëmarrja e saj në turne dhe ceremonitë sportive të mjaft ekipeve të qitjes. Ambiciet e saj  sa vijnë e shtohen, janë ambiciet e një kampioneje në rritje, ambiciet e një femre e cila megjithëse nënë e dy vajzave Klaudias dhe Pamelës, pretendon të ngjisë të tjera maja, duke sfiduar jo vetëm koleget e saj në Shqipëri por edhe jashtë saj. Kampionia Pepa, mban “mbi shpinë” edhe dhjetëra Diploma të vendit të dytë e të tretë në pushkë në dy gara, por krahas tyre ajo zhvillon edhe një garë tjetër, në qitjen me ajër me pushkë. Pepa edhe në këtë disiplinë, është shpallur Kampione dhe Rekordmene Kombëtare. Në tetor të vitit 2005, ajo ka marrë pjesë në garën e pushkës me ajër e cila u zhvillua në Prishtinë, ku merrnin pjesë ekipe nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova, ku Lumturi Pepa sërish do të zinte vendin e parë me 383 pikë, duke sfiduar koleget e saj. Pas kësaj në nëntor një muaj më vonë, në Ballkaniadën e zhvilluar në Rumani, ajo arrin të marrë 381 pikë, duke thyer rekordin  Kombëtar që ishte vendosur nga ajo në Kupën e Botës zhvilluar në Zagreb dy vite më parë, rekord i mbajtur po nga ajo me 373 pikë.  Duke e pyetur për vlerësimin e shtetit ajo me modesti shprehet se, “jo se jam ndjerë e pavlerësuar, por mendoj  se dikasteret qeveritare dhe konkretisht Ministria e Sporteve duhet të kthejë sytë nga ne që i kemi dhënë kaq shumë me rekordet tona Shqipërisë, duke e bërë të njohur në botë”. E them këtë se sot ka mjaft sportistë që enden të papunë dhe të pabegenisur nga strukturat e shtetit, madje ka prej tyre që u kanë fshirë edhe emrin në stendat e Klubeve Sportive”. Aktualisht Lumturia veç punës me veten e saj, ajo stërvit edhe një ekip të rinjsh pranë Klubit Studenti, ku ndjehet e përkrahur nga drejtuesit e tij. Pepa mbetet simboli i njeriut të vullnetshëm, pasionant dhe Kampiones Kombëtare me arritjet më spektakolare të arritura deri sot në sportin e Qitjes në Shqipëri, ndaj jo vetëm ajo por edhe çdo sportist i tillë, më e pakta meriton mirënjohjen e thellë e të stimuluar financiarisht nga shteti. “Është një jetë e tërë pranë pushkës, poligonit, klubit dhe familjes, ndoshta kaq sa fola për sportin e bukur të Qitjes është pak, sport me të cilin është lidhur prej 28 vitesh jeta ime”.

 Lumturia ka marrë pjesë në dhjetëra kampionate, spartakiada, takime kombëtare ballkaniada, Lojërat Mesdhetare, Europiane, Kupa Bote, turne si brenda dhe jashtë vendit