INTERVISTA/ Erjon Xhafa: Pa Tiranën e Dinamon, elita e ka humbur rivalitetin, në fazën e katërt po luhet me llogari

870
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos, Tiranës e Kombëtares, ja si i përshkruan tetë javët e mbetura të Superiores
Në tërësinë e ndeshjeve të luajtura në këtë sezon të Kategorisë Superiore, mendoni se skuadrat janë shprehur tërësisht në vlerat e tyre?
Përgjithësisht do të thosha se po. Duke përjashtuar Partizanin që sot duhet të ishte rival me Skënderbeun për Titullin Kampion, mendoj se të gjitha skuadrat e tjera kanë marrë çfarë kanë merituar në këto 28 javë të luajtura. Ndoshta pritshmëritë e skuadrave kanë qenë për të tjera rezultate, por renditja është pasqyra e tyre.

Si i përshkruani rezultatet e javës së 28-të të Kategorisë Superiore?
Në këndvështrimin tim teknik, unë mendoj se kanë qenë ndeshje me pak rivalitet, jo vetëm për rezultatet që u arritën, por edhe për nivelin e lojës që prodhuan skuadrat në përgjithësi. Skënderbeu e bëri diferencën këtë javë, por pa Tiranën e Dinamon, Superiorja sikur e ka humbur paksa traditën e rivalitetit brenda saj.

Ju mendoni se te Skënderbeu, apo edhe te skuadrat e tjera, situata pas vendimit të UEFA-s nuk ka ndikim?
Ndikim psikologjik ka, por edhe dhe do të ketë në vazhdimësi te skuadra korçare. Madje efektet e atij vendimi të UEFA-s, mendoj se janë ndjerë edhe te skuadrat e tjera, të cilat e kanë rritur më shumë rivalitetin për tu ngjitur sa më sipër në renditje, me mendimin se korçarët nuk do të luajnë në Evropë.

Nisur nga kjo situatë, çfarë tregojnë më shumë rezultatet e javës së parë të fazës së katërt?
Përveç rivalitetit të munguar, mendoj se rezultatet e kësaj jave ishin të pritshme. Nuk mund të ndodhte ndryshe në fitoren e Skënderbeut ndaj Flamurtarit, dhe Vllaznia ndaj Lushnjes. Barazimi Luftëtari-Teuta duket paksa surprizë, e po kështu fitorja e Partizanit ndaj Laçit. Rezultatet e tjera nuk janë surpriza.

Në raport me ndeshjen e Kupës, Skënderbeu-Flamurtari 0-1, si e shikoni humbjen e vlonjatëve në Kampionat ndaj skuadrës korçare?
Nuk besoj se mund të ketë diçka të paravendosur, sepse Skënderbeu është skuadra më e mirë e futbollit shqiptar. Humbja në ndeshjen e parë të Kupës, mendoj se ka qenë nën efektin e vendimit të UEFA-s, por edhe Flamurtari nuk është ajo skuadër e dy fazave të para.

Po ngjitja e Partizanit në renditje, ku mendoni se e ka “çelësin” e suksesit?
Partizani nuk ka ndryshuar shumë pas ikjes së Starovës nga bankina, por tani ka filluar përshtatja e mirë e lojtarëve. Sepse nga nëntori në janar, kjo skuadër pati shumë largime lojtarësh e trajnerësh, ndërsa tani mendoj se është koha e Partizanit më të mirë në këtë sezon.

Mund të thuhet se, në grupin e skuadrave për mbijetesë ka hyrë edhe Kamza, sidomos me humbjen ndaj Kukësit dhe largimin e trajnerit Ndreu?
Mendoj se po, sepse Kamza që në fazën e tretë e humbi ritmin e mirë në dy fazat e para. Atëherë mendohej për në zonën e Evropës, ndërsa tani diskuton mbijetesën, dhe me këtë ritëm e ka të vështirë. Nga ana tjetër, unë shoh Teutën më të rrezikuar, se sa Vllaznia, e cila po tregon një ndryshim shumë cilësor në lojën e saj.

Nisur nga kjo situatë që përshkruat, si e mendoni ecurinë e skuadrave të Superiores në 8 javët e mbetura të këtij Kampionati?
Në këto 8 javë që kanë mbetur, cilësia e ndeshjeve do të bjerrë shumë, sepse tani skuadrat bëjnë vetëm llogaritë e pikëve. Duke qenë edhe faza e fundit, tashmë nuk mund të pretendojmë se do të shohim ndeshje të bukura, edhe pse ato kanë qenë të pakta në këtë sezon.

Të shtunën dhe të dielën luhen ndeshjet e javës së 29-të
Nisur nga kalendari, i shoh ndeshje të vështira. Brenda tyre janë kahet e kundërta, sepse luajnë për në Evropë, siç është kryesfida Kukësi-Partizani, dhe ndeshja Luftëtari-Laçi. Por, edhe mbijetesa troket fort te ndeshjet Teuta-Vllaznia e Skënderbeu-Kamza. Kjo javë do të zbardhë më shumë enigma në dy anët e renditjes.
Në këto 8 javë që kanë mbetur, cilësia e ndeshjeve do të bjerrë shumë, sepse tani skuadrat bëjnë vetëm llogaritë e pikëve. Duke qenë edhe faza e fundit, tashmë nuk mund të pretendojmë se do të shohim ndeshje të bukura, edhe pse ato kanë qenë të pakta në këtë sezon
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 29-të
Datë 14 prill 2018 
Luftëtari-Laçi 14:00
Lushnja-Flamurtari 14:00
Kukësi-Partizani 14:00
Skënderbeu-Kamza 17:00
Datë 15 prill 2018 
Teuta-Vllaznia 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 28 63
2. Kukësi 28 51
3. Partizani 28 45
4. Laçi 28 42
5. Luftëtari 28 41
6. Flamurtari 28 37
7. Kamza 28 34
8. Vllaznia 28 33
9. Teuta 28 30
10. Lushnja 28 10
Sigal