INTERVISTA/ Edmond Gezdari: Sezoni ka nisur normal, Luftëtari e prishi skuadrën e sezonit të kaluar me logjikë anti-futboll

606
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i 17 Nëntorit dhe i Kombëtares, ecuria e Superiores në 4 javë dhe parashikimi për javën e 5-të

Në katër javët e para të Kategorisë Superiore, si ka qenë niveli i ndeshjeve të zhvilluara?

Unë mendoj se kanë qenë në tërësi ndeshje pozitive dhe me nivel të mirë. Ky fillim ka nisur normal dhe në ekuilibër thuajse nga të gjitha skuadrat. Madje edhe Luftëtari, i cili edhe pse nuk ka marrë asnjë pikë në këto katër ndeshje, nuk mund të themi se ka bërë lojëra pa nivel.

Nisur nga përbërjet që kanë skuadrat e Superiores, ju mendoni se ato i kanë kapur pritshmëritë?

Them se Skënderbeu na ka befasuar, sepse me problematikën që ka, mendohej të ishte më keq. Korçarët po mbajnë ritmin e skuadrës të sezonit të kaluar. Nga skuadrat e kreut, Kukësi më bind në lojën e tij, ndërsa Partizani me Flamurtarin ende nuk e kanë bindjen e plotë.

Nga 1 te 10, cila skuadër e Superiores është zhgënjimi i katër javëve të para?

Vetëm Luftëtari është zhgënjimi më i madh. Kjo nuk mund të kuptohet, se si u largua trajneri Hasan Lika që i dha suksesin, dhe morën një trajner të panjohur që i solli në këtë situatë. Drejtuesit e prishën skuadrën e sezonit të kaluar me një logjikë anti-futboll.

Çfarë mendoni se ka ndikuar te skuadrat në këtë katër javët e para të këtij Kampionati?

Unë mendoj se janë disa elementë, por më evidente janë temperaturat e larta në të cilat janë luajtur pjesa më e madhe e këtyre 20 ndeshjeve. Këto janë të pazakonshme për stinën, e duke shtuar këtu edhe përgatitjet që zhvillohen në të tilla kushte, ndikimi është evident.

Po performanca e arbitrave, si ka qenë në këtë nisje të Kategorisë Superiore 2018-2019?

Me sa kam ndjekur në këto katër javë, arbitrat kanë një fillim të mbarë në këto ndeshje të Superiores. Ka pasur gjëra shumë të vogla në gjykim, të cilat janë normale në një lojë futbolli, por si asnjëherë tjetër në këtë kategori, arbitrimet janë shumë normale në këto katër javë.

Po problematika e sigurisë në stadiume me stjuardët, mendoni se ka ndikuar në ecurinë e skuadrave në këto katër javë?

Nuk mendoj se performanca e stjuardëve të ketë ndikim te skuadrat. Por, për sigurinë në stadiume, unë jam për Policinë e Shtetit, jo për Policinë Private. Për deri sa kjo e fundit nuk të fut në burg, asnjë tifoz nuk do të frikë në stadium për të krijuar situata dhune në stadiume.

Java e 5-të nis sot me ndeshjen Partizani-Flamurtari, ju si e parashikoni këtë sfidë?

Edhe unë do ta quaja një sfidë, madje të një shkalle të lartë vështirësie, për vetë emrat që përfaqësojnë këto dy skuadra të mëdha. Nëse shikojmë statistikat mes tyre, Flamurtari i ka hapur probleme Partizanit. Nëse ky e fiton ndeshjen, do të jetë një hap pozitiv. Por unë nuk besoj te fitorja.

Po në ndeshjet e tjera të kësaj jave, mendoni se do të ketë ndonjë rezultat surprizë?

Surprizat nuk mund të parashikohen, por unë ndeshjet e tjera i lexoj teknikisht, dhe kam mendimin se të gjitha do të jenë të vështira. Madje edhe Luftëtari me Teutën do të jetë e tillë, ndaj them se në të katërta këto sfida të shpresojmë të prodhojnë lojë dhe rezultatet të pastra.

Ndeshjet-Java e pestë

Sot, 21 shtator 2018

Partizani-Flamurtari    19:45

Nesër, 22 shtator 2918

Luftëtari-Teuta            15:45

Skënderbeu-Tirana      18:45

Të dielën, 23 shtator 2018

Kastrioti-Laçi              15:45

Kukësi-Kamza                        18:45

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 4 10
  2. Kukësi 4 7
  3. Partizani 4 7
  4. Flamurtari 4 7
  5. Kamza 4 6
  6. Laçi 4 6
  7. Teuta 4 5
  8. Tirana 4 4
  9. Kastrioti 4 3
  10. Lufëtari 4 0