Specialisti i futbollit Armando Cungu analizon fazën e parë të Superiores, ja skuadrat që kanë zhgënjyer
Agron KAJA
“Diferencat e skuadrave janë të vogla, dhe niveli nuk është shumë i kënaqshëm. Unë konstatoj me këtë gjëndje se nuk është kampionat konkurrues, pasi dukshëm janë rritur skuadrat e vogla dhe kanë rënë të mëdhatë”

Një fazë kampionat në Abissnet Superiore u mbyll, si e përshkruani vijueshmërinë në 44 ndeshjet e luajtura?
Jo në pritshmëritë e duhura, sidomos te skuadrat e kryeqeytetit e Dinamo më shumë, ose zhgënjim në fazën e parë. Edhe Vllaznia nuk është ku duhet, ajo mbeti jashtë asaj çka kemi pritur. Ka bërë merkato, por nuk e kanë justifikuar deri tani.
Nga 1 te 10, skuadrat në tabelën e renditjes për fazën e parë, janë në pozicionin e merituar?
Mendoj se gjithkush ka marrë në renditje atë çfarë ka dhënë. Skuadrat janë me pikë shumë afër, por Egnatia në krye është me meritë, edhe pse e nisi keq kampionatin. Në fazën sulmuese bën diferencën me skuadrat e tjera. Tirana më çudit, Partizani ka stabilitet, por pa trajner tani nuk ka siguri..
Në tërësinë e ndeshjeve të luajtura në këtë fazë të parë, çfarë konstatoni nga një këndvështrimin teknik?
Duhet të luftojnë fort, sepse një vend në Europë, apo mbijetesa duan punë. Diferencat e skuadrave janë të vogla, dhe niveli nuk është shumë i kënaqshëm. Nuk është kampionat konkurrues, sepse janë rritur skuadrat e vogla, kanë rënë të mëdhatë
Gjashtë skuadra i kanë larguar trajnerët, kjo një shifër ndikon negativisht në nivelin e Superiores?
Kjo është një pyetje që bëhet shpesh në kampionatin shqiptar. Është e çuditshme me këto rekorde, që vetëm në futbollin shqiptar po ndodhin. Në futbollin botëror nuk i gjen këto raste, sepse këtu përzgjedhjet nuk janë të sigurta dhe trajnerëve nuk u besohet dhe nuk u jepet kohë.
Faza e dytë nis ditën e premte, si i përshkruani të pesta çiftet?
Do thoja se do jenë ndeshje ku sulmi do bëjë diferencën. Tashmë skuadrat e njohin njera-tjetrën në lojë dhe mendoj se duhet ti bëjnë llogaritë mbi bazën e përbërjeve të tyre, dhe kundërvënien ndaj kundërshtarit duhet ta kenë në taktikë e rritëm.
Më 28 tetor luhet një tjetër “Derbi” të kryeqytetit, Tirana-Dinamo City, si e parashikoni?
Varet se çfarë situate kanë sjellë ndryshimet e stafeve teknike te këto skuadra. Tiranën nuk e shoh në gjendje optimale, dhe po e mban varur punën me trajnerin. Kjo nuk u jep impuls lojtarëve, dhe nëse vazhdon, situata nuk do ti përmirësohet.
Cilën nga ndeshjet e javës së 10-të mund ta veçoni si kryendeshje?
Për mua nuk mendoj se do ketë ndonjë kryendeshje, sepse të gjitha skuadrat po tregojnë oshilacione nga ndeshja në ndeshje. Të gjitha duken për tu vlerësuar, pasi niveli është i barabartë mes skuadrave. Kualitetet do bëjnë diferencën këtë javë.
ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 10
Të premten 27 tetor 2023
Kukësi-Vllaznia 14:00
Erzeni-Laçi 17:00
(Luhet në “Arena e Demave”)
Të shtunën, 28 tetor 2023
Tirana-Dinamo 14:00
Teuta-Partizani 17:00
(Luhet në “Arena e Demave”)
Skënderbeu-Egnatia 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 9 19
2.Partizani 8 17
3.Laçi 9 13
4.Tirana 9 13
5.Vllaznia 9 12
6.Skënderbeu 9 12
7.Teuta 8 11
8.Erzeni 9 11
9.Kukësi 9 10
10.Dinamo City 9 7
Rritet shporta e gjobave dhe e dënimeve disiplinore
Të gjitha nivelet e kategoritë e futbollit shqiptar që luajtën në fundjavën e shkuar, përpos rezultateve nuk u kanë shpëtuar edhe ndëshkimeve të Komisionit të Displinës në FSHF. Kështu, ai ka gjobitur Tiranën, Kukësin dhe Erzenin me nga 100 mijë lekë gjobë, për shkak të sjelljes së gabuar të spektatorëve. Ndërsa Laçit i ka dhënë paralajmërimin, në mos marrjen e masave për zbatimin e rregullave të lojës, se do të jetë subjekt i masave të Kodit të Disiplinës dhe Etikës e Rregulloret e FSHF-së. Dënime kanë marrë edhe klube nga Kategoria e Parë dhe e Dytë.
Asnjë bankinë e huaj në Superiore, në start ishin tre

Gjatë fazës së parë në Abissnet Superiore, kishte edhe një të veçantë, e cila duket sikur është bërë pjesë e modelit të kësaj kategorie. Fjala është për trajnerët, të cilët këtë sezon duket se do shkojnë drejt një rekordi të ri. Dhe ky rekord bëhet i qëndrueshëm, teksa Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, konfirmon në bankinë Dritan Mehmetin. Por, me largimin e Di Biaxhos nga drejtimi i Dinamo City, në Abissnet Superiore nuk ka asnjë trajner të huaj. Më parë u largua Diego Longo nga Teuta, i cili u zëvendësua nga Edi Martini, ndërsa pas largimit të Zoran Zekiç nga Partizani, nuk ka ende një pasues. Superiorja në pritje të bankinave puro shqiptare.
TË FUNDIT NGA KOMBËTARJA
Nga qershori në tetor, ja si u rriten vlerat e kartonit

Duke iu referuar faqes së njohur “Transfermarkt”, dje në të shkruhej për lëvizjet në vlerat e kartonëve të futbollistëve tanë të Kombëtares, karahasuar nga muaji qershor në tetor 2023. Kështu, Ernest Muçi bëhet lojtari i tretë më i shtrenjtë në kampionatin polak pas paraqitjeve të fundit me klubin dhe ekipin kombëtar. Vlera e tij është dyfishuar, dhe në ndryshim nga muaji qershor ai tani vlen 5 milionë euro. Por rritje ka pasur edhe Arbnor Muja, të cilit kartoni i vlen 4 milionë euro, nga 2.5 në muajin qershor. Ndërsa sulmuesi Taulant Seferi ka rritje prej 1.5 milionë euro, mesfushori Ylber Ramadani nga 800 mijë euro, vlera i ka shkuar 1.8 mln, sulmuesit Mirlind Daku, nga 800 mijë euro, vlera i ka shkuar 1.5 milion euro.
Renditja e FIFA-s, Shqipëria ngjitet me tre vënde

Edhe FIFA duket se e ka vlerësuar Shqipërinë, kryesisht pas sukseseve që Kombëtarja jonë ka arritur në ndeshjet eliminatore për “Euro 2024”, kryesisht me fitoren ndaj Rep. Çeke dhe për ndeshjen miqësore me Bullgarinë. Këto kanë sjellë një ngjitje në renditjen që organizmi i futbollit botëror ka publikuar dje më 26 tetor 2023. Nga kjo renditje, Kombëtarja jonë ka fituar tre pozicione, nga vendi i 62-të është ngjitur në vëndin e 59-të. Ndërsa kundërshtarët dhe rivalët tanë të Grupit E për Europianin: Polonia renditet në vendin e 30-të, Rep. Çeke në vendin e 37-të, Moldavia në vendin e 159-të dhe Ishujt Faroe në vendin e 135-të. Në vendet e para kryeson Argjentina, e ndjekur nga Franca, Brazili, Anglia dhe Belgjika.





















