INTERVISTA/ Andrea Marko: Në vlerësim të Kupës së Shqipërisë, FSHF-ja të japë shpërblim për çdo kalim turi

588
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares, ja si e përshkruan situatën në futbollin shqiptar

Si e përshkruani situatën në futbollin shqiptar në tërësi, në këtë start të sezonit 2018-2019?

Mendoj se është një nisje me problematika të mbartura. Çdo sezon të ri mendojmë se do të ketë ndryshime pozitive, por realisht ky fillim ka treguar se në futboll jemi në një gjendje të rënduar. Shto këtu edhe luhatjet e Kombëtares, kjo situatë nuk tregon përmirësim nga sezoni kaluar.

Me qenë se e përmendët edhe Kombëtaren në këtë atmosferë, çfarë imazhi lanë dy ndeshjet e saj në Ligën e Kombeve?

Ky është një kompeticion i ri, por nuk ka asgjë ndryshe nga organizimet e tjera që bën FIFA apo UEFA në këtë rast. Të dyja ndeshjet nxorën në pah problemet e skuadrës dhe të stafit teknik, dhe unë mendoj se në këtë situatë është vështirë që të kualifikohet si e para në Grupin C1.

Në këtë fillimsezoni, mendoni se asgjë nuk është prezantuar ndryshe nga sezoni i kaluar?

Në Kategorinë Superiore, ndryshim është Flamurtari që është prezantuar me shumë seriozitet, dhe ndonjë nga skuadrat e vogla të ardhur rishtas në Superiore, apo të ndodhura aty nga sezoni i kaluar. Ka edhe një ndryshim, Tirana duket se është ende një vit larg Superiores.

Në dy javë ndërprerje të Kategorisë Superiore, ishte mundësia që klubet të organizonin punët për sigurinë në stadiume?

Nuk besoj se klubet e kishin lënë këtë punë në këto dy javë ndërprerje. Por këtu unë mendoj se ka një problem, pasi klubet nuk e duan sigurinë në stadiume me stjuardë, sepse nuk kanë dëshirë të paguajnë. Kjo është situatë e qëllimshme për konfrontim stjuardë-polici, ndaj duhet vlerësuar.

Përse është përdorur hapësira dyjavore pa ndeshje zyrtare në Kategorinë Superiore?

Kjo është një hapësirë shumë e shkurtër, e cila më shumë përdoret për rikuperime fizike të lojtarëve, krijon mundësinë e stërvitjes taktike të skuadrave, shoqëruar edhe me miqësore në mesin e saj. Shfrytëzimi sa më konkret i kësaj hapësire, jep efekte pozitive te skuadrat, nëse FSHF-ja do të planifikonte shpërblim për çdo kalim turi.

Këtë mesjavë u luajtën ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë, çfarë sollën rezultatet?

Unë nuk mendoj se kanë sjellë ndonjë gjë të re, sepse kanë fituar të gjitha skuadrat që mendohen favorite për kalimin e këtij turi. Në këto ndeshje është mundësia që skuadrat e Superiores të aktivizojnë të rinj, të ardhur nga merkato, e të bëjnë ndonjë lëvizje taktike.

Të shtunën startojnë ndeshjet e javës së 4-t të Kategorisë Superiore, si i shikon përballjet?

Të gjitha janë ndeshje të forta, dhe shkalla e vështirësisë nuk përjashton asnjë çift të kësaj jave. Referuar kalendarit, mendoj se faktori fushë do të ndikojë te skuadrat vendase, të cilat nuk kanë menduar të gabojnë. Emergjente mbetet fitorja e Tiranës këtë javë, ndryshe fillon kriza.

Ndeshjet-Java e katërt

Datë 15 shtator 2018

Kamza-Kastrioti          15:45

Teuta-Kukësi               18:45

Datë 16 shtator 2018

Laçi-Partizani              15:45

Tirana-Luftëtari           18:45

Datë 17 shtator 2018

Flamurtari-Skënderbe 19:45

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 3 7
  2. Flamurtari 3 7
  3. Partizani 3 6
  4. Laçi 3 5
  5. Teuta 3 5
  6. Kukësi 3 4
  7. Kamza 3 3
  8. Kastrioti 3 3
  9. Tirana 3 1
  10. Lufëtari 3 0