Intervista/ Agim Canaj: Skaneri europian “ngel” në klasë disa skuadra

43

Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Dinamos, Agim Canaj, Europa e Superiorja në fokus

Sigal

Agron Kaja

“Unë do të thoja se disa skuadra kanë ngelur në klasë në paraqitjen e tyre në Europë. Dy prej tyre nuk arritën të paktën të kalonin turin e parë, ndërsa dy të tjerat treguan diçka më shumë. Një tregues nën mesataren”

Skuadrat shqiptare në Europë u limituan, nga katër në një, çfarë shpreh ky tregues për futbollin shqiptar?

Nëse themi se po i bëjmë një skaner ndeshjeve të skuadrave tona, që luajtën në Europë, unë do të thoja se disa skuadra kanë ngelur në klasë. Pse? Sepse dy prej tyre nuk arritën të paktën të kalonin turin e parë. Një tregues nën mesataren.

Tirana u sfidua nga Beshiktashi, si u prezantua skuadra bardheblu në katër ndeshjet që luajti në Europë?

Mendoj se ishte një ndeshje dinjiteti për Tiranën, ku do përjashtoja ato momentet e dhunës nga tifozeria si të panevojshme. Nuk kishte fat, edhe pse luajti mirë në dy ndeshjet e para me Dinamo Batumin. Në sfidën e parë me Beshiktashin tregoi dobësi në fazën përmbyllëse në mbrojtje, në Tiranë dukej e “fikur” për golin.

Egnatia e Vllaznia e patën vetëm 180 minuta udhëtimin e tyre në Europë, pse ndodhi kështu sipas jush?

Egnatia hyri pa përvojën e duhur në këto ndeshje, dhe si fillim mendoj se mirë. Ndërsa Vllaznia u penalizua nga humbja në takimin e parë dhe e kishte të vështirë përmbysjen. Edhe prezantimi i tyre ishte nën mesataren e mundshme.

Partizani do të luajë në turin e tretë të Konferencë Ligë me Valmeria të Letonisë, si i parashikoni këto 90 minuta të para?

Që do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë për Partizanin, këtë e mbështes nga ecuria positive e skuadrës së Valmerias në dy turet e para. Në sfidën e parë në Letoni, Partizani duhet të shënojë dhe ta mbajë ndeshjen në ekuilibër, kështu edhe në rezultat.

Ndërkohë, Abissnet Superiore fillon pas dy javësh, si e prisni startin më 19 gusht?

Kam ndjekur mediatikisht përgatitjet që kanë bërë skuadrat gjatë fazës përgatitore, ndërkohë që prapa me këto përgatitje duket Erzeni. Mendoj e besoj se do të jetë një start ku skuadrat veç rezultatit do të kërkojnë edhe harmonizimin e tyre ekipor.

Si ish-lojtar Dinamos, çfarë do t’i sugjeronit skuadrës për këtë sezon të ri?

Këtë sezon Dinamo po tregon se ka një menaxhim e drejtim shumë profesionist: klas do të thoja, por do thoja se duhet që gjithçka të mirë në këtë menaxhim ta përshtasë me nivelin e nëntë kundërshtarëve të tjerë të Superiores. Do jetë pretendente e padiskutueshme.

“Final 4” një shtesë në kalendarin e sezonit për Abissnet Superioren 2023-2024, sa vlerë do ketë kjo nisur nga përmbajtja e saj?

Ky është një eksperiment, që do të donte më shumë kohë të implementohej. Sepse skuadrat nuk janë të përgatitura për atë skemë që pikët t’u zerohen në “Final 4”. Jam pak skeptik, por gjithsesi ndoshta duhet guxuar për ta aplikuar.

KONFERENCË LIGË

SEZONI 2023-2024

Skuadrat në Shqipëri

TURI PARË ELIMINATOR

Tirana-Dinamo Batumi   1-1

Dinamo Batumi-Tirana   1-2

Tirana kualifikohet

Ararat (Arm)-Egnatia     1-1

Egnatia-Ararat (Arm)     4-4

Egnatia eliminohet me penallti

Linfield (Nir)-Vllaznia    3-1

Vllaznia-Linfield            1-0

Vllaznia eliminohet

TURI DYTË ELIMINATOR

Datë 25 korrik 2023

Atletik Esklade-Partizani 0-1

Datë 1 gusht 2023

Partizani-Atletik Esklade 4-1

Kualifikohet Partizani

Datë 27 korrik 2023

Beshiktash-Tirana          3-1

Datë 3 gusht 2023

Tirana-Beshiktash

Tirana eliminohet

TURI TRETË ELIMINATOR

Datë 10 gusht 2023

Valmeira (Lat)-Partizani 19:00

Dhuna gjatë e pas ndeshjes, tifozeritë përgjakin Tiranën

Dita e enjte ka qenë ndër të rrallat për futbollin shqiptar në Europë, ku tifozeritë e skuadrave udhëtuese kanë qenë të dhunshme edhe ndaj tifozerisë shqiptare. Kjo ka ndodhur gjatë dhe pas ndeshjes Tirana-Beshiktash 0-2, ku fillimisht fundi i ndeshjes u shoqërua me dhunë dhe kaos. Tifozët e dy ekipeve u përplasën ndërmjet tyre më pas edhe në rrugët e kryeqytetit, dhe për këto trazira, dje Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 14 shtetas, 10 nga Turqia e 4 shqiptarë. Ndërkohë që për ta është bërë kallzim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.

ABISSNET SUPERIORE

Miqësore luksi, Egnatia e Partizani “peshkojnë” italianë

Egnatia e Partizani do të luajnë ndeshje miqësore me skuadrat e Serie A të Italisë. Kështu, Egnatia do të luajë ndaj Interit në datën 13 gusht në stadiumin “Paolo Mazza” të Ferraras, në orën 20:00, dhe për këtë takim klubi rrogozhinas ka planifikuar edhe axhendën. Ndërkohë, Partizani do të presë Romën në datën 12 gusht në stadiumin “Air Albania”. Për këtë takim, janë publikuar edhe çmimet e biletave, ku tifozët mund të blejnë me çmimet 5 mijë, deri në 400 lekë.

Borxh 40 mijë euro Ngosë, FIFA bllokon Tiranën

Në ditën e ndeshjes Tirana-Beshiktashi, Komisioni i Disiplinës në FIFA ka marrë vendimin për bllokimin e merkatos bardheblu. Kështu, Institucioni i Futbollit Botëror i heq mundësinë e regjistrimit të lojtarëve të rinj nga brenda dhe jashtë vendit, deri në përmbushjen e detyrimit financiar prej 40 mijë euro ndaj ish-sulmuesit anglez, Majkëll Ngo. Në datën 3 gusht FIFA ka dërguar dokumentin zyrtar në FSHF, duke e vënë në pikpyetje merkaton e Tiranës në vazhdimësi.