Ilir Shulku: “Grupi, pika më e fortë e Shqipërisë”

500
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: “Tani të mendojmë për ndeshjet me Slloveninë dhe Islandën”

Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, e vlerësoi si tepër pozitive paraqitjen e Kombëtares sonë ndaj Norvegjisë, pavarësisht se ndeshja për eliminatoret e Botërorit 2014 u mbyll në barazim 1-1, me një gol të pësuar në minutën e 87-të. “Kur kanë kaluar disa ditë nga përfundimi i ndeshjes me Norvegjinë dhe emocionet janë më të ftohta, e gjykoj barazimin si një rezultat pozitiv, kur kam parasysh edhe emrin e Norvegjisë. Ne ia dolëm t’i merrnim Norvegjisë katër pikë, dhe kjo nuk është pak. Jemi në vendin e dytë, me një pikë më shumë se vendi i tretë, që mbahet nga Islanda dhe tani çdo gjë varet nga ecuria jonë”, – tha Shulku për gazetën “Telegraf”. Sekretari i FSHF-së tha se, pika e fortë në këto eliminatore ka qenë forca e grupit. “Nuk kemi pasur individë që, e kanë zgjidhur ndeshjen të vetëm. Sigurisht, që lojtarë të ndryshëm kanë zgjidhur situata të ndryshme, si në mbrojtje apo në sulm, por forca e grupit është ajo që spikat në këto gjashtë ndeshje. Kompaktësia e ekipit ishte dhe arma më e fortë e kësaj Kombëtareje”, – theksoi ai duke vlerësuar edhe punën e trajnerit De Biazi. Ilir Shulku ka qenë një mbrojtës i dalluar i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare (40 ndeshje, 1 gol), duke fituar titullin kampion në sezonin 1992-1993 si dhe Kupën e Shqipërisë, po atë edicion.

– Zoti Shulku, Kombëtarja barazoi 1-1 me Norvegjinë, çka i konfirmoi edhe vendin e dytë në grup pas gjashtë ndeshjeve. Cili është vlerësimi juaj?

– Tashmë, kur kanë kaluar disa ditë nga përfundimi i ndeshjes me Norvegjinë dhe emocionet janë më të ftohta, e gjykoj barazimin si një rezultat pozitiv, kur kam parasysh edhe emrin e Norvegjisë. E kisha deklaruar edhe më parë se, ne nuk duhet ta humbitnim ndeshjes dhe kjo u arrit, duke marrë parasysh edhe mungesat e disa titullarëve të rëndësishëm, përfshirë kapitenin Lorik Cana. Tani ndodhemi në një vend komod dhe nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, atëherë edhe unë do të vazhdoj me shprehjen që është shndërruar në një simbolikë të ekipit Kombëtar: “Edhe unë besoj”, se ne mund të shkojmë në finalet e Botërorit.

– Ndeshja shfaqi edhe anën tjetër të medaljes, pra atë të publikut. Një “Qemal Stafa” tërësisht i shitur…

– Pa dyshim që, kjo ishte një tjetër kënaqësi, dhe për këtë duhet falënderuar i gjithë publiku i pranishëm, tifogrupet e ndryshme, por dhe ata që kontribuuan me atë dekor të mrekullueshëm. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin tjetër se, ndeshja u ndoq nga miliona shikues përmes televizionit. Më vjen mirë që ia shpërblyem atyre, pavarësisht se dëshironim ta mbyllnim me fitore takimin. Gjithsesi, ne ia dolëm t’i merrnim Norvegjisë katër pikë, dhe kjo nuk është pak.

– Ndeshje e ardhshme e Kombëtares është ajo kundër Sllovenisë, ndaj së cilës ne fituam 1-0 në Tiranë. Çfarë skenari mund të presim në Slloveni?

– Së pari, dua të them se tani çdo gjë varet nga këmbët tona, nëse mund të shprehem kështu, pasi jemi ne favoritët për vendin e dytë në grup, pozicion edhe ku ndodhemi aktualisht. Sigurisht që, pres një ndeshje shumë të vështirë. E rëndësishme është që, të mos humbasim si në Slloveni, ashtu dhe ndeshjen tjetër në Islandë. Nëse do të dilnim me rezultate pozitive, do të ishte diçka shumë e mirë, pasi më pas do të luajmë me Zvicrën në Tiranë dhe Qipron në transfertë.

– Sipas jush, cilat janë pikat e forta të Kombëtares sonë?

– Pika e fortë në këto eliminatore ka qenë forca e grupit. Nuk kemi pasur individë që, e kanë zgjidhur ndeshjen të vetëm. Sigurisht, që lojtarë të ndryshëm kanë zgjidhur situata të ndryshme, si në mbrojtje apo në sulm, por forca e grupit është ajo që spikat në këto gjashtë ndeshje. Kompaktësia e ekipit ishte dhe arma më e fortë e kësaj Kombëtareje.

– Vendi i 38-të në renditjen e FIFA-s, çka është dhe një rekord për ekipin tonë. Si do ta komentoni?

– Shqipëria ka tashmë një ekip të konsoliduar dhe me një bazë të madhe lojtarësh. Kemi pasur një ecuri shumë të mirë në këto eliminatore (3 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje), dhe kjo reflektoi dhe në rënditjen e FIFA-s, ku ne ndodhemi në vendin e 38-të, pozicioni më i mirë historik i arritur në nivel botëror ku marrin pjesë më shumë se 200 ekipe kombëtare.

– Kombëtarja e Femrave merr pjesë për herë të parë në eliminatoret e një Botërori. Si i shihni shanset e saj?

– Kombëtarja e Femrave ia doli me sukses të kalonte grupin paraeliminator që u zhvillua në Maltë, ku ishin edhe Luksemburgu dhe Letoninë, ndërkohë që tani ka rënë në një grup shumë të vështirë me Norvegjinë (ish-kampione e Botës), Holandën, Belgjikë, Portugalinë dhe Greqinë. Futbolli i femrave ka shumë pak vite që ka filluar në Shqipëri, teksa dua të përgëzoj trajnerin Altin Rraklli, i cili ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka ngritur një ekip cilësor, që luajnë dhe jashtë. Kualifikimi është një gjë shumë domethënëse për futbollin e femrave në Shqipëri.

 

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Ekipi                                       N                             P

1. Zvicra                                6                              14

2. Shqipëria        6                              10

3. Islanda                             6                              9

4. Norvegjia        6                              8

5. Sllovenia         6                              6

6. Qipro                                6                              4

NDESHJET E ARDHSHME

06.09.2013

Zvicër-Islandë

Norvegji-Qipro

Slloveni-Shqipëri

10.09.2013

Islandë-Shqipëri

Norvegji-Zvicër

Qipro-Slloveni

11.10.2013

Slloveni-Norvegji

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

15.10.2013

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicra-Slloveni

DE BIAZI: “JAM KRENAR PËR JU”

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, e ka bërë zakon që të komunikojë përmes faqes së tij në rrjetin social më të ndjekur në botë, “Facebook”, për të dhënë mesazhe, opinione, apo ndarë informacione të ndryshme. “Jam rikthyer në shtëpi dhe po shoh profilin tim në ‘Facebook’ pas disa ditësh që nuk e bëja. Dua të falënderoj menaxherët e mi që kanë mbajtur të azhurnuar profilin tim. I falënderoj të gjithë ata që më kanë lavdëruar dhe kritikuar në mënyrë konstruktive. A e dini… Unë jam krenar për skuadrën tonë. Por rritemi dhe kemi fituar 4 pikë kundër Norvegjisë, kemi fituar simpatinë e shumë njerëzve në Shqipëri dhe zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit me të cilët por punojmë së bashku, po mendojmë së bashku si një skuadër e vërtetë. Një përqafim për të gjithë. GDB”.

TRI RISITË E KAMPIONATIT KOMBËTAR

Sezoni 2012-2013 i Kategorisë Superiore, i fituar nga Skënderbeu (titulli i tretë rresht i korçarëve), pati disa të veçanta, përfshirë edhe rënien e katër skuadrave njëherësh (rënien pas 19 vjetësh të Shkumbinit), por dhe fituesin e ri të Kupës. “Ishte një kampionat me shumë rivalitet dhe me disa surpriza të bukura, – tha Shulku. – Dua të veçoj Skënderbeun, si kampion i vendit, por dhe paraqitjen befasuese të Kukësit, në debutimin e tij. Kuksianët dolën nënkampionë dhe merituan një vend në Ligën e Europës. Një tjetër risi është fitimi i Kupës së Shqipërisë nga ana e Laçit. Ndërkohë që, ajo që bie në sy jo për mirë është mospjesëmarrja në Europë e Tiranës, Flamurtarit dhe Vllaznisë, ekipe me traditë në kupat e Europës, apo në vendet e larta të klasifikimit”. Kampionati i 75-të Kombëtar, ai i sezonit 2013-2014, do të jetë me 12 skuadra dhe të ngjitura nga Kategoria e Parë do të jenë Lushnja (si kampione) dhe Partizani, me këtë të fundit, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, ka qenë kapiten si lojtar dhe ka fituar tituj kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Nga Superliga në sezonin e ri do të bien katër skuadra, pasi në edicionin 2004-2015 do të jenë dhjetë ekipe.

 “NË EUROPË DUHET DHE FATI”

Ekipet shqiptare nuk kanë arritur të bëjnë një figurë të mirë në paraqitjet e tyre në Europë, gjatë viteve të fundit. Sekretari Shulku tha: “Në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës është dhe çështje fati, pasi kjo varet shumë dhe se çfarë ekipesh bien në Europë. Nëse Skënderbeut, që është edhe ekipi ynë më i mirë, do t’i bjerë një skuadër e nivelit të tij, atëherë dhe mund të kualifikohet”. Sezonin e kaluar, Skënderbeu u eliminua nga hungarezët e Debrecenit në Ligën e Kampioneve. Në turin e parë eliminator të Ligës së Europës, Tirana eliminoi luksemburgasit e Grevemakerit, por në dytin u turpërua nga norvegjezët e Alesundit. Po, në Ligën e Europës, Teuta u eliminua me rezultatin e thellë 0-9 me gjeorgjianët e Metalugi Rustavit, ndërsa Flamurtari nga Honvedi i Budapestit. Në total, skuadrat tona ne 10 ndeshje, fituan 2 ndeshje, barazuan 2 dhe humbën 6. Në fakt, vetëm 7 ekipe nga 14 pjesëmarrëse në kompeticionet europiane kanë mundur ta kalojnë të paktën 1 herë turin e parë: Tirana (11 herë), Vllaznia (7), Dinamo (3), Partizani (3), Besa (3), Flamurtari (2), Teuta (1). Kulmin e ka arritur Flamurtari në edicionin 1987-1988, kur arriti të kalonte në turin e tretë të Kupës UEFA. Skënderbeu, Kukësi, Teuta dhe Laçi kanë nisur përgatitjet për të përballuar dy kompeticionet europiane, Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës. Shorti do të hidhet, më 24 qershor, ndërkohë që ekipet që do të marrin pjesë në Ligën e Europës, do t’i zhvillojnë ndeshjen e parë më datë 4 korrik, ndërsa ajo e kthimit do të jetë një javë më pas. Skënderbeu, që merr pjesë në Ligën e Kampioneve do të luajë më 16 ose 17 korrik, ndërkohë që dueli i kthimit do luhet më 23 ose 24 korrik. Skënderbeu do të zhvillojë për disa ditë stërvitjet në Durrës, ndërsa më pas do të zhvendoset në Austri, ndërkohë që Kukësi, pas përgatitjeve në Tiranë do t’i vijojë ato në Ohër të Maqedonisë. Teuta do ta zhvillojë fazën e saj përgatitore në Bullgari, ashtu siç dhe bëri vitin e kaluar.