Shpresat shkatërrohen në Bosnjë

540
Sigal

Kombëtarja U-21 pësoi një humbje të thellë 4-1. Skuadra e Gegës nuk ka marrë asnjë pikë në dy ndeshje

Dy ndeshje, dy humbje për eliminatoret e Kampionatit Europian 2015 për moshat U-21. 2-1 në Durrës me Hungarinë, 4-1 në Zenica me Bosnjën. Shqipëria U-21 e drejtuar nga Skënder Gega e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme këtë fushatë kualifikuese, duke mos marrë asnjë pikë nga dy ballafaqimet e para, ndërkohë që ka treguar se ka një grup lojtarësh të papërgatitur për ta përballuar këto eliminatore të grupit 4, ku bëjnë pjesë edhe Spanja me Austrinë. Në stadiumin “Boline Polje” ka qenë një dialog i gjatë i sulmit boshnjak ndaj portës sonë të mbrojtur nga Orestis Menka. Goli i parë i Bosnjës së drejtuar nga Vlado Jagodiç mban firmën e Jasmin Mesanoviçit, i cili shënoi në minutën e 17-të, duke kurorëzuar kështu presionin e vazhdueshëm të ekipit të tij në gjysmëfushën tonë. Kombëtarja jonë bëri një rivenie në lojë me anë të Ditës, por e humbi topin në në hyrje të mesfushës boshnjake, kundërshtarët lëshuan një top të gjatë në drejtim të Mesanoviçit, ky i fundit fitoi një duel shpejtësie me Qaqin, dhe me një goditje te fuqishme me të majtën mposhti Menken. Pas 12 minutash, pas një sulmi të gjatë dhe kombinimesh të shumta të boshnjakëve, mbrojtja jonë spastroi zonën me anë të Valentin Gjokajt, por topi mbërriti te Aldin Cajic, ky i fundit me një goditje të fuqishme nga rreth 25 metra dyfishoi shifrat në të 29’ me një gol për t’u pasur vërtet zili. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1, pasi në minutën e 45’+1, mesfushori Fabio Hoxha shkurtoi diferencën, duke shënuar një gol të bukur me kokë brenda zonës, i cili ishte njëherësh edhe golin e vetëm të Shqipërisë në atë takim. Hoxha ishte dhe autori i penalltisë së fituar ndaj Hungarisë, të shndërruar në gol nga Gjelbërim Taipi. Trajneri Gega bëri dy zëvendësime me fillimin e pjesë së dytë, duke parë edhe ngadalësinë në fazën ofensive, por dhe pasigurinë në repartin e mbrojtjes: Prençi u fut në vend të Qaqit, ndërsa Vogli në vend të Ditës. Boshnjakët, të cilët kanë ndërtuar një ekip moshash ndër më cilësorët në Europë, e vazhduan dominimin edhe në pjesën e dytë, duke shënuar golin e tretë në minutën e 67-të me anë të një goditje me kokë brenda zonës së vogël nga ana Mesanoviçit, i pambuluar, edhe pse ishin tre lojtarë shiptarë në atë zonë. Zëvendësuesi Duljeviç realizoi golin e katërt në minutën e 91-të, pas një topi të marrë nga thellësia. Duljeviç fitoi duelin e gjatë me Deliallisin, për të fiksuar shifrat 4-1 dhe humbjen e dytë të Shqipërisë, që renditen e fundit në grupin 4. Pak volum loje i Shpresave tona, që e goditën katër herë portën, por që gjithsesi u përpoqën me Hoxhën, Nezirajn, Matoshin, Taipin dhe Bathën.

KOMBËTARJA U-16

Turne miqësor ndërkombëtar

Shqipëria do të mirëpresë një turne miqësor ndërkombëtar futbolli, që do të zhvillohet nga data 15 deri më 22 qershor. Bëhet fjalë për ekipin Kombëtar U-16, të drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç. Në turneun e Durrësit do të marrin pjesë Shqipëria, Lihtenshtejni, Luksemburgu, San Marino dhe anëtari    më i ri i UEFA-s, Gjibraltari. Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Niko Dovana” dhe në fushën e resortit “Tropikal”. “Është një aktivitet interesant i organizuar nga UEFA dhe Federata Shqiptare”, – tha Shulku. “Trajneri Mustedanagiç ka mundësinë më të mirë për të testuar gjendjen e disa lojtarëve, që priten të jenë pjesë e Kombëtares U-17, e cila do të marrë pjesë më pas në eliminatoret e Europianit, ku Shqipëria ra në një grup me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Finlandën. Këto ndeshje do të zhvillohen në Shqipëri”, – tha Shulku.

PROGRAMI

16.06.2013, 17:00

Shqipëri-San Marino

Lihtenshtejn-Luksemburg

Gjibraltari pushim

17.06.2013, 17:00

Luksemburg-Gjibraltar

Lihtenshtejn-San Marino

Shqipëria pushim

19.06.2013, 17:00

Shqipëri-Lihtenshtejn

Gjibraltar-San Marino

Luksemburgu pushim

20.06.2013, 17:00

Shqipëri-Luksemburg

Gjibraltar-Lihtenshtejn

San Marino pushim

21.06.2013, 17:00

Shqipëri-Gjibraltar

Luksemburg-San Marino

Lihtenshtejni pushim

PENDOHET ELVIS KABASHI: “MOS MË QUANI TRADHTAR, VIJ NË KOMBËTARE”

Pnedohet Elvis Kabashi, mesfushori i Juventusit dhe kampioni Italisë për moshat U-19. Pas refuzimit publik që i bëri Kombëtares U-21 në muajin mars të këtij viti, ai tani kërkon të veshë fanellën e Përfaqësueses. Ndeshja e madhe e Shqipërisë ndaj Norvegjisë dhe atmosfera madhështore e krijuar në “Qemal Stafa” e ka mbushur me emocione dhe i ka ndryshuar mendjen. Kabashi ka ndjerë pendesë dhe atë e ka shprehur në faqen e tij në “Facebook”, duke shkruar se ka bërë gabim. “Tani kuptoj pse më keni quajtur tradhtar”, shkruan Kabashi. Edhe unë, si çdo shqiptar, e ndjek, e shoh dhe e adhuroj kombëtaren shqiptare. Të gjithë mund të gabojnë dhe gabimi im më i madh ishte ajo letër drejtuar FSHF-së”. Më tej, 19-vjeçari tregon edhe ndjenjat që provoi në ndeshjen me Norvegjinë, të cilat janë edhe arsyeja që e shtynë të ndryshonte mendje. “Jam përlotur para ndeshjes me Norvegjinë, kam qarë nga fjalët e komentatorit, jam drithëruar nga ajo tifozeri e mrekullueshme dhe atë ditë kam marr një vendim shumë të rëndësishëm. Kam vendosur të rikthehem në kombëtaren shqiptare dhe ju lutem më bëni një vend aty pranë jush e më mbështesni, ashtu si kombëtaren. Mos më quani më tradhtar, sepse më vret shumë ajo fjalë”, – thuhet në mesazhin e tij të publikuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Në muajin mars refuzoi thirrjen nga kombëtarja U-21 dhe më pas iu drejtua me një letër FSHF-së, ku kërkonte të mos thirrej më, pasi shpresonte të luante me Italinë, vendi me të cilin ndihej më tepër i lidhur, sipas vetë fjalëve të tij. Por, pasi ka parë spektaklin kuqezi të tifozëve, dashurinë dhe pasionin e madh që rrethonte kombëtaren Tani mbetet për t’u parë nëse Kabashi do të bëjë të njëjtën kërkesë në FSHF dhe nëse kjo e fundit do të pranojë kthimin e tij.

AZDREN LLULLAKU, PRANË LACIOS

Sulmuesi më i ri i Kombëtares shqiptare, Azdren Llullaku ( u grumbullua nga Xhani De Biazi kundër Norvegjisë) është shumë pranë kalimit te Lacio. Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, i cili përgënjeshtroi interesimin për mbrojtësin Mërgim Mavraj por ka hapur një dritare të re për një tjetër kuqezi. Ai është 25-vjeçari, Azdren Llullaku, i cili u grumbullua për herë të parë nga trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi për ndeshjen kundër Norvegjisë. Sulmuesi nga Kosova, që aktualisht luan për klubin rumun të Gaz Metan, nuk është vetëm në lupën e Lacios sepse sinjale për të ka dërguar edhe skuadra Kievo.

Lajmin e bëjnë të ditur media të ndryshme italiane, duke theksuar se diçka më shumë rreth kontakteve me lojtarin kuqezi, do të mësohet gjatë ditëve të ardhshme. Por me lëvizjet e fundit Tare duket sikur kërkon ta “shqiptarizojë” Lacion. Kujtojmë që më parë ish sulmuesi i Kombëtares kuqezi ka treguar interes për sulmuesin e Tiranës Mario Morina, për shqiptarin e Empolit Elseid Hysaj dhe për shqiptarin e Zvicrës Granit Xhaka. Shto këtu edhe dy shqiptarët aktualë të Lacios: Lorik Cana dhe Thoma Strakosha. Tare, gjatë një interviste për radion e klubit të Lacios, tha se ishin planifikuar 4-5 blerje. Në një intervistë për “lalaziosiamonoi.it” ish sulmuesi i Kombëtares Shqiptare Igli Tare ka deklaruar se drejtimin e Kombëtares një ditë,  është ëndrra në sirtar për të. “Dua të jem i ndershëm dhe ta pranoj se kam dëshirë të trajnoj në të ardhmen. Ëndrra ime dhe e shumë bashkëpatriotëve të mi është që një ditë të drejtojmë kombëtaren tonë, sepse është krenaria jonë. Nëse një ditë do të më jepet shansi që ta drejtoj Përfaqësuesen, atëherë do ta bëj këtë me shumë dëshirë, sepse është atdheu ynë dhe unë për të do të jepja edhe jetën”, – është shprehur ish-sulmuesi i përfaqësueses shqiptare. Prej afro pesë vitesh Tare ushtron detyrën e drejtorit sportiv te Lacio, duke pasur meritën e të ndërtuarit një skuadër kompetitive. Tare ka luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e Canës, Strakoshës dhe Bilalit te Lacio.

TIRANA DHE SKËNDERBEUN PËRPLASEN PËR MORINËN

Sulmuesi i ri i talentuar tiranas, Mario Morina (24 ndeshje, 6 gola sezonin e kaluar me Tiranën), është shndërruar në një çështje të nxehtë midis klubit bardheblu dhe kampionëve të Shqipërisë, Skënderbeut. Në fakt, para dy ditësh, 20-vjeçari është bashkuar në stërvitje me ekipin korçar. Klubi kryeqytetas reagoi menjëherë me një deklaratë për shtyp, duke i kujtuar lojtarit, por mbi të gjitha Skënderbeut, që po gabojnë rëndë dhe se për këtë sjellje aspak profesioniste, Tirana do të marrë masa disiplinore ndaj futbollistit të cilin e ka nën kontratë.

“Lojtari ynë (Morina), i cili realisht ka shumë pak vite në futbollin profesionist dhe që nuk ka një manaxher të FIFA-s, ka gabuar rëndë me këtë veprim dhe në bazë të marrëveshjes dypalëshe, KLUBI ynë do të ndërmarrë masat e duhura për këtë thyerje disiplinore nga ana e lojtarit. Nuk mungojnë akuzat e klubit kryeqytetas ndaj Skënderbeut për thyerje të rregullave të lojës, që në rastin e Morinës ka treguar mungesë respekti jo vetëm ndaj Tiranës por ndaj të gjitha klubeve të superiores”, – thuhej në deklaratën e 24 hetrë kampionëve. “Është për të ardhur keq që ekipi kampion i Shqipërisë, Skënderbeu, që do të na përfaqësojë në Ligën e Kampioneve nuk zbaton rregullin më elementar, për faktin e thjeshtë se lojtari MORINA ka një kontratë me K.F “Tirana” deri në vitin 2014. Ne mendojmë që kjo është një mungesë e theksuar respekti ndaj të gjithë klubeve shqiptare dhe në veçanti ndaj Tironës. Shpresojmë të jetë lapsus i ndonjë përfaqësuesi apo titullari zyrtar të ekipit të Skënderbeut. Mundet që gjithmonë mund të gabojë një individ-lojtar, por kurrsesi një institucion-klub”. Në fakt, përveç Mario Morinës, Skënderbeu po kërkon më ngulm një tjetër pikë të fortë të Tiranës të paktën për ndeshjet e Ligës së Kampioneve, pikërisht mesfushorin shkodran Gilman Likën.

TEUTA, PËRGATITORJA NË BULLGARI

Teuta vijon prej disa ditësh stërvitjen me ngarkesë të lartë fizike për t’u përgatitur maksimalisht për aventurën europiane. Djemtë e Detit të Enjten në mëngjes do të nisen drejt Bullgarisë për fazën përgatitore, ku do të qëndrojnë deri më 27 qershor.

Grupi që mbylli sezonin, me ndonjë përforcim cilësor, sipas Rizvanit garanton sukses edhe për sezonin e ardhshëm.

Në seancën e fundit që u zhvillua në aneksin e “Niko Dovanës” munguan disa nga titullarët e Teutës, por zëvendëstrajneri Sedat Pajaziti siguroi se para nisjes për në Bullgari, grupi do të jetë i plotë. Shorti i Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës, kompeticione ku marrin pjesë katër skuadra shqiptare, Skënderbeu, Kukësi, Teuta dhe Laçi, do të hidhet më 24 Qershor, në Nion të Zvicrës.