Hulian Rubio hedh firmën, edhe dy vjet bardheblu

561
Sigal

Trajneri spanjoll do të drejtojë rekordmenët deri në vitin 2014

 Trajneri Hulian Rubio do të drejtojë edhe dy vjet Tiranën, edhe pse bardheblutë u eliminuan në turin e dytë të Ligës së Europës,  nga norvegjezët e Alesundit. Spanjolli, i cili fitoi Kupën dhe Supërkupën e Shqipërisë gjatë sezonit 2011-2012 (të dyja ndaj Skëndebeut), firmosi kontratën e re me administratorin Salih Tagani, ku i pranishëm ishte dhe drejtori teknik Alban Tafaj

Sipas burimeve pranë klubit mësohet se, Rubio ka kërkuar rinovimin me futbollistët të cilëve i ka skaduar kontrata. Spanjolli i cili ka pranuar ta drejtojë Tiranën dy vitet e ardhshme, kërkon që të ketë në dispozicion lojtarë me kontratë të paktën 2-vjeçare me klubin, që do të thotë se edhe ata që do të firmosin së fundmi do të jenë të lidhur me Tiranën deri më 2014. Arjan Pisha, Elvis Sina, Rezart Dabulla, Renato Kalari dhe Julian Ahmataj që pas ndeshjes së dytë me Alesundin janë lojtarë të lirë, ndërkohë që në bisedime me drejtuesit e Tiranës janë Sabien Lilaj apo Gjergji Muzaka, ky i fundit pjesë e Kombëtares. Në fakt, pas zhvillimeve të fundit në kampin korçar, mund të ketë një eksod të futbollistëve kryesorë drejt kryeqytetit, si Allmuca, Fagu etj, për të cilët ambienti bardheblu nuk është i panjohur. Ndërkaq Rubio ka kërkuar që të zgjidhet edhe çështja e rinovimit të Gilman Likës, kontrata e të cilit me Tiranën përfundon në dhjetor. Spanjolli kërkon që ta jetë shkodranin nën urdhrat e tij deri në janar të 2014, në të kundërt, mesfushori i kombëtares duhet të gjejë skuadër që tani dhe të derdhë në arkat e klubit një shumë të caktuar për kartonin. Sa i përket çështjes së mesfushorit Klodian Duro, Hulian Rubio mësohet se ka vënë veton kundër ish-lojtarit të Kombëtares.

“LONDËR 2012”

 Briken Calja, i nënti, dështon Godelli!

 Peshëngritësi Briken Calja regjistroi rezultatin më të mirë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, duke u renditur i 9-ti nga 24 sportistë në peshën deri 69 kg. 22-vjeçari Calja, ndryshe nga Daniel Godelli, po në peshën 69 kg, që dështoi plotësisht duke mos realizuar asnjë provë, ngriti në shkëputje 143 kg, ndërsa në shtytje 177 kg dhe në dygarësh 320 kg. Brikeni ngriti në provën e parë në shkëputje, 143 kg, ndërkohë që nuk rezultoi i suksesshëm në dy provat e tjera kur në shtangë ishin vendosur 146 kg. Perfomanca e tij në stili e shtytjes ishte perfekte, duke i ngritur më sukses të tri provat: 173 kg, 174 kg dhe në të tretën 177 kg. Nëse Romela Begaj u rendit e 11-ta në “Londër 2012”, në peshën 58 kg, peshëngritësi Daniel Godelli dështoi plotësisht në peshën 69 kg, duke mos u klasifikuar fare në dygarësh. Godelli nuk ngriti asnjë nga tre provat në shkëputje, duke dështuar të ngrejë në provën e parë 142 kg dhe 145 kg në të dytën dhe të tretën. Peshëngritësi tjetër, Briken Calja ngriti 143 kg në shkëputje, duke realizuar vetëm provën e parë, ndërsa dështoi në të dytën dhe të tretën kur në shtangë kishte 146 kg. Kampion olimpik në peshë 69 kg doli kinezi Lin Qinfeng, që ngriti në dygarësh 344 kg: 157 në shkëputje dhe 187 kg në shtytje. Vendi më i mirë i Shqipërisë në Lojërat Olimpike vazhdon të mbetet ai peshëngritësit Ilir Suli, që zuri vendin e 5-të në Lojërat Olmpike “Sidnej 2000”, të zhvilluar në Australi. Për femra, vendin më të mirë e ka zënë peshëngritësja Romela Begaj, vendi i gjashtë në “Pekin 2008”.

 Sidni Hoxha, i 37-ti, por thyen rekordin kombëtar

 Sidni Hoxha fitoi baterinë e tij (3) eliminatore në 100 metra stil i lirë në not, në “Londër 2012”, duke vendosur rekord kombëtar me kohën 51”11, por duke arritur të dalë vetëm i 37-ti mes 60 konkurruesve. Hoxha konkurroi në baterinë e tretë duke e fituar atë, ndërsa vetëm 16 notarët më të mirë u kualifikuan për në finale. Koha e tij ishte vetëm 2”44 larg kampionit olimpik dhe rekordmenit botëror, brazilianit Sezar Sielo. Notari 20-vjeçar, shtatlartë 1.93 metra, mori pjesë në Olimpiadën e 4 viteve më parë në Pekin 2008, veçse në garën e 50 metrave stil i lirë, duke dalë i 63-ti ndër 97 pjesëmarrës. Deri tani, në Lojërat Olimpike kanë konkurruar Arben Kuçana në qitje duke dalë i 20-ti në 10 metra pistoletë, Noel Borshi në not duke dalë e 40-ta në 100 metra flutur, Majlida Kelmendi duke arritur ndër 16 më të mirat në xhudo dhe Romela Begaj duke dalë e 11-ta në peshëngritje, deri në 58 kg.

 Dy rekorde kombëtare në not

Përveç Sidni Hoxhës, edhe notarja Noel Borshi vendosi një rekord kombëtar, në 100 metra flutur, duke e përmirësuar kohën e saj me 22 të qindtat e sekondës. Në ditën e parë të garave, notarja olimpike shqiptare, Noel Borshi, u rendit në vendin e 40-të nga 42 sportiste që morën pjesë në garën e 100-metrave stil flutur,

 Garuesit e fundit

Nga ekipi olimpik shqiptar kanë mbetur pa garuar edhe katër sportistë. Më 3 gusht do të konkurrojë hedhësi i gjyles, Adriatik Hoxha, ndërsa një ditë më pas peshëngritësi Endri Karina (94 kg). Qitësi shqiptar, Arben Kuçana, i cili u rendit në vendin e 20-të në 10 metra pistolete-ajër, duke grumbulluar 577 pikë, do të marrë pjesë dhe në garën e 50 metrave pistoletë, të programuar për më 5 gusht. Atletja Klodiana Shala, sipas programit do të garojë më 6 gusht, por ajo po rikuperohet nga një dëmtim muskulor.

 Garat dhe rezultatet e olimpistëve shqiptarë

 KANË GARUAR

28 korrik  ora 10:30

NOEL BORSHI

(Not, 100 metra delfin)

Vendi i 40-te nga 42 sportistë

28 korrik  ora 12:00

ARBEN KUÇANA

(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)

Vendi i 20-të nga 44 sportistë

29 korrik  ora 09:30

MAJLINDA KELMENDI

(Xhudo, pesha 52 kg)

U eliminua në 1/16

30 korrik  ora 12:30

 ROMELA BEGAJ   

(Peshëngritje, pesha 58 kg)

Rezultati: 216 kg në dygarësh

Vendi i 11-të nga 19 sportistë

 31 korrik  ora 10:00

BRIKEN CALJA

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Vendi i 9-të nga 24 sportistë

 31 korrik  ora 10:00

DANIEL GODELLI

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Nuk u klasifikua në dygarësh

 31 korrik  ora 10:00

SIDNI HOXHA

(Not, 100 metra stil i lirë)

Vendi i 37-të nga 60 sportistë

 DO TË GAROJNË

 3 gusht    ora 10:00

ADRIATIK HOXHA

(Hedhje gjyle)

 4 gusht    ora 15:30

ENDRI KARINA

(Peshëngritje, pesha 94 kg)

 5 gusht    ora 09:00

ARBEN KUÇANA

(Qitje, 50 metra pistoletë)

 6 gusht    ora 19:20

KLODIANA SHALA

(Atletikë, 200 metra)