“Në Europë, me emrin tonë, me identitetin dhe dinjitetin tonë”

698
Sigal

 Flet etnologia e njohur Afërdita Onuzi për ruajtjen e vlerave të kulturës materiale popullore

Në një moshë të respektuar, të veshur dhe me një punë të gjatë dhe pasionante, që nuk e ka lënë kurrë të “ngrejë kokën” e të shohë vitet që ka lënë pas, ajo është një nga femrat intelektuale më të respektuara të kryeqytetit. Dora dhe mendja e saj ndihet në çdo gjë, në çdo raft e sirtar, në çdo letër apo objekt me vlera muzeale në Institutin e Kulturës Popullore. Ajo njeh mirë dhe me detaje të 31 mijë objektet e fondit etnografik të pa ekspozuar nëpër magazina apo bodrume, shtohu këtu edhe 1000 objektet e ekspozuara në Pavijonin Etnografik pranë Muzeut Historik Kombëtar dhe 300 objekte të priftërinjve  françeskanë të grumbulluara nga sekuestrimet e viteve të para pas çlirimit. Duhet thënë se është po kështu kujdesi i saj i veçantë dhe i kolegëve të saj, që, megjithëse në kushte jo të përshtatshme dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve është ruajtur gjithë ai thesar etnografik. Ajo flet me respekt për punën e paraardhësve të saj, veçanërisht për Rok Rojsin që hodhi themelet e krijimit të fondit dhe të bazës materiale etnografike, e cila u sigurua në forma të ndryshme, nëpërmjet dhuratave dhe blerjeve, sido për kohën me çmime simbolike dhe shpesh herë qesharake. Sidoqoftë fondi u sigurua, por, fatkeqësisht, nuk u pasurua më tej. Ka 20 e ca vjet që nuk është thesarit etnografik nuk i është shtuar asnjë objekt i ri me vlerë, pasi nuk çelen fonde nga shteti, një shtet që nuk i di vlerat e veta, një shtet pa inventar. Afërdita nuk thotë gjë, por ajo e di se sa i dhemb gjithë ajo pasuri e pa regjistruar, mbi të gjitha e pa vlerësuar, pasi vetëm një xhamadan ka vetëm ar me qindra dollarë, veç vlerës historike. Po kështu edhe objekte të tjera prej ari, argjendi, tekstili, janë vlerësuar me një shumë simbolike edhe për kohën, sepse e tillë ishte mendësia edhe në kushtet e izolimit e një kontrolli të rreptë, askush nuk mund të mendonte të trafikonte vepra, por tani ato kanë vlera të tjera  Ajo është trembur vërtet me atë që ka ndodhur në Korçë me pikturat e Mios, se kështu janë edhe objektet që ka Instituti i Kulturës pa mbrojtjen më minimale ligjore. Disa ditë më parë ajo e ka përcjellë edhe në shtyp këtë andikap ligjor, këtë rrezik serioz nga trafikimet e paligjshme. “Trafikantët ndonjëherë janë më të sofistikuar se sa ne”, pohon ajo. Zhdukja e 61 pikturave nga galeria “Guri Madhi” në Korçë ka vënë edhe njëherë në pikëpyetje të ardhmen e fondeve të trashëgimisë kulturore”. Sipas Onuzit, masat shtrënguese duhet të jenë të menjëhershme: katalogimi, rivlerësimi i objekteve me vlerën reale dhe kushte sigurie. Se ka ndodhur që janë çelur ekspozita dhe janë vjedhur objekte, sa organizatorët janë detyruar ta mbyllin ekspozitën që ditën e dytë, pasi askush s’ka marrë përsipër sigurinë objekteve. Tani ka filluar dhe po ecet mirë me fotografimin dhe katalogimin nga Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, që është një institucion kyç në barrierën e trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, një projekt me kosto, por shumë i domosdoshëm. Duhet të kuptohemi, thotë ajo me shqetësim, se shpesh herë edhe kritikohemi se pse nuk vëmë më shumë objekte nëpër ekspozita, por me keqardhje ne kemi preferuar t’i mbajmë mbyllur deri sa gjërat të qetësohen e të krijohen kushtet. E para gjë që kemi bërë në pavijonin etnografik që do të ngrihet në Muzeun Historik Kombëtar, është sigurimi i infrastrukturës: sistemin e ajrimit dhe sistemin e alarmit. Sigurisht që objekte vidhen edhe në Luvër, por të mundohemi t’i kufizojmë në maksimum. Siç thamë edhe në fillim të këtij shkrimi, ne të gjithë shqetësohemi, kur ndodh diçka, por vetëm ai që është brenda dhe direkt me problemin e di sa i dhemb. Psh, rrafshimi i vlerave, kozmopolitizmi, hapja me botën, për Onuzin, janë dukuri dhe koncepte pozitive, të kohës, por ato nuk duhet të zhvillohen në kurriz të identitetit kombëtar, duke mohuar kulturën kombëtare, siç ndodh rëndom me projektet qeveritare shqiptare. Tradita ne na shërben në kuptimin që të shkojmë me emrin tonë. Pra, të ulemi të barabartë me popujt e tjerë duke u paraqitur, prezantuar me emrin tonë, kulturën tonë, të gjitha vlerat që ka trashëgimia kulturore e popullit shqiptar. Pra, të themi, krahas asaj pasaportës biometrike, që ne tashmë jemi duke e përfunduar të kemi dhe këtë “pasaportë biometrike” që është më e rëndësishme se ajo tjetra. “Shikoni fqinjët tanë, italianët, psh, tani që ranë në krizë e kuptuan se ç’kishin humbur dhe i janë kthyer identitetit të tyre kombëtar dhe kulturor, i janë kthyer patriotizmit roman, pasi janë vlera zhvillimi. Kështu dhe ne duhet t’i kthehemi traditës, të shkojmë në Evropë si shqiptarë, me identitetin tonë, me kulturën tonë, me historinë tonë.

Kush është Afërdita Onuzi

Afërdita Onuzi, etnologe, profesore. Ka lindur në Tiranë në vitin 1947. Studimet e larta i ka kryer në degën histori-gjeografi të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1971 fillon punën si etnografe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe prej vitit 1979 në Institutin e Kulturës Popullore. Është një nga specialistet më të mira shqiptare për etnokulturën shqiptare. Është autore e studimeve “Poçeria popullore në Shqipëri” (mono- grafi, 1988), “Dukuri etnografike në Malësinë e Madhe” (2000); si bashkautore: “Shqipëri – Jeta dhe tradita” (Torino, 1994), “Argjendari – mjeshtër argjendarë në Shqipëri e Kosovë” (Torino, 2000), “Tekstilet popullore, sixhadetë dhe qilimat” (Mynih, 1999); bashkautore në përgatitjen e vëllimit të tretë të korpusit “Veshje popullore shqiptare” (2004). Ka marrë pjesë në ngritjen e ekspozitave të ndryshme etnografike brenda dhe jashtë vendit, si dhe në organizimin e veprimtarive folklorike. Në vitin 1990-1993 zv.drejtore dhe në vitin 1999-2008 drejtore e Institutit të Kulturës Popullore si edhe kryeredaktore e revistës “Kultura popullore”. Me eksperiencën e saj të gjatë dhe me dijet që zotëron në këtë fushë Afërita Onuzi është aktive, duke vazhduar të japë kontributin e saj me vlerë në ngritjen e  pavijonit të etnografisë, por edhe në ruajtjen dhe vlerësimin e objekteve me vlerë historike dhe etnografike.