Bejkush Birçe: “Shteti ynë, inekzistent ndaj sportit”

617
Sigal

 Ish-trajneri i Kombëtares: Ja përse ekipet tona dështojnë në Europë. Strategjia, që na çon te suksesi

Bejkush Birçe, ish-trajneri i Partizanit (kampion në sezonet 1978-1979 dhe 1980-1981) dhe i Dinamos (kampion 1989-1990, është qartë dhe i drejtpërdrejtë në arsyet dhe shkaqet e dështimit të përvitshëm të ekipeve tona në ballafaqimet ndërombëtare, duke përmendur faktin se, futbolli ynë ende nuk është profesionist dhe aq cilësor sa të përballojë me sukses edhe skuadra të një niveli jo të lartë europian. Tekniku me eksperiencë të madhe profesionale tha për gazetën “Telegraf”: “Shteti tek ne investon shumë pak për sportin, është inekzistent, ndryshe nga investimet që bëjnë fqinjët tanë. Pa investime dhe strategji të qartë vështirë se do të kemi sukses në Europë”. Bejkush Birçe, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar Partizanin, Dinamon, Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin, është Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Shqiptarë si dhe nënkryetar i Komisionit të Etikës pranë FSHF-së. Bejkush Birçe e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994, duke e marrë postin nga Shyqyri Rreli, për t’u pasuar nga Neptun Bajko.

 Zoti Birçe, paraqitja e katër ekipeve shqiptare në Europë, Skënderbeut në Ligën e Kampioneve, si dhe të Tiranës, Teutës dhe Flamurtarit në Ligën e Europës, la shumë për të dëshiruar, duke dështuar në objektivat që i kishin vetes dhe u eliminuar qysh në turin e parë, me përjashtim të Tiranës që kaloi një tur ndaj një ekipi modest nga Luksemburgu. Përse dështojmë kaq shpejt dhe vazhdimisht në Europë?

Ka shumë arsye, objektive dhe subjektive. Kjo konstatohet nga rezultatet që janë arritur. gjithsesi unë do ta shihja edhe në një optikë tjetër. Shtrohet pyetja, se përse nuk i kalojmë kundërshtarët në Europë? Mos ndoshta kjo ka të bëjë edhe me arsye të tjera, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me futbollin e luajtur në fushë? Ekziston një problem te ne: një barazim apo një fitore aksidentale, dhe shtypi sportiv të mbulon me lavdi, aq sa gati i përngjasin një shtypi politik, dhe u kundërta, nxijnë gjithçka kur humbasim. Nuk lexojmë një analizë të mirëfilltë për të gjetur shkaqet, cili është zhvillimi i sportit te ne. Ne që jemi prej shumë vitesh jemi marrë me futbollin, që na dhimbset dhe kemi kaluar jetën tonë, jemi të qartë në shkaqet e moszhvillimit të sportit në vendin tonë. Më lejoni ta ilustroj. Si mund të kërkojmë të marrim diçka që, ne nuk e kemi mbjellë dhe t’i kërkon ta korrësh atë? Ne nuk kemi mbjellë, pasi nuk kemi fushë apo arë, dhe kur nuk i ke ato, atëherë që këtu nisin problemet. Nëse do t’i referoheshim vetëm Anglisë dhe Lojërave Olimpike që po zhvillohen këto ditë në Londër, do ta konstatojmë mjaft lehtë se çfarë ka bërë Britania e Madhe për të ndërtuar infrastrukturë të shkëlqyer sportive.

Në ndeshjet në transfertë, ekipet tona pësuan humbje të thella: Teuta humbi 6-1 me gjeorgjianët e Metalurgit, Tirana 5-0 me norvegjezët e Alesundit, si dhe Flamurtari dhe Skënderbeu nga 3-0, respektivisht me hungarezët e Honvedit dhe Debrecenit. Përse kaq të dobët jashtë fushe?

Ne duhet ta pranojmë se, jemi shumë larg profesionalizmit. Akoma nuk kemi hyrë në atë rrugë. Ne nuk i zbatojmë rregullat për të qenë të atillë. Unë do të isha dakord që, kampionati i Kategorisë Superiore të bëhej edhe me tetë ekipe, me kushtin që në të ndërtonim klube vërtet profesioniste, me financa të garantuara, pasi kemi lojtarë që paguhen jo rregullisht, dhe kjo krijon jo pak probleme, dhe një gjendje psikologjike të rënduar. Duhet të jemi të qartë edhe në një gjë tjetër se, nuk e forcojnë futbollin tonë lojtarët që marrim nga jashtë, pasi i kemi parë të gjithë se të çfarë cilësie kanë qenë ata. Për mua, Kategoria e Parë dhe e Dytë nuk duhet të ketë asnjë lojtar të huaj. Për Kategorinë Superiore nuk duhet të ketë më shumë se tre futbollistë të huaj. Ne duhet të prodhojmë vetë lojtarë dhe t’u jepet përparësi lojtarëve të rinj.

Zoti Birçe, ju keni një karrierë të gjatë si trajner profesionist, cili është niveli i futbollit tonë?

Kur shikon stadiumet gjithmonë e me më pak shikues e kupton në një farë mase. Kur të braktis shikuesi, atëherë do të thotë se problemet ekzistojnë. Tirana kaloi një tur, ndaj një skuadre amatore si Grevenmakeri i Luksemburgut. Nëse nuk do ta kalonte atë, atëherë do të ishte vërtet një dramë për futbollin tonë. Skënderbeu, Flamurtari dhe Teuta pak treguan në Europë. Ne nuk i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që kemi. Ne goditemi nga mendimi se, duhet ta fitojmë patjetër ndeshjen, kur së pari ne duhet të krijojmë lojën, e cila do të na çojë te fitorja. Duhet të ndërtosh një strategji të qartë, kjo në varësi të kundërshtarit. Kundërshtarët tanë e patën të lehtë fitoren ndaj nesh, pikërisht se ne nuk ndërtuam një strategji të qartë loje kundër tyre. Gjithsesi, nuk është tragjedi që të mos fitosh ndaj tyre. Ne duhet të kuptojmë diçka shumë thelbësore: duhet të punojmë fort, që të bëhemi profesionistë. Me punë mund të arrish gjithçka.

Nga se vuan futbolli ynë?

Kjo ka të bëjë më probleme të organizimit të futbollit të bazës, ku lojtarët e rinj duhet të  Po të vini re me kujdes, janë vetëm një grup i vogël futbollistësh që, lëvizin vit pas viti, sa në një ekip ne tjetri. Një arsye tjetër madhore, ka të bëjë me investimet e shtetit tonë. Sa interesim tregon ai për sportin, apo për futbollin në veçanti, meqenëse po flasim për këtë fundit, të eci përpara. Nuk ka mundësi që, me konceptin që ka udhëheqja jonë politike dhe qeverisëse, duke përdorur ekipet më të mëdha të vendit tonë për përfitime të llojeve të ndryshme.

Masa e investimeve nga ana e shtetit në sportin dhe futbollin shqiptar është shumë e vogël në raport me atë që financojnë fqinjët tanë…

Dua ta theksoj me forcë, se shteti te ne është inekzistent, përsa i përket sportit dhe investimet për të. Madje në disa raste, si ato të Partizanit dhe Dinamos, elita politike e ka dëmtuar atë, boll të shohësh se çfarë po ndodh me dy klubet legjendë në Shqipëri. Si mund të prishen klubet, fushat për t’i bërë pallate, si mund të paguajë Dinamo miliona lekë, në një fushë që e ka pasur të sajën? Shteti duhet të ndihmojë në krijimin e kushteve. Do të doja të dëgjoja në Parlamentin shqiptar që, të diskutohej qoftë dhe një herë të vetme një debat serioz për sportin. Janë 22 vjet, që nuk flitet për të. Nuk ka një ministri për sportin, por ai është pjesë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kur Turizmi duhet të kishte një ministri më vete, ndërkohë që për sportin jepen shumë të vogla. Sporti duhet të ketë një ministri më vete.

Shumë nga klubet janë pronë e bashkive. A është kjo forma e duhur e administrimit dhe ndërtimit të një skuadre me cilësore?

Unë jam shumë i qartë në këtë. Nëse duam të jemi profesionistë, atëherë klubet nuk duhet të jenë më pronë e bashkive; nëse do të jenë të këtyre të fundit, atëherë do të kemi një futboll amator. Futbolli kërkon financime të qëndrueshme, për të krijuar bazën e një skuadre të suksesshme. Ne duhet të punojmë si profesionistë.

 NDESHJET E EKIPEVE SHQIPTARE NË EUROPË SEZONI 2012-2013

 Liga e Kampioneve

Turi i dytë eliminator

Skënderbeu-Debrecen 1-0

Debrecen-Skënderbeu 3-0

Liga e Europës

Turi i parë eliminator

Tirana-Grevenmaker 2-0

Grevenmaker-Tirana 0-0

Flamurtari-Honved 0-1

Honved-Flamurtari 3-0

Teuta-Metalurgi 0-3

Metalurgi-Teuta 6-1

Turi i dytë eliminator

Tirana-Alesund 1-1

Alesund-Tirana 3-0

“Nuk kemi pika referimi”

 “Ne nuk kemi pika referimi”. Trajneri Bejkush Birçe dëshiron të vendosë pikat mbi “i”. Ai e thotë haptazi, në formë paralajmërimi: “Ne kemi sportistë të rinj, të cilët vërtet kanë nga një dhunti që jua ka dhënë nga natyra, por ne në Shqipëri e kemi të vështirë t’i përpunojmë. Prindërit e tyre vërtet paguajnë për t’i bërë futbollistë, duke nisur që nga moshat, por me synimin që t’i çojnë më pas jashtë”. Ish-trajneri kampion i Partizanit dhe i Dinamos shton: “Ne kemi në Shqipëri dhjetë futbollistë që qarkullojnë në të gjitha skuadrat. Si mund të krijojë bazën e saj një skuadër, kur ikin në fund të një sezoni pesë apo gjashtë futbollistë dhe i vinë po aq të tillë? Nuk mund të bëhet një ansambël futbollistik, me lojtarë që ikin dhe vinë në harkun e një sezoni. Nëse Skënderbeu dhe Flamurtari kanë mundësi financiare të mëdha, duhet të marrin lojtarë cilësorë, që të mund të prodhojnë lojë. Kur ti merr futbollistë të huaj, që nuk dallohen aspak nga ata tanët, atëherë si mund të pretendosh për rritje cilësore dhe sigurisht, nuk mund të kalosh kundërshtarët në Europë. Të mos harrojmë se dikur, para viteve 1990, ne jemi përballur me dinjitet me skuadrat kampione të Europës, dhe kemi bërë paraqitje shumë të mira, kurse këto me të cilat ne po përballemi tani, nuk janë të tilla”.

Të përfitojmë nga përvoja e fqinjëve

 Shumë skuadra të vendeve tona fqinje po ecin vazhdimisht përpara, gjë që te ne nuk ndodh me ato ritme. Birçe: “Unë jam i idesë që, grupe specialistësh të shkojnë dhe të shohin atë që ndodh në ato klube, të shohësh infrastrukturën sportive, le të themi në Bullgari, Rumani, apo diku tjetër, dhe të marrin më të mirën prej tyre dhe ta aplikojnë këtu”.

Kampionati me pak skuadra, më shumë konkurrencë

 Sezoni 2013-2014, ndryshe nga tre edicionet e fundit, përfshirë dhe këtë 2012-2013, do të jetë jo më me 14 skuadra, por me 12 të tilla. A mund të shpresojmë për një kampionat më cilësor, kur të paktën në 10 vitet e fundit, formati ka ndryshuar disa herë? Trajneri Birçe tha: “Pas viteve 1990, formati i kampionatit ka ndryshuar disa herë, disa herë edhe për interesa politike, në varësi të preferencave të elitës politike. Aktualisht, Federata Shqiptare e Futbollit nuk është nën këtë influencë, dhe mesa di, janë vetë klubet që e kanë kërkuar reduktimin e numrit të ekipeve. Nëse është vendosur për 12 skuadra, unë do të isha dakord edhe me dhjetë të tilla, pasi ekipet do të luajnë katër herë me njëri-tjetrin. Faktin që, do të dalin këtë sezon katër skuadra, jam i mendimit se do ta bëjë më të bukur kampionatin, pasi asnjë ekip nuk do të ketë më garanci për të luajtur i qetë. Mendoj se kështu do të stimulohet më shumë konkurrenca, që është dhe faktori kryesor i progresit”

 Duhet t’i rrisim autoritetin futbollit tonë

 Kampionati maksimal në futbollin tonë, Kategoria Superiore, ka një mesatare të pakët shikuesish, çka ia ka zbehur disi edhe bukurinë kompeticionit. Birçe mendon: “Ne duhet t’i rrisim autoritetin futbollit tonë, pasi kemi parë dhe lëshime nga skuadrat. Ne duhet të jemi shumë të vendosur për të shpëtuar cilësinë e futbollit, që dhe spektatori të jetë i ndërgjegjshëm se duhet të vijë në stadium për të parë ndeshje cilësore. Cilësia rritet edhe përmes infrastrukturës, duke pasur fusha të mira. Edhe pse u premtua që, të ngrihej stadiumi i ri kombëtar në vitin 2012, ai ende s’ka filluar. Në stadiumin “Selman Stërmasi” të vjen turp të luash futboll. Kemi 22 vjet në demokraci dhe nuk është ndërtuar asnjë stadium. Nëse FSHF-ja, me ndihmën e FIFA-s dhe UEFA-s dëshiron ta ndërtojë stadiumin, atëherë ti s’ke pse ta pengosh. Nga ana tjetër, Federata duhet të vendosë disa rregulla që, kur të regjistrojë një skuadër në Kategorinë Superiore, ajo duhet të ketë patjetër edhe fushat ndihmëse”.

 T’u krijojmë kushte sportistëve

 Sportistët shqiptarë në Lojërat Olimpike “Londër 2012” nuk ia dolën dot të hynin në zonën e medaljeve, apo të japin rezultate të larta të nivelit ndërkombëtar. Por, trajneri Bejkush Birçe ka argumentin e tij, duke qenë në mbrojtje të olimpistëve:  “Kryeministri shqiptar ishte i pranishëm në Lojërat Olimpike dhe, sigurisht e ka parë atë punë madhështore që është bërë në Londër. Ai duhet ta kuptojë se, sporti ka nëvojë për investime dhe kushte. Sportisti ngre flamurin kombëtar. Shikoni Kinën, që tashmë është një superfuqi olimpike. Jam i bindur se u janë krijuar të gjitha kushtet sportistëve dhe se atje punohet me një strategji të qartë. Tani ata përgatiten për Olimpiadën e vitit 2016. Vërtet sportistët tanë patën ato rezultate në garat e tyre, por po të shohësh se në çfarë kushtesh bëjnë ata stërvitje, në raport me kundërshtarët që kanë pasur, do të kuptosh se kanë diferenca të mëdha. Te ne shkojnë më shumë drejtues, sesa sportistë”.