Hasani: Jam torturuar për golat, e meritoja unë “Këpucën e Artë”

432
Sigal

Edon Hasani ka qenë protagonist absolut gjatë këtij sezoni te skuadra e Tiranës, duke shënuar 12 gola, por sërish ai nuk mundi që të shpallej golashënuesi më i mirë. Mesfushori i bardhebluve gjithsesi ndihet sikur e ka fituar “Këpucën e Artë”.

“Kemi bërë vetëm detyrën sepse jemi Tirana. Për mënyrën si erdhën situatat, jam i kënaqur me shpëtimin e Tiranës dhe shanset për të marrë Kupën që hap dyert për në Europë, që ishte edhe objektivi i klubit.

Me timen e kam fituar këpucën e artë, sepse jam torturuar për të realizuar ata gola, gjithsesi uroj Reginaldon. Kemi një shans për t’u hakmarrë në Kupë.

Do japim maksimumin në finale. Koha nuk na lejon të rikuperohemi plotësisht, por nëse luajmë me grintën që luajtëm në Laç, atëherë do të fitojmë. Me këmbë në tokë, besoj se do ja dalim.

Me Tiranën kam edhe një vit tjetër kontratë. Jam i lumtur që jam pjesë e familjes bardheblu. Falënderoj presidentin Refik Halili që më hapi dyert e shtëpisë për të qenë pjesë e këtij klubi të madh”, u shpreh Edon Hasani për mediat pas fitores ndaj Flamurtarit.