35-vjeçari shqiptar masakrohet me thikë

593
Sigal

Shtatë burra janë shpallur fajtorë për një sulm në veri të Londrës, në të cilin një shqiptar u godit me thikë dhe vëllai i tij pësoi lëndime në tru, Edmond Jonuzi 35 vjeç njohur si Edmond Preçi u vra në sulmin pranë stacionit Turnpike Lane më 9 qershor 2018.

Vëllai i tij, Erald Preçi, mbeti me kafkë të thyer. Bilal Mumin, 20 vjeç, u gjet fajtor për vrasjen të martën, ndërsa gjashtë burrat u shpallën fajtor për përfshirje në vrasje dhe trazira të dhunshme. Policia tha se të pandehurit kishin kaluar ditën duke konsumuar pije alkoolike dhe duke u angazhuar në sjellje antishoqërore.

Të gjithë të rinjtë e njihnin njëri-tjetrin dhe të gjithë ishin përfshirë në çështje droge, ndërsa mendonin se “zotëronin” zonën. Dy vëllezërit, u kërcënuan nga grupi kur ata u larguan nga darka me kushërinjtë e tyre. Shpejt filloi një grindje që u përshkallëzua në një “sulm jo proporcional të njëanshëm”. Jonuzi pësoi 19 lëndime të veçanta në trupin e tij, duke përfshirë një plagë në zemër.

Nëna e vëllezërve Dava Preçi e cila nuk mundi të ikë në Angli për të ndjekur gjyqin nga afër, deklaroi: “Më 9 qershor bota ime u ndryshua përgjithmonë, duke më lënë kështu të thyer dhe të zbrazët brenda meje. Më ka mbetur të imagjinoj imazhet e dhunës dhe dhimbjes që djemtë e mi kaluan. Nuk mund të fle në paqe”, tha gruaja për BBC. Dita e dënimit përfundimtar nuk është caktuar ende.