Trajneri i të kuqve flet pas ndeshjes me Himarën. Tani, +9 pikë nga Pogradeci i vendit të tretë
Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, tha për gazetën “Telegraf” se, tani skuadra e kuqe është më afër se kurrë drejt rikthimit në Kategorinë Superiore, atje ku të kuqtë kanë fituar 15 tituj kampionë. Partizani barazoi 1-1 me Himarën në “Selman Stërmasi”, çka e çoi diferecën në +9 pikë me Pogradecin, rivalin më të afërt në luftën për vendin e dytë, por me liqenorët që kanë një ndeshje më pak, atë më Adën. Lika e pranoi se, skuadra u zgjua pas pësimit të golit të Himarës (gol i Dhramit në minutën e 60-të), por pas barazimit të Malos (86’), Partizani pati disa raste për të shënuar golin e fitores.
-Lika, Partizani barazoi 1-1 me Himarën, edhe pse të gjithë prisnin fitoren në “Selman Stërmasi”. Cili është komenti juaj?
– Mendoj se, bëmë një lojë të mirë. Dëshironim ta mbyllnim me sukses takimin. I bëmë të gjitha përpjekjet për ta fituar ndeshjen. E pranoj, nuk dolëm në lojën tonë më të mirë.
– Një Partizan që, pati shumë raste, por shënoi vetëm një gol. Ku mendoni se ishte defekti i skuadrës?
– Mendoj se, patëm disa momente të mira shënimi dhe ishim shpesh afër portës së kundërshtarit dhe golit, pavarësisht se nuk konkluduam. Ekipi kundërshtar ishte i ngjeshur në mbrojtje, dhe kjo na penalizoi disi. Dua të vlerësoj Himarën, pasi luajti me shumë dëshirë. U mbrojt me forca të shumta dhe na goditi në gabimin e vetëm që bëmë. Në një farë mënyre e ndërlikuam ndeshjen. Gjithsesi, bravo u qoftë djemve që e barazuan ndeshjen. Në momentet e fundit edhe mund ta kishim fituar takimin, si pasojë e presionit të madh që ushtruam. Do të ishte një fitore, që do të ishte akoma më e rëndësishme për pozitat tona. Gjithsesi, do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën në ndeshjet e mbetura.
– Qysh kur ju e keni marrë në dorëzim ekipin (pas Duros), skuadra ka një vijueshmëri rezultatesh dhe është më shumë agresive. Çfarë keni ndryshuar?
– Skuadra do të dilte natyrshëm në ato nivele, pasi dhe lojtarët gjithmonë e më shumë po harmonizoheshin me njëri tjetrin. Kemi pasur momente të mira, ashtu si dhe jo të mira. Çdo skuadër e krijuar rishtazi ka vështirësitë e veta në fillim. Tashmë, besoj se është më e harmonizuar si skuadër.
– Si ju duk gjykimi i Metës?
– Në pjesën e parë, mund të ishte më i kujdesshëm. Duhet të kishte eliminuar disa ndërhyrje të rënda të kundërshtarit. Shpeshherë u treguan më të ashpër sesa duhet.
– Tifozët reaguan shpesh për lojën e skuadrës. Cili është komenti juaj?
– Sigurisht që, kishin të drejtë. Ata duan ta shohin skuadrën e tyre të japë gjithmonë më të mirën. Fanella jonë është e rëndë dhe tifozët na kanë ndjekur kudo që kemi luajtur. Lojtarët dhanë maksimumin në fushë, pavarësisht se pa pësimit të golit u lëkundëm për disa minuta. Sigurisht, donim ta fitonim takimin. Skuadra ishte paksa e lodhur, pasi kemi bërë tri ndeshje në vetëm tetë ditë.
– Partizani tani është shumë afër rikthimit në Superligë, atje ku mungon prej katër vjetësh, nga 2009-ta.
– Po, jemi më afër. Dhe kjo na gëzon të gjithëve, sidomos drejtuesit e klubit që kanë investuar, por dhe tifozët. Na kanë mbetur edhe katër ndeshje, por besojmë se me diferencën e krijuar Partizani do të jetë në Kategorinë Superiore.
Dicitura:
Nga e majta në të djathtë: Perlat Musta, Shpëtim Duro, presidenti Lulzim Sallaku, trajneri Hasan Lika dhe Genc Tomori
KATEGORIA E PARË
JAVA XXVI
Të shtunën, 13.04.2013
Besëlidhja-Burreli 1-0
Tërbuni-Dinamo 1-1
Elbasani-Iliria 3-1
Butrinti-Pogradeci 4-3
Kamza-Naftëtari 2-1
Të dielën,
Lushnja-Gramshi 2-0
Partizani-Himara 1-1
Ada-Mamurrasi 3-2
RENDITJA
1 Lushnja 25 +28 62
2 Partizani 26 +6 51
3 Pogradeci 25 +11 42
4 Mamurrasi 26 +5 39
5 Tërbuni 26 +8 37
6 Dinamo 26 +2 33
7 Himara 26 +1 33
8 Iliria 26 +0 33
9 Burreli 26 -1 33
10 Butrinti 26 -2 33
11 Besëlidhja 26 -4 31
12 Elbasani 26 -7 31
13 Kamza 26 -13 31
14 Ada 25 -1 30
15 Gramshi 25 -13 30
16 Naftëtari 26 -18 20
Lushnja prek titullin kampion
Lushnja pas sigurimit të biletës për në Superligë, tani është shumë pranë dhe titullit kampion të Kategorisë së Parë. Verdhejeshilët fituan 2-0 me Gramshin, duke e rritur në 11 pikë diferencën me Partizanin e vendit të dytë. Nga përfundimi i sezonit kanë mbetur edhe katër javë. Ada fitoi 3-2 me Mamurrasin, duke marrë tri pikë të çmuara.
Sadiku mbush 13 gola
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, vazhdon të shfaqet protagonist në Ligën e Dytë në Zvicër. Në sfidën e djeshme elbasanasi vulosi fitoren e pastër 2-0 të Luganos në fushën e vet me Kiason. Da Silva i hapi rrugën e fitores Luganos në minutën e 65-të, ndërsa shqiptari e vulosi atë në të 87’. Me këtë fitore, Lugano ngjitet në kuotën e 33 pikëve, teksa ndodhet në vend të 6-të në Challenge League. Për Armando Sadikun ky ishte goli 13-të në kampionat, duke qenë në krye të renditjes së golashënuesve së bashku me Calla të Araut. Në sezonin e kaluar sulmuesi kuqezi arriti të fitojë “Këpucën e Artë” në Ligën e Dytë zvicerane, ku luante për Lokarnon. Këtë sukses ai shpreson ta arrijë edhe këtë edicion me fanellën e Luganos. Ndërkohë, forma e mirë që po shfaq 22-vjeçari ka nxitur interesimin e disa klubeve evropiane, që kërkojnë ta blejnë atë në merkaton e verës. Por jo vetëm, pasi Sadiku kërkohet edhe në Brazil, ku Korinthians po interesohet për sulmuesin shqiptar. Nëse do të realizohet transferimi i bujshëm, Armando Sadiku do të jetë partner në sulm me Alesandre Paton.