Hasan Lika: Fitorja me Partizanin, në momentin e duhur për Luftëtarin

400
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Për rezultatin e thellë ndaj skuadrës së kuqe, flet për “Telegraf” trajneri i gjirokastritëve, kërkon largimin e euforisë 
Në javën e 15-të, Luftëtari shënoi rezultatin më të thellë në këtë sezon, erdhi fitorja 5-0 ndaj Partizanit në momentin e duhur?
Momente të duhura për tri pikë, janë në çdo ndeshje, por kjo me Partizanin besoj se do të na nxjerrë nga ngërçi që po na mundonte për disa javë, kryesisht në rezultatet pozitive. Ishte një fitore e merituar, për të cilën skuadra ka qenë shumë e motivuar ta arrinte.

Në këndvështrimin tuaj si trajner, çfarë funksionoi ndryshe për skuadrën e Luftëtarit në këtë fitore?
Jo vetëm duke u nisur nga rezultati i thellë 5-0, por nga e gjithë loja në tërësi, unë si trajner e vlerësoj të gjithë skuadrën. Mbi të gjitha, u shfrytëzuan në maksimum dhe me efektivitetin e duhur të gjitha rastet që i solli loja, duke konkluduar me racionalitet në portën kundërshtare.

Mund të themi se ishte Partizani i dobët që ju fituat 5-0, apo ishte një Luftëtar që iu imponua në fushë kundërshtarit?
Më sipër ju deklarova, se kjo ishte një fitore e merituar, por e pa menduar me këtë rezultat kaq të thellë. Ne ishim dy skuadra në fushë, dhe secila bëri lojën e saj, por ne i shfrytëzuam mirë edhe disa gabime të mbrojtjes së Partizanit, e cila u tregua e pakujdesshme në ato raste.

Gabimet e mbrojtjes së Partizanit, ishin në pritshmëritë tuaja?
Të jem i sinqertë, jo, sepse gabime të tilla në fazën mbrojtëse nuk i kisha menduar për Partizanin. Gaboi mbrojtja më shumë se sa prisnim ne, por të mos harrojmë se ishim ne që ua imponuam atyre këto veprime, ndaj them se vlerat e fitores janë për meritë e skuadrës së Luftëtarit.

Vitin kalendarik 2017 (gjysmën e sezonit në vazhdim), ju e mbyllni në Kukës, do të ruani këtë vazhdimësi me fitore edhe në këtë ndeshje?
Duke qenë profesionistë, unë lojtarëve u kam thënë që ditën e fitores me Partizanin, që të ruhen nga euforia për ndeshjet në vazhdim. Ne kemi një renditje që nuk na bën shumë euforikë, por vetëm të vendosur për të arritur të tjera rezultate tri-pikëshe.

Kukësi është njohje e vjetër për ju, ndikon ky fakt në psikologjinë tuaj dhe të skuadrës së Luftëtarit?
Në fushën e lojës, profesionalizmi i shpërfill njohjet e nostalgjitë e vjetra. Me Kukësin do të jetë një ndeshje e fortë, sepse luajmë kundër kampionëve në fuqi të Superiores, pse jo, edhe ndaj njërit prej ekipeve më të mira. Natyrisht që aty shkojmë për të dhënë maksimumin tonë. 

Në këto 15 javë që e drejtoni Luftëtarin, keni menduar edhe për merkato, hyrje-dalje?
Natyrisht që për afrime në merkaton e janarit ka vend edhe te Luftëtari, e për këtë kam biseduar me Presidentin Tavo. Ende nuk i kemi përcaktuar lëvizjet, njëherësh nuk kemi mësuar edhe për ndonjë largim.
Duke qenë profesionistë, unë edhe lojtarëve u kam thënë, që në ditën e fitores me Partizanin, se duhet të ruhen nga euforia për ndeshjet në vazhdim. Ne kemi një renditje që nuk na bën shumë euforikë, por vetëm të vendosur për të arritur të tjera rezultate tri-pikëshe
Rezultatet-Java e 15-të
Të shtunën, 16 dhjetor 2017 
Vllaznia-Kamza 3-2
Lushnja-Skënderbeu 1-3
Të dielën, 17 dhjetor 2017 
Flamurtari-Laçi 0-1
Luftëtari-Partizani 5-0
Teuta-Kukësi 1-2

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 15 34
2. Kukësi 15 25
3. Flamurtari 15 25
4. Laçi 15 24
5. Kamza 15 23
6. Partizani 15 21
7. Luftëtari 15 16
8. Teuta 15 15
9. Vllaznia 15 15
10. Lushnja 15 8

Ndeshjet-Java e 16-të
Datë 22 dhjetor 2017
Partizani-Vllaznia 13:00
Kamza-Flamurtari 13:00
Laçi-Lushnja 13:00
Kukësi-Luftëtari 13:00
Skënderbeu-Teuta 13:00