Gjysma e Superligës e “burgosur” nga Disiplina

444
Sigal

Edhe pse nuk ofron më cilësi, futbolli shqiptar prodhon dhunë. 13 fusha të pezulluara në 10 javë

Lideri i kampionatit, Skënderbeu u dënua nga Komisioni Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, për të zhvilluar një ndeshje pa praninë e shikuesve, për shkak të sjelljes së tifozerisë së kuqe në ndeshjen e fundit kundër Partizanit. Kampionët në fuqi do të luajnë pa praninë e “ujqërve” ndeshjen me Flamurtarin (takim që i përket fazës së dytë). Me një ndeshje pa shikues u dënua edhe Laçi pas incidenteve në takimin me Kukësin, duke e çuar në 13 numrin e klubeve të dënuara në të gjithë kompeticionet dhe në gjashtë të atyre të Superligës. Pra, gjysma e ekipeve të Kategorisë Superiore janë dënuar ose zhvillimin e ndeshjeve pa shikuese (4 skuadra: Besa, Vllaznia, Skënderbeu, Laçi) ose jashtë fushe (Flamurtari, Kukësi). Në fakt, dhuna e tribunave, gjithmonë e pranishme në stadiumet tona, i jep një tjetër imazh të dobët futbollit tonë, tepër të varfër në cilësi. “Rekordin” në këtë fillim sezoni e mbajnë stadiumet e Kukësit dhe të Flamurtarit, të cilat janë ndëshkuar shumë ashpër nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Kukësi, që bëri histori në Ligën e Europës, duke qenë skuadra e vetme që kaloi tre tyre eliminatore në kompeticionet europiane, u dënua me katër ndeshje jashtë fushe, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes Kukësi-Vllaznia.  Gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota. Tifozët vendës të irrituar me lojën e skuadrës kanë nisur të ofendojnë lojtarët dhe hedhin sende në fushë. Flamurtari, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar (goditja e presidentit të Skënderbeut, Artan Takaj), diskriminim të ekipit kundërshtar dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve në takimin Flamurtari-Skënderbeu (java e 2-të) u dënua me 4 ndeshje jashtë fushe, e shoqëruar kjo edhe me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi, por në fuqi mbeti rezultati i ndeshjes 2-1 për vlonjatët. Besa u dënua me dy ndeshje pa spektatorë, për sjellje të gabuar të spektatorëve në takimin Besa-Teuta, java e 2-të (Vendimi: 17 shtator 2013). Vllaznia u dënua me dy ndeshje pa spektatorë në “Loro Boriçi”, për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushën e lojës, gjatë takimit Vllaznia-Skënderbeu (java e 6-të), në momentin e festimit të golit të lojtarit të Skënderbeut, Gjergji Muzaka. Tashmë në listën e ekipeve të ndëshkuara u shtuan edhe Skënderbeu (pas incidenteve në javën e 10-të), si dhe Laçi (po për shkak të incidenteve në javën e 10-të). Laçi, për shkak të incidenteve të tifozerisë ndaj Partizanit, u gjobit me 50 mijë lekë, duke u bërë ekipi i dytë që gjobitet këtë vit pas Vllaznisë, në ndeshjen kundër Flamurtarit. Dënime fushash ka pasur këtë vit edhe në Kategorinë e Parë. Kështu, Himara është dënuar me katër ndeshje pa spektatorë, për hedhje të sendeve të forta dhe akte dhune ndaj zyrtarëve në javën e parë të kompeticionit. (Vendimi: 5 shtator 2013). Me dy ndeshje pa spektatorë është dënuar Burreli (vendimi: 24 shtator), ndërsa Përmeti i Kategorisë së Dytë është dënuar me dy ndeshje pa shikues. Lista e ndeshjeve pa spektatorë vazhdon me Luftëtarin (1). Egnatia e Rrogozhinës është dënuar me dy ndeshje pa shikues. Ekipi i fundit i dënuar është Erzeni i Shijakut, që për shkak të dhunës ndaj kundërshtarëve të Shënkollit dhe incidenteve gjatë ndeshjes do të luajë katër ndeshje pa shikues. Deri tani janë dënuar me gjobë nëntë klube, ku pesë prej tyre janë nga Kategoria Superiore, përkatësisht Vllaznia (50 mijë lekë), Laçi (50 mijë lekë) dhe Tirana (dy herë nga 50 mijë lekë), Skënderbeu (50 mijë lekë) dhe Teuta (50 mijë lekë).

  Agim Canaj, trajneri i parë i ndëshkuar

 Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, u bë i pari teknik i ndëshkuar në këtë sezon. Vlonjati u pezullua dy ndeshje pas protestave të tij ndaj gjyqtarëve në barazimin 1-1 me Bylisin. I dënuar nga klubi i “Loro Boriçit” është dhe drejtori sportiv, Armir Grima, po për të njëjtat motive. Me dy ndeshje pezullim u ndëshkua masazhatori i Tomorit, Jorgaq Morava. Lojtarët e pezulluar janë

Laert Bejko (Erzeni) Armando Ceka (Shënkolli), me nga 5 ndeshje, si dhe Emilian Mihali (Përmeti) ne 4 ndeshje.

 Altin Keci, katër vjet larg fushave

 Altin Keci, një nga zyrtarët e Erzenit të Shijakut u ndëshkua me 48 muaj pezullim (praktikisht 4 vjet), për të mos shoqëruar ekipin e tij, kjo për shkak të sulmit dhe dhunës së shkaktuar ndaj një lojtar kundërshtar në takimin me Shënkollin, një ndeshje e përfunduar me rezultatin e bujshëm 5-3, e që i përket grupit A të Kategorisë së Dytë. Më parë, me 18 muaj pezullim ishte ndëshkuar presidenti i Mamurrasit, Dedë Ndreca. Në listën e zyrtarëve të pezulluar janë dhe Sami Qari (Kamza) me 4 ndeshje

si dhe Arlind Nora (Luftëtari) me 2 ndeshje.

Dënimet e fushave

Pa spektatorë

Besa       2 ndeshje

Vllaznia   2 ndeshje

Skënderbeu 1 ndeshje

Laçi       1 ndeshje

Himara     4 ndeshje

Përmeti    2 ndeshje

Egnatia    2 ndeshje

Burreli    1 ndeshje

Luftëtari  1 ndeshje

Jashtë fushe

Kukësi     4 ndeshje

Flamurtari 4 ndeshje

Erzeni     4 ndeshje

Mamurrasi  1 sezon

Sulmuesi shqiptar i Jagelonias po ndjek një kurs intensiv për të mësuar gjuhën polake

 Bekim Balaj, golat e shkodranit flasin polonisht

 Kur Bekim Balaj u transferua para dy sezonesh në Çeki te Sparta e Pragës, sulmuesi shkodran, i cili më parë kishte luajtur edhe në Turqi, e dinte mirë se pa mësuar gjuhën do ta kishte shumë të vështirë të ambientohej në një vend me tradita dhe kulturë krejt tjetër. Aventura në Pragë e sulmuesit 22-vjeçar të Kombëtares shqiptare zgjati një sezon, ndërsa ai tani është huazuar në Poloni, te Jagelonias, një ekip i qytetit të Bialystokut (rreth 300 mijë banorë) dhe që gjendet në Poloninë Lindore. Pikërisht, klubi i Jagelionias e ka politikë të vetën që lojtarët e tij të mësojnë sa më shpejt polonisht, kjo dhe në funksion të “gjuhës” se ekipit. Bekim Balaj është duke zhvilluar një kurs intensiv, për ta mësuar sa më shpejt dhe saktë gjuhën polake, siç shihet edhe në foto që ka sjellë gazeta. Bekim Balaj shëno të hënën golin e vetëm për skuadrën e tij, Jagelonia, në fushën e Piast Glivice. Sulmuesi shkodran ishte i pari që hapi serinë e golave në këtë përballje në minutën e 56-të, teksa përfitoi nga një gabim mes portierit dhe mbrojtësit kundërshtar. Këta të fundit i lanë topin njëri-tjetrit, por Bala, si një nuhatës i vërtetë goli, arriti të fuste këmbën dhe të shënonte, duke kaluar ekipin në avantazh. Gjithsesi, vendësit shtuan presionin në minutat në vijim dhe arritën të barazonin shpejt. Vetëm katër minuta pas golit të barazimit, Piast Glivice kaloi në avantazh, 2-1. Balaj shkon në kuotën e 6 të tillëve në kampionatin polak, ku aktivizohet edhe sulmuesi Sebino Plaku. Më parë shkodrani ka shënuar dy herë në Jagielonia- Rush Çorzov 6-0 dhe nga një herë në Visla Krakov- Jagielonia 1-1, Slask-Jagielonia 2-3 dhe Zaviza-Jagielonia 0-1. Pas kësaj humbjeje, ekipi i Balës renditet në vend të 11-të me 18 pikë. Shtatlarti shkodran është huazuar te skuadra polake nga klubi i Spartës së Pragës. Deri më tani sulmuesi i talentuar ka bërë një performancë të shkëlqyer, duke shënuar gola vendimtarë, madje shpeshherë i ka nisur takimet nga stoli. Si rrjedhojë e paraqitjes së mirë gjatë këtij sezoni, Balaj mori një ftesë edhe nga trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi (u aktivizua në ndeshjen me Qipron). ai shikohet si një ndër sulmuesit premtues dhe që shumë shpejt mund të jetë një titullar i padiskutueshëm në skuadrën përfaqësuese.

“Harta” e Balajt

Genshlerbirlixhi     Turqi

Sparta e Pragës      Çeki

Jagiellonia          Poloni

Skënderbeu, kampioni i “dimrit”!

 Skënderbeu i ka të gjitha shanset për ta mbyllur fazën e parë si “kampion i dimrit”, kur ka mbetur edhe vetëm një ndeshe, nisur kjo dhe nga avantazhi prej tri pikësh ndaj Teutës së vendit të dytë. Pas suksesit në Kupë me një rezultat të thellë ndaj Ilirisë, Skënderbeu rikthen vëmendjen nga kampionati, aty ku javë e fundit e fazës së parë i rezervon një transfertë të vështirë në Ballsh ndaj Bylis. Skuadra finaliste e Kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar e cila eliminoi në gjysmëfinale Skënderbeun, vlerësohet në maksimum nga kampionët që si objektiv shpallin fitoren. Eliminimi nga kupa edicionin e kaluar mund të sjellë një ngërc psikologjik tek korçarët, por për trajnerin Mirel Josa ky 90 minutësh paraqet tjetër skenar duke kërkuar maksimumin.

Pasi ka marrë e vetme kreun e klasifikimit, Skënderbeu tenton shkëputjen duke qenë se kundërshtarët, ashtu siç ndodh rëndom në këtë fillim kampionati, luajnë sfida direkte me rivalët.

Takimi Bylis-Skënderbeu i cili do të luhet në “Adush Muça”.