Flet Wanda Nara: Icardit sikur i kanë prerë njërën këmbë

384
Sigal

Wanda Nara është jo vetëm bashkëshortja menaxhere e Mauro Icardit, por edhe moderatorja e emisionit sportiv “Tiki Taka”.

Por mbrëmë pas mesnate, modelja argjentinase, e cila fillimisht nuk kishte vendosur që të paraqitej, bëri prapakthehu dhe u prezantua në studio, ku kërkoi që të sqarojë të gjitha ngjarjet e javës së fundit që kishin shkundur tashmë ish-kapitenin dhe klubin zikaltër.
Me lot në sy, Wanda Nara, përpara të gjithë Italisë, bëri një hap prapa dhe konfirmoi se ajo dhe futbollisti duan të qëndrojnë tek Interi.

“Ne nuk kemi pasur kurrë as dyshimin më të vogël për të mos shkuar në stadium. Madje, unë edhe pse jam nënë e 5 fëmijëve nuk mungoj asnjëherë dhe do të jem gjithmonë prezente, sepse Interi është familja jonë dhe të gjithë e dinë sesa shumë e kemi përzemër këtë bluzë”, bëri hyrjen e saj Wanda Nara.

“Mëngjesin e të shtunës u zgjova për të shoqëruar djalin e vogël në ndeshjen që ai kishte dhe më pas të gjithë e dimë se çfarë ndodhi. Unë u godita në makinë, u tmerrova, aq sa nuk arrija të ngisja më automjetin, por fatmirësisht ndodhi gjithçka në një vend ku kishte edhe kamera, në mënyrë që të mos dukej si diçka e sajuar.

Madje, këto kamera mund të ndihmojnë edhe në zbardhjen e çështjes. Icardi në ato momente ishte në gjumë dhe unë mora dikë prej punonjësve të Interit, për të më ndihmuar. Dhe vetëm pak minuta pasi i lajmërova, më telefonoi edhe Marota”, vazhdon Vanda.

Në lidhje me vendimin e klubit për heqjen e shiritit, modelja pranon: “Heqja e tij ishte njësoj sikur t’i kishin prerë një këmbë Icardit. Ai është shumë krenar dhe nuk ka menduar kurrë për paratë. Përkundrazi, dëshira e tij e vetme ka qenë që të nderojë bluzën dhe shiritin që mbante veshur.

Nëse do të ishte për ne, jo vetëm për Mauron, por edhe për mua, do të qëndronim gjithmonë tek Interi. Kjo është ajo që të gjithë ne duam. Madje nëse doni ta dini, unë si menaxhere nuk ia kam kërkuar kurrë Interit rinovimin, kjo është e vërteta. Tani, duam thjesht që ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë dhe Icardi të kthehet të luajë, sepse në këtë periudhë ka vuajtur realisht shumë”, ishin fjalët e Wanda Narës.