Finale të parakohshme, Kupa i fut “ethet” skuadrave pretendente

519
Sigal

Sot luhet faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë, ku përballë do të jenë 8 skuadra të Superligës

Sot, skuadrat e Superligës kanë një përballje më tepër në agjendën e tyre, përballje që vjen për turneun e dytë më të rëndësishëm në futbollin vendas, atë të Kupës së Shqipërisë, ku me faza eliminimi kanë mbetur vetëm 8 ekipet e Superligës, duke u “përjashtuar” ekipet e kategorive të tjera të futbollit vendas. Në bazë të renditjes së vendosur, ndodhen të pranishme sot ekipet që nga vendi i parë e deri tek i fundit që është Apolonia, përjashtim bëjnë vetëm Elbasani dhe Teuta që u eliminuan në fazën e dytë. Takimet e sotme janë të gjitha të forta, ndoshta me përjashtim të Tiranës që ka përballë vendin e fundit të renditjes, Apoloninë. Po t’i marrim me radhë, Flamurtari do të presë në Vlorë skuadrën e Skënderbeut, në një takim që nuk mund të vendosesh favoritë, pavarësisht pozitave që këto dy skuadra i kanë shumë të ndryshme sa i përket kampionatit. Skuadra vlonjate e tregoi më së miri forcën e saj edhe në ndeshjen me Tiranën, ku edhe pse nuk fitoi ia doli mbanë që të jetë një problem për sulmin tiranas. Fati i mirë i secilës skuadër është se luajnë dy ndeshje, por gjithsesi kërkohet që të shfrytëzohet në maksimum ndeshja në shtëpi. Takimi tjetër i grupit A është po aq i fortë, siç u tregua edhe dy javë më parë në kampionat, ku Laçi barazoi me Partizanin në fushën e vet, por në ndryshim nga ndeshja e para dy javëve, takimi i sotëm do të luhet në Fushë Krujë, në mungesë të një stadiumi për “demat” pasi “Qemal Stafa” nuk është akoma gati. Laçi ka treguar se është një skuadër që nuk i pëlqen të nënvlerësohet, duke arritur që të marrë pikë ndaj të gjitha ekipeve kryesore, ku e vërtetoi edhe me Skënderbeun të shtunën e kaluar, ku barazoi 0-0. Duke qenë se kujtimet në lidhje me takimin ndaj Laçit, Partizani i ka të freskëta, nuk pritet të vijë asnjë nënvlerësim nga ana e tyre, ku qëllimi kryesor është të mbyllet takimi me fitore, për ta “fjetur” mendjen për ndeshjen e kampionatit këtë fundjavë, që do jetë po kaq e vështirë, në mos më, ndaj Skënderbeut. Në grupin B kemi përsëri “rifreskim” të takimeve, ku pikë së pari i kepet jetë “derbit të Veriut”, ku Vllaznia pret përsëri në “Loro Boriçi” skuadrën e Kukësit, aktualisht kryesuese e kampionatit. Para dy javësh u mbyll takimi mes tyre, ku tre pikët i morën verilindorët, duke e mundur për të tretën herë këtë sezon skuadrën shkodrane. Ndërkohë këta të fundit e kanë si “detyrë” që t’i tregojnë kuksianëve se nuk do të arrijnë t’i mundin për të katërtën herë rresht. Gjithsesi, çdo gjë mbetet për tu parë, që nga vullneti i mirë i Kukësit për të “sunduar” në çdo pikë të futbollit vendas, e deri tek nevoja e Vllaznisë për të fituar këtu, për të siguruar të paktën përfaqësimin në Kupat e Europës, praktikisht në Kupën UEFA. Po ashtu si dy ekipet e mësipërme, edhe Tirana dhe Apolonia do të riluajnë përsëri, ku kujtojmë që në ndeshjen e parë mes tyre për vitin 2015, në kampionat, Tirana fitoi pa ndonjë mund të madh 2-0 dhe nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha edhe në Kupë, por gjithsesi, duke qenë një tjetër kompeticion, ku Apolonia edhe mund të mbajë shpresa, ndonjë gjë mund të ndryshojë dhe të arrihet një fitore që do të ishte surprizë për futbollin tonë. Ndeshjet do të zhvillohen  të gjitha në orën 14:00, ndërkohë kthimi i takimit do të jetë pas dy javësh, me datën 18-të shkurt.

Takimet e Kupës

Grupi A

Flamurtari-Skënderbeu

Partizani-Laçi

Grupi B

Vllaznia-Kukësi

Tirana-Apolonia

 Tirana-Apolonia, ndeshja zhvillohet me dyer të mbyllura

Takimi i sotëm mes Tiranës dhe Apolonisë do të luhet me dyer të mbyllura, kjo për arsyen se Tirana vazhdon që të vuajë dënimin prej 15 ndeshjesh pa tifozë si skuadër pritëse dhe nisur nga kjo, klubi bardheblu, edhe pse është përmbushur gjysma e takimeve të luajtura dhe tani mund të paguajë, përsëri ka vendosur të mos e paguajë pikërisht këtë ndeshje, duke para që edhe interesi ndoshta nuk do të ishte aq i madhe sa ndaj ndonjë skuadre tjetër. Në deklaratën e bërë, klubi ka lajmëruar se ka paguar ndeshjet e mbetura dhe tre takimet e ngelura të dënimit do të luhen me tifozë.

 “E treta e vërteta”, sot mblidhet Komisioni i Etikës për trukimet e ndeshjeve

Edhe një herë, për të tretën herë mblidhet sot Komisioni i Etikës për rreth situatës aktuale që nuk mund të lihet në harresë, ku ka dyshime të mëdha për trukime ndeshjesh në kampionatin shqiptar të futbollit. Vetëm dy ditë më parë, ditën e hënë, u mblodh për të dytën herë Komisioni i Etikës por nuk arriti më shumë sesa një shtyrje të mëtejshme të çështjes në fjalë, duke e lënë çdo gjë të marrë një zgjidhje pikërisht sot, kur edhe do zhvillohet mbledhja tjetër. Duke qenë se vendimi për Flamurtari-Teuta nuk u mor pasi kishte nevojë për të tjera shqyrtime, duke parë që kishte materiale të shumta, pritet që sot një gjë e tillë të marrë fund, të paktën për këtë takim. Ndërkohë, për ndeshjet e tjera të dyshuara për trukim. Laçi-Partizani dhe Vllaznia-Kukësi, do të dëgjohen dëshmitarët për të arritur në një përfundim, ndërkohë nuk pritet që të ketë të njëjtën vonesë si me ndeshjen e Vlorës, por që gjithsesi çdo gjë mbetet për tu parë në orët e vona të pasdites së sotme.

 Reagon FSHF në lidhje me deklaratën e Liridon Lecit: Ai e ka parë Dukën vetëm në televizion

 Duket se futbolli shqiptar nuk po gjen paqe, duke filluar që nga ndeshjet e trukuara jashtë Shqipërie e deri tek ndeshjet e trukuara në kampionat, e si të mos mjaftonte kaq, FSHF vihet në qendër të vëmendjes për përfshirje në “punët e pista të futbollit”. Kjo, nisur vetëm nga fjalët e Liridon Lecit, i akuzuar dhe i dyshuar për trukim ndeshjesh në Suedi, ku ka rënë pre e kurtheve të ngritura nga gazetarët dhe i janë bërë video ku ai tregon çdo gjë në lidhje me trukimet që ka bërë, kush e ka ndihmuar dhe se si funksionon çdo gjë. Në një pjesë të videove, Leci ka përmendur edhe Dukën si personin që i siguroi pasaportën shqiptare, por direkt pasi çdo gjë u bë publike, FSHF ka dalë me deklaratën zyrtare në lidhje me këtë çështje, ku sqaron qëndrimin e saj në lidhje me fjalët që e kanë përfshirë, por gjithashtu sqarojnë edhe lidhjen me Lecin, që sipas tyre, ky i fundit, Dukën mund ta ketë parë vetëm në televizion. Deklarata është si vijon: “Komentet e bëra prej tij (Liridon Lecit), në një faqe suedeze, janë trillime dhe halucinacione dashakeqëse. Ato kanë për qëllim të hedhin baltë mbi institucionin tone, mbi presidentin dhe emrin e futbollit shqiptar. Personi në fjalë, gënjen me këtë qëllim në mendje ose e bën këtë, për tu shndërruar në personazh mediatik.Liridon Beci nuk ka pasur asnjëherë kontakte me zyrtarë të FSHF, aq më pak me presidentin Armand Duka, të cilin mund ta ketë parë vetëm në TV dhe pastaj fantazon çfarë i vjen ndër mend. FSHF e ka shprehur gjithmonë qëndrimin e saj, për të mbrojtur lojën e ndershme e rezultatin real dhe është në luftë të hapur ndaj fenomeneve të tilla”. Ndër të tjera, deklarata bën me dije se do ta vendosin para përgjegjësisë për shpifje personin në fjalë, ndërkohë që FSHF i bën thirrje mediave shqiptare që të ndihmojnë FSHF-në dhe jo të bëhen pjesë e deklaratave shpifëse që mund të japë një person në cilëndo media të huaj.