“Festa e Detit” bashkon ish-kampionë e rekordmenë në Shëngjin. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Jeni historia e “gjallë” e Notit

371

“Festa e Detit” bashkon ish-kampionë e rekordmenë në Shëngjin. Ndahen diploma e vlerësime. Merr pjesë edhe Presidenti i FSHN-së

Agim Çiraku: Jeni historia e “gjallë” e Notit

Veteranët “turbullojnë” Adriatikun

FITUESIT E GARËS – Durrsakë e shkodranë në podium

Sadik Mema: Sot në Lezhë “zbarkoi” historia shqiptare e notit

Bujar Qesja: Historia e notit flet sot në Shëngjin

Sigal

Agim Çiraku: Jeni historia e “gjallë” e Notit

Duke qenë pjesëmarrës i “dyfishtë” në veprimtarinë “Festa e Detit”, si ish-notar e sot President i Federatës Shqiptare të Notit (FSHN), zoti Agim Çiraku tregoi edhe humanizmin e respektin për të gjithë këto figura në sportin e notit, duke ja u lehtësuar barrën financiare, këtë herë si një biznesmen që Notit nuk i kursehet veteranëve në çdo event. “Unë ju falenderoj të gjithëve që edhe mua si veteran në sportin e notit, më bëni pjesë tuajën në këtë veprimtari kaq domethënëse. Sot kjo nuk u takon vetëm lezhjanëve, por gjithë Shqipërisë. Këto emocione që po sjell Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit Shqiptar (SHKVNSH) do t’i quaja si vlerë edhe për ditët e sotme. Sepse Lezha me “Besëlidhjen” e saj që dikur kishte edhe kampionë e kampione, sot këtë sport të ujit e ka në nivele të ulta. Respekt për të gjithë ju që keni dhënë kontributin tuaj në historinë e Notit në Shqipëri. Jeni historia e “gjallë” e Notit në Shqipëri”.

Veteranët “turbullojnë” Adriatikun

“Duke sfiduar moshën, kushtet financiare dhe ato gjeografike, sepse disa prej këtyre veteranëve jetojnë edhe jashtë Shqipërisë, ata e risollën një pjesë të historisë së tyre të përbashkët këtu në plazhin e bukur të Shëngjinit.”

Zgjati rreth 24 orë si veprimtari, por “Festa e Detit” për veteranët e Notit në Shqipëri në kujtimet e saj shkoi shumë larg dhe afër. Dikur të rinj e të reja dhe sot me thinja apo edhe pa flokë, grupi i veteranëve të sportit të Notit u bënë protagonistë në këtë festë, e inicuar nga Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit në Shqipëri. Por ajo u mbështet nga Bashkia Lezhë, ndërsa Federata Shqiptare e Notit i bashkoi këto vlera edhe financiarisht. Kjo ishte hyrja e kësaj veprimtarie që nisi nga Bar Restorant “Peshkatari” në Shëngjin, për t’u mbyllur pranë portit të këtij qyteti të vogël, por që dje dukej sikur të ishte kryeqyteti i muajit në vendin tonë. Aty i sollën kujtimet e tyre edhe mjeshtrat e mëdhenj të notit shqiptar, si vlonjati Pavllo Kisi dhe shkodrani Emin Lishi. Së bashku me ta erdhën edhe 80 vjeçari Sulejman Poda, i cili e çoi garën deri në fund, ish-kampioni Aleksanër Konomi nga Durrësi, “Lokomotiva” e Lokomotivës së Durrësit, ish-kampioni Jani Kurti. Dhe me radhë: Frida Devolli, Feride Reçi, Gjergj Mlloja, Ferdinand Ndocaj, Shyqyri Kërpaçi, Kol Shiroka, Tomor Dano, Myrteza Didati, Skënder Muço, Ilirjan Kreshpa, Fatmir Shpuza, Medi Muriqi, Zamir Kozmai, si dhe veterani më i ri, Andi Kongoli. Ishin këta ish-kampionë e rekordmenë, që veprimtarinë “Festa e Detit” e zbukuruan në retrospektivën e viteve, natyrisht kur edhe Besëlidhja e Lezhës me kampionët e saj ishte protagoniste reale dhe rivale me notarë të ekipeve nga Tirana, Vlora, Shkodra e Saranda. Dhe si “qershia mbi tortë”, në këtë veprimtari ishte i pranishëm familjarisht edhe gazetari i vjetër sportiv, durrsaku Bujar Qesja. Së bashku me bashkëshorten e tij, Kostandinën, Bujari nuk harroi që si pjesëmarrës i medias, jo vetëm ta vlerësonte, por edhe ta shpërndante në “kohë rekord” me teks dhe foto në të gjithë botën e internetit.

Kishte edhe një tjetër të veçantë shumë të bukur kjo veprimtari, pasi të gjithë ata dhe ato që morën pjesë, u respektuan me një “Çertefikatë Mirënjohje”, një traditë kjo prej vitesh nga Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit Shqiptar (SHKVNSH). Natyrisht që Presidenti i kësaj shoqate, Sadik Mema (Pupi), si ideator dhe organizator e mori mirënjohjen jo vetëm nga pjesëmarrësit, por edhe nga qindra qytetarë, që në këtë fundjavë me mot të alternuar ishin të pranishëm në plazhin e bukur të Shëngjinit.

Këto ishin emocionet e vetaranëve të notit shqiptar që në funjavën e shkuar e “turbulluan” Adriatikun në bregdetin e Shëngjinit.

PROGRAMI I VEPRIMTARISË

Dita e parë, datë 17 qershor 2021

Ora 18:00 Pritja në Bar Restorant “Peja” në Shëngjin.

Ora 19:00 Takimi në Bar Restorant “Peshkatari”, Shëngjin.

Ora 20:45-23:00 Ceremonia zyrtare me fjalime, biseda, mbresa dhe kujtime nga të gjithë pjesëmarrësit. Ndjekja në television e ndeshjes Shqipëri-Moldavi 2-0.

Ora 22:45-23:15 Ndraja e çertefikatave të Morënjohjes së Notit Shqiptar dhe Çertefikatave të pjesëmarrjes.

Ora 23:30 Mbyllja e veprimtarisë ditore.

Dita e dytë, datë 18 qershor 2023

Ora 09:00 Pritja e pjesëmarrësve në bregun e detit pranë portit në Shëngjin.

Pra 09:30 Nisja e garës rreth 500 metra në detin Adriatik.

Ora 10:30 shpallja e fituesve dhe ndarja e çmimeve dhe e certifikatave të garës.

Ora 11:30 mbyllja e veprimtarisë dhe shpërndarja e pjesëmarrësve nga rrethet.

FITUESIT E GARËS

Durrsakë e shkodranë në podium

Gara e veprimtarisë “Festa e Detit” u zhvillua në paraditën e së dielës së 18 qershorit 2023, në bregun që ndan plazhin me Portin në Shëngjin. Në këtë garë, për efekt moshe por edhe të motit të ftohtë, garuan 15 ish-notarë. Garuesit e përfunduan të gjithë garën, pavarsisht moshës së tyre, ku më i moshuari ishte 80-vjeçari nga Tirana, Sulejman Poda, u duartrokit nga shumë qytetarë që u ndodhën të pranishëm në këtë garë. Duhet thënë se nga ana e Bashkisë së lezhës, masat për garën ishin shumë korrekte, ku veç sinjalistikës, ekipit të arbitrave e kronometristëve, ishte e pranishme edhe Ambulanca me ekipin mjekësor nga Spitali rajonal i Lezhës.

FITUESIT

Vendi i parë: Andi Kongoli

Ish-notar i Durrësit

Vendi i dytë” Medi Muriqi

Ish-notar i Vllaznisë

Vendi i tretë: Zamir Kozmai

Ish-notar i Vllaznisë

 

Sadik Mema: Sot në Lezhë “zbarkoi” historia shqiptare e notit

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Vetaranëve të Notit në Shqipëri, Sadik Mema (Pupi), me qetësinë e tij “Olimpike”, njëherësh edhe me modestinë e një ish-kampioni, theksoi se kjo veprimtari i takon gjithë historisë së Notit Shqiptar. “Kur erdha muaj më parë për të biseduar për organizimin e kësaj veprimtarie, në Bashkinë e Lezhës më pritën sikur do të organizonim ndonjë event që në përmasat e tij shtrihej shumë edhe gjeografikisht. Që nga Kryetari, Pjerin Ndreu, dhe i gjithë stafi që merret me sportet në këtë bashki, treguan respekt dhe interes, e kontributi i tyre sot e bën këtë një veprimtari emocionuese, argëtuese, por edhe respektuese. Kam patur fatin që këta kampionë e kampione ti njihja që në rininë e bukur të tyre, dhe sot më duket sikur notarët lezhjanë do na “kërcënojnë” si dikur me rezultatet e tyre mjaft të mira për kohën”,- kështu theksoi Pupin ë cilësinë e kryetarit të kësaj shoqate, të cilën ai e drejton me shumë passion, mirëkuptim e bashkëpunim gjeografik. Ndërkohë që gjatë dhënies së Çertefikatave të Mirënjohjes, Sadik Mema i vendosi të gjithëve nga një “diçiturë”, jo vetëm për t’i respektuar kontributin gjithësecilit prej tyre, por për ta thënë historinë ashtu sikundër ajo ka qenë realisht dhe shprehet konkretisht me emocion. “Dikur merrnim çertefikata apo diploma pas garave që zhvillonim, por këto sot duken si më të “mëdha” dhe më emocionale”.

Një “merak” kishte Pupin ë këtë veprimtari, kjo jo vetëm si një veteran i këtij sporti, por edhe si një trajner i sukseshmë që atmosferën lezhiane sot nuk e ka në garat kombëtare që organizohen nga Federata Shqiptare e Notit në Shqipëri. “Kur erdha sot këtu në Shëngjin, ndjeva emocion sepse i kujtoj të gjithë ata notarë e notare, të cilët në vitet e arta të tyre, 1960-1980, ishin protagonistë në rezultate, por edhe si kampionë e rekordmenë. Sot Besëlidhja e ka “fshirë” emrin e saj nga veprimtaritë kombëtare të notit, duke mos qenë pjesë e garave për gati 30 vite. Por unë këtë veprimtari do ta quaja edhe si një pedanë të ringritjes”.

Altin Përgjonaj, përgjegjës i Rinisë e Sporteve, Bashkia Lezhë

Ju faleminderit që na respektuat historinë tonë

Përgjegjësi i Rinisë e Sporteve në Bashkinë Lezhë, Altin Përgjonaj, e vlerësoi veprimtarinë “Festa e Detit” edhe si një respekt të historisë, që kanë shkruajtur notarët e Besëlidhjes, e më së shumti ata që nga Shëngjini i jepnin kësaj skuadre shkëlqimin e kohës. “Edhe vetë kryetari i Bashkisë, zoti Pjerin Ndreu, ka qenë shumë aktiv në të gjithë këtë organizim, edhe pse sot për arsye pune ai ndodhet jashtë Shqipërisë. Ju na e zbukuruat këtë veprimtari, treguat se historia lezhiane në sportin e notit ka qenë me vlera dhe ka lënë gjurmët e mira të saj. Respektuat njëherësh qytetarinë sportive lezhiane, dhe në veçanti ata që këtu në Shëngjin kishin krijuar “pishinat” e gjalla të notimit”.

Bujar Qesja: Historia e notit flet sot në Shëngjin

Jo vetëm për kohën e gjatë profesionale si gazetar sportiv, por edhe për të veçantat që Bujar Qesja sjell kur ai flet për historinë e notit në Shqipëri, natyrisht që edhe e zbukuruan veprimtarinë, njëherësh me pjesëmarrjen familjare të tij. Sepse së bashku me bashkëshorten, Kostandinën, Bujari ishte “non-stop” pjesë e këtij eventi. “Ju sot notoni në kujtimet tuaja, por kështu historia ka zbritur këtu në Shëngjin dhe flet me kujtime e mbresa, me sa e sa gara, ku edhe Besëlidhja ishte një nga protagonistet. Shoqata juaj rezaton bujari dhe familjaritet, por unë do të uroja që të gjithë të kenë jetë sa më të gjatë për ju që e shkruat këtë histori kaq të bukur”.