Federata njofton klubet të fillojnë aktivitetin

404
Sigal

Pas mbledhjes së sotme mes Presidentit të Federatës, Armando Dukës, me Kryeministrin, Edi Rama, dhe me Presidentët e Klubeve, duket se është zgjidhur dhe bojkoti nga ana e arbitrave pas ngjarjes së dhunës në Kamëz.

Klubet kanë marrë njoftimin nga Federata, për të zbritur rregullisht në fushë në bazë të kalendarit, që përkon me çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë duke nisur nga dita e nesërme. Kështu, nesër do të luhen dy sfidat e para, teksa Teuta do të presë Kukësin,me dy skuadrat që këtë sezon po garojnë edhe për titullin kampion, ndërsa në stadiumin “Selman Stermasi”, Partizani do të luajë ndaj Luftëtarit, teksa dy skuadrat kanë objektiva krejtësisht të ndryshëm këtë sezon.

Sakaq, të mërkurën do t’i takojë skuadrës së Tiranës, të presë në kryeqytet Laçin. Për bardheblutë Kupa është një mundësi e mirë për t’u kualifikuar në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm pasi rruga nga kampionati është e ndërlikuar.

Sa i përket takimit mes Kamzës dhe Skënderbeut, korçarët janë kualifikuar matematikisht për në gjysmëfinale, pas vendimit të komisionit të disiplinës, që dënoi kamzalinjtë për dhunën në kampionat, duke i pezulluar nga çdo aktivitet futbollistik i këtij sezoni, ndërkohë që nga sezoni i ardhshëm do të aktivizohen në kategorinë e dytë.

Të martën

Teuta-Kukësi

Partizani-Luftëtari

Të mërkurën

Tirana-Laçi