Fatjon Tafaj: Largimi nga zona Play-out, mision i mundur për Kukësin

66
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Trajneri Fatjon Tafaj, tregon synimin deri në mbyllje të kampionatit

Agron KAJA

Agron Kaja

Fatjon Tafaj e nisi me këmbën e mbarë bankinën te skuadra e Kukësit në Kategorinë e Parë, me një fitore bindëse 3-0 ndaj Valbonës. Edhe pse kishte vetëm një ditë i kontaktuar me drejtuesit e skuadrës, Tafaj e quajti këtë ndeshje si një njohje me skuadrën, që sipas tij, ka element të mirë, të rinj të alternuar me më të vjetrit. Nisja me këmbën e mbarë për të si trajner i verilindorëve, do të thotë se duhet më shumë vazhdimësi që skuadra t’i shmanget zonës Play-out. “Fitorja me Valbonën ishte e merituar, mund të ishte edhe më e thellë. Por tri pikët janë të vlefshme, si të fitosh me Valbonën apo me Vorën kryesuese. Kukësi mendoj se ka qënë ekip i pa fat gjatë këtij sezoni që po luan në Kategorinë e Parë, dhe pas kësaj fitoreje na duhet vazhdimësi që të shmangim zonën e Play-out-it, duke nisur që nga ndeshja e ardhshme me Erzenin në Vorë”, kështu e nisi dje bisedën trajneri i ri i Kukësit Fatjon Tafaj, i cili u ndal më pas edhe tek situata aktuale të skuadrës. “Ekipi ka më shumë përbërje me lojtarë të rinj dhe pa eksperiencën e duhur në Kategorinë e Parë. Por alternimi me tre-katër më të vjetrit, besoj se do ta bëjë të mundur arritjen e synimit. Sepse e ekipi prodhon lojë, por duke qënë se janë të rinj dhe pa eksperiencën e duhur, ndodhet në këtë pozicion në tabelën e renditjes. Kjo situatë mund të jetë edhe çështje fati, sepse golat i kanë pësuar në fund, madje me gola sporadikë”. Në fakt, Tafaj është trajneri i katërt në bankinën kuksiane, çka për të nuk ka fare rëndësi, sepse situata të tilla ai i quan normale brenda profesionit të trajnerit. Më parë kanë drejtuar Ilir Spahiu, Emiliano Çela dhe Alfred Allamani, “Nuk është problem se sa trajnerë e kanë drejtuar Kukësin në këtë sezon, sepse situata e skuadrës kërkon një psikologji ndryshe, jo “kronikë të zezë”. Unë i falenderoj paraardhësit, me Allamanin të fundit, sepse kanë bërë maksimumin për ngjitjen në renditje. Deri në mbyllje të kampionatit janë edhe shtatë ndeshje me 21 pikë. Ndaj edhe ne të gjitha këto ndeshje do ti marrim me rradhë, sepse çdo tre pikësh i rëndësishëm për t’u larguar jashtë zonës Play-out. Këto ditë kemi punuar më shumë me topin dhe për situata taktike. Deri sfida me Erzenin që do luhet të dielën në Vorë, mendoj se do të kemi formën e gjëndjen më të mirë për ta kaluar me sukses”, ishte kjo biseda me trajnerin e ri të Kukësit, Fatjon Tafaj, i cili edhe pse ka marrë një detyrë në një pozicion të vështirë, nuk e quan mision të pamundur objektivin jashtë zonës Play-out.

EURO U-17/ VAJZA

Shqipëria humbet me Andorrën, por shkëlqen Amelia Reçi

Kombëtarja shqiptare e vajzave U-17 po merr pjesë në ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian, Liga B-Grupi B3, të cilat po luhen në Centre d’Entrenament FAF Santa Coloma, pranë kryeqytetit la Vella të Andorrës. Në ndeshjen e parë ndaj Izraelit, vajzat kuqezi humbën 1-3, ku golin e vetëm e shënoi sulmuesja e talentuar Amelia Reçi, në minutën e 67-të me një goditje të bukur nga jashtë zone. Ndërsa dje, Kombëtarja e vajzave U17 luajti ndeshjen e dytë, këtë herë ndaj Andorrës mikpritëse e këtij grupi dhe e humbi 0-1 me penallti. Edhe këtu, sulmuesja Reçi bëri gjithçka për golin ku edhe pse u ndëshkua me 2 kv (1 kk), por u vlerësua lojtarja e ndeshjes për Kombëtaren tonë, që regjistroi humbjen e dytë në këtë turne. Në takimin tjetër të këtij grupi, Bjellorusia fitoi 3-2 ndaj Izraelit. Ditën e hënë më 10 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grup me Bjellorusinë, në orën 12:00, në shancet e fundit për të marrë pike nderi.

Liga B / Grupi B3

Ndeshjet – Shqipëria

Datë 4 mars 2025

Izrael-Shqipëri             3-1

Datë 7 mars 2025

Shqipëri-Andorrë        0-1

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

1.Bjellorusi      2          4

2.Andorrë        2          4

3.Izrael            2          3

4.Shqipëri        2          0

Datë 10 mars 2025

Shqipëri-Bjellorusi      12:00

 

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 27

Datë 9 mars 2025

Besa-Lushnja                          14:00

Burreli-Pogradeci                    14:00

Erzeni-Kukësi                         14:00

Flamurtari-Kastrioti                14:00

KF Valbona-Korabi                14:00

Vora-Apolonia                        14:00

RENDITJA        

Skuadrat                    Nd       Pikë    

1.Vora                         26        66

2.Flamurtari                 26        62

3.Besa                         26        55

4.Burreli                      26        44

5.Lushnja                    26        37

6.Pogradeci                 26        37

7.Kastrioti                   26        31

8.Apolonia                  26        30

9.Korabi                      26        25

10.Kukësi                    26        24

11.Valbona                  26        13

12.Erzeni                     26        8

 

Korabi gjen trajnerin Nr 2 të sezonit

Pas largimit të Agim Canaj nga stoli i Korabit, dje drejtuesit e kësaj skuadre kanë gjetur zëvendësuesin e tij, ku Alfred Deliallisi do të jetë trajneri i ri i Korabit për pjesën e mbetur të sezonit. Canaj është trajneri i 13-të që largohet brenda këtij sezoni në Kategorinë e Parë. Korabi mban vendin e 9-të, me 5 pikë më pak se Apolonia që është jashtë zonës së rënies nga kategoria.