Artan Mergjyshi: Skema “Final 4” dhe tifozeria, dy elementët e dobët të sezonit

49
Sigal

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit Artan Mergjyshi, në këndvështrim kritik për rrugëtimin e Superiores

Agron KAJA

Agron Kaja

Duke qënë një ish-futbollist dhe ish-trajner në Superiore, si ndjeheni sot pa futbollin shqiptar?

Natyrisht që na mungon shumë, edhe pse kur jemi në punë ka ai të veçantat e tij duke na rrëmbyer deri në ekstrem. Na është bërë si pjesë e jetës dhe ndjehemi si të vetmuar, edhe pse kjo është periudha më e pranueshme që zyrtarisht mos luhet  futboll.

E kanë plotësuar këtë boshllëk ndeshjet finale të Kampionatit Europian U17 “Shqipëria 2025”?

Unë mendoj se është gjë pozitive për brezin e Kombëtares U17 që luhen finalet e kësaj moshe në vëndin tonë. Kjo duhet të jetë një nxitje për këtë moshë, edhe pse lojtarët tanë nuk luajnë në Shqipëri. Mendoj se është një fat për ta.

Si e përshkruani rrugëtimin e skuadrave të Abissnet Superiore për sezonin, që u mbyll, 2024-2025?

Ka qënë një rrugëtim i gjatë, i bukur dhe i vështirë. Verdiktet ishin të drejta me Egnatian që e meritoi titullin, e cila e menaxhoi mirë “Final 4”, ndërsa në finale tregoi potencialin e sa ndaj një Vllaznia që zhgënjeu çuditërisht.

Edhe në këtë sezon, skuadra kampione dhe ato që do luajnë në Europë u ndeshën në “Final 4”, është skemë e vlefshme për futbollin shqiptar?

Unë besoj se nuk duket një skemë e përshtatshme për disa arsye. Sepse skuadrat e kreut kanë një renditje që duhet të shpërbleheshin duke arritur objektivin, më pas ndjejnë relaksim që ndikon në garë. E mendoj një Superiore pa skemën “Final 4”.

Çfarë risie i dhanë Superiores shqiptare katër ndeshjet e “Final 4”?

Nuk mund ta them se ishte një risi, por fakti që kjo skema “Final 4” nxjerr kampion edhe një skuadër që nuk e ka patur ecuri të tillë në kampionat, është një risi e dështuar. Kjo skemë duhet ndryshuar, sepse nuk jemi ne vëndi novator.

Nga java 1 e deri te java 36, në cilën fazë të tij kampionati ishte më interesant, apo edhe me rival?

Kampionati u bë interesant në fazat 3 dhe 4 kur renditja u nda në dy grupet. Sipër për “Final 4” dhe poshtë për mbijetesë, ku edhe pati më shumë bukuri e rivalitet. Sepse në fazën e katërt filluan relaksime nga skuadrat e kreut, pse jo edhe me lëshime.

Duhet thënë se në sezonin e mbyllur tifozeria ka marrë “mungesë me arsye” në shkallët e stadiumit?

Unë mendoj se tifozeria pret më shumë nga kampionati ynë, dhe përpos politikave të klubeve e FSHF-së, ishin edhe disa tolerime që i larguan ata nga stadiumet. Edhe klubet e futbollit duhet të punojnë shumë të afrojnë tifozerinë që nga shkollat.

Sa ndikuan në skuadra largimet e trajnerëve gjatë zhvillimit të garës së këtij sezoni?

Largimi i trajnerëve është një problem më vete, që sa vjen e shtohet. Trajneri po nëpërkëmbet, nuk konsiderohet si institucion, një person që duhet respektuar. Këtu mendoj se veç menaxhimit nga Presidentët, trajnerët duhet të jenë korrektë  me kontratat e tyre.

Po arbitrat, ishin faktorë në ndeshjet e Superiores, apo kishte përmirësim në gjykimet e këtij sezoni?

Arbitrat duhet t’i shohim si një skuadër më vete. Mendoj se kanë përmirësime, por duhet të kenë performancë më pozitive në ndihmë të lojës. Arbitrat duhet të lejojnë më shumë lojën efektive, me më pak ndërprerje. Ndërsa kishte edhe gjykime me dy standarte. Për mua nuk marrin notë të mirë, edhe pse VAR-i i ndihmoi shumë.

Katër skuadrat që do luajnë në Europë, çfarë duhet të përmirësojnë për paraqitje më dinjitoze nga sezoni i kaluar?

Pjesëmarrja në Europë është një hall më vete për skuadrat tona. Është periudhë e keqe për to, sepse nuk duhet të prishin organikën me ndryshime të mëdha. Si çdo vit, nuk do kenë sukses dhe nuk do ketë rezultate në Europë, por turin e parë duhet ta kalojnë.

 

Tirana dhe Apolonia ende në “garë”, barazojnë në miqësore

Apolonia dhe Tirana nuk i kanë mbyllur ende stërvitjet, edhe pse kampionati për këto dy skuadra ka disa javë që ka përfunduar. Skuadrat po të vijojnë me përgatitjet edhe gjatë muajit maj, dhe ditën e djeshme Tirana ka qënë mysafire në Fier, teksa ka luajtur një miqësore me Apoloninë vëndase. Në përballjen mes tyre skuadrat janë ndarë në barazimin 1-1, një finish për të dyja para kalimit me pushime të futbollistëve dhe stafit teknik.

ABISSNET SUPERIORE

    VERDIKTET

SEZONI 2024-2025

Kampione                      Egnatia

N/Kampione  Vllaznia

Kryegolashënues

Bekim Balaj                19 gola

Dinamo                       Kupën

Luajnë në Europë

Egnatia, Vllaznia,

Partizani, Dinamo City

Zbritën në Kat. e Parë

Skënderbeu dhe Laçi

U ngjitën në Superiore

Vora dhe Flamurtari

    SEZONI 2025-2026

Skuadrat pjesëmarrëse

1.Egnatia                     Rrogozhinë

2.Vllaznia                    Shkodër

3.Partizani                   Tiranë

4.Dinamo City             Tiranë

5.AF Elbasani              Elbasan

6.Teuta                        Durrës

7.Bylis                         Ballsh

8.Tirana                       Tiranë

9.Vora                         Vorë

Shashka e Brdariç nuk “plasi”, Balaj do vazhdojë te Vllaznia.

Në përfundim të kampionatit të kaluar, u gjykua se ky mund të ishte edicioni i fundit si profesionist për 34- vjeçarin Bekim Balaj. Madje, hije dyshimi u ngritën  pasa fjalëve që shprehu ish-trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç i cili e vuri në dyshim të ardhmen e sulmuesit shkodran në futbollin e luajtur. Por diçka e tillë as që mendohet nga ana e ish-sulmuesit të Kombëtares, i cili dje ka shprehur gatishmërinë për të qënë në përbërjen e Vllaznisë me trajner Edi Martini. Vetë Balaj ka edhe një vit kontratë me shkodranët, marrëveshje, të cilën ai do ta respektojë deri në fundin e saj. Në dy sezonet e fundit në Superiore, Bekim Balaj ka fituar dy herë “Këpucën e Artë”, si golashënuesi më i mirë. Së pari në edicionin 2023-2024 me 17 gola, si dhe në atë atë 2024-2025 me 19 gola të shënuar. Kështu, “bomba” e Brdariç ishte një shashkë e tij në ikje.

Armando Sadiku “çështje” e merkatos, në Elbasan e mirëpresin

Që Armando Sadiku është një nga sulmuesit më të mirë në futbollin shqiptar, këtë e tregojnë vetë të dhënat e këtij futbollisti, i cili në karrierën e tij ka provuar të luajë në 16 skuadra futbolli, mes tyre tre skuadra shqiptare, ndërsa pjesa më e madhe e karrierës së tij është zhvilluar jashtë Shqipërisë. Kujtojmë se Sadiku është golashënuesi i golit të vetëm në finalet e Euro 2016, duke hyrë në historinë e Kombëtares shqiptare, me të cilën ka luajtur 39 ndeshje e ka shënuar 12 gola. Janë të gjitha këto cilësi që kanë detyruar drejtuesit e AF Elbasani ti kthejnë sytë nga ky bomber, dhe dyshimet janë shtuar më shumë ditën e enjte në mbrëmje, teksa Armando Sadiku ka qënë në stadiumin “Elbasan Arena” në ndeshjen e Euro 2017, Shqipëri-Gjermani 0-4. Drejtuesit e AF Elbasanit kanë treguar mediatikisht interes për Sadikun, por zyrtarisht ende nuk ka ardhur kërkesa ndaj sulmuesit.