“SHQIPËRI 2025”/ Startuan ndeshjet në grupet kualifikuese të Euro 17, Shqipëria e nisi me humbje.
Ditën e hënë, stadiumi “Air Albania” u zhurmua nga starti i Kampionatit Europian të Futbollit Euro U17. Një event ky që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, dhe për futbollin shqiptar do të jetë një vitrinë e njohjes së Shqipërisë së futbollit, edhe në organizim e infrastrukturë. Vetë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, jo vetëm që e përshëndeti eventin në rrjetët sociale, por edhe ditën e çeljes në stadium, ai e rikonfirmoi si një mundësi unike për të rinjtë tanë që të tregojnë talentin e tyre. “Data 19 maj shënon një ditë historike për futbollin shqiptar. Për herë të parë në vendin tonë zhvillohet një Kampionat Europian, UEFA Europian U17, Championship Albania 2025. Një mundësi unike për të rinjtë tanë që të tregojnë talentin, për tifozët që të përjetojnë emocione të mëdha dhe për gjithë Shqipërinë që të jetë në qendër të vëmendjes europiane. Mirë se vini Portugalia, Gjermania, Franca, Italia, Anglia, Belgjika dhe Çekia, le të jetë ky Europian një festë e vërtetë në Tiranë, Durrës, Rrogozhinë dhe Elbasan”, ishte kjo përshëndetja e Njëshit të FSHF-së, që më pas ja la vëndin ndeshjes Shqipëri-Portugali, e para në rrugëtimin e këtij eventi. Kjo ishte një ndeshje që nisi si e barabartë për të dyja skuadrat, ku kuqezinjtë në disa raste u treguan edhe të rrezikshëm, por pa shënjestër të saktë. Vetëm 36 minuta zgjati barazpesha në fushë, pasi portugezët shënuan me anë të kapitenit të tyre Quintas, për ta mbyllur në favorin e tyre pjesën e parë. Edhe e dyta nisi si e barabartë, ndërkohë që penalltia në favor të portugezëve në minutën e 68-të sikur i preu shpresat kuqezi për ndonjë barazim. Deri në mbyllje, minutat e mbetura folën për Portugalinë, ku edhe me ndryshimet që bëri italiani i bankinës sonë, asgjë nuk e ndaloi skuadrën kundërshtari ta vuloste në 0-4 rezultatin. Ndërsa trajneri italian Andrea Tedesko, në fundin e ndeshjes duket sikur skuadra i kishte dalë nga pritshmëritë. “U kërkova lojtarëve të bënin në mënyrë të jashtëzakonshme gjëra të vogla dhe të thjeshta. Nëse do të ishim në gjendje të bënim këtë, do të ishim në gjendje të përballeshim me këtë lloj ndeshje. Por nëse fillojmë e humbim përqendrimin dhe duelet në fushë, do të jetë e vështirë. E rëndësishme është që lojtarët të ndryshojnë nga ky këndvështrim, pasi ndeshjet ndërkombëtare janë kështu”. Në Grupin A, Franca mundi 3-0 Gjermaninë, dhe së bashku me Portugalinë kryesojnë renditjen në grup. Të martën u luajtën edhe dy ndeshjet e para të Grupit B.
KATEGORIA E PARË
FSHF mendon për Sponsorin Gjeneral, periudha 2025-2028
FSHF-ja ka bërë njoftim për të interesuarit, duke shpallur hapur thirrjen për bashkëpunim me kompani të interesuara për të marrë rolin e “Emrit tregtar” dhe “Sponsor Gjeneral të Kategorisë së Parë”, periudha 2025–2028. Ky duket një hap strategjik drejt rritjes së mëtejshme të vlerës së markës së kampionatit dhe krijimit të partneriteteve afatgjata me aktorë të rëndësishëm të tregut. FSHF ofron mundësinë për të qenë pjesë aktive e zhvillimit të futbollit shqiptar, në një ndër platformat më të ndjekura dhe më të ekspozuara në vend. Pozicionet e hapura për sponsorizim përfshijnë: Emri tregtar i kampionatit kombëtar; Sponsor Gjeneral i Kategorisë së Parë. Dhe çfarë përfiton kompania partnere: 1.Emërtimi ekskluziv i kampionatit; 2.Prani e garantuar në fanella, pankina, topa zyrtarë dhe materiale vizuale të FSHF; 3.Dukshmëri e lartë në televizion dhe në media ndërkombëtare; 4.Aktivizime dhe ndërveprim me audiencën më të madhe sportive në Shqipëri. Afati për shprehjen e interesit deri më 27 maj 2025.
Pushime të zgjatura te Skënderbeu, trajneri ende në “ajër”
Të tronditur pas rënies nga Superiorja, klubi i Skënderbeut merr një vendim disi të papritur. Pasi e mbylli sezonin që lamë pas në mënyrën më të keqe të mundshme, deri më tani klubi i Skënderbeut ka qenë në heshtje. Vetëm disa prej lojtarëve kanë reaguar në lidhje me rënien nga Kategoria, ndërkohë vetë klubi ka marrë një tjetër vendim që s’pritej, duke marrë pushimet deri në fundin e muajit qershor, gjë që e bën disi të pakuptimtë gjithë këtë pushim, duke i shtuar këtu edhe mosreagimin nga klubi. Vlen të theksohet se klubi po vazhdon të merret me merkaton për të “krijuar” ekipin që do të kërkojë rikthimin në elitë. Përsa i përket çështjes së trajnerit, kjo temë mbetet ende në “ajër”. Nuk dihet nëse trajneri Ernest Gjoka do të vazhdojë të jetë në krye të pankinës së Skënderbeut, apo bashkëpunimi do përfundojë këtu. Gjithsesi, me merkato në letër dhe heshtje nga ana e Presidentit dhe drejtuesit korçarë për vazhdimësinë me Gjokën, duken si disheza e parë pas dështimit nga Superiorja.
Histori e re, Shqipëria mes gjigantëve finalistë
Shqipëria, Gjermania, Franca, Portugalia, Çekia, Belgjika, Anglia dhe Italia janë 8 ekipet finaliste të Kampionatit Europian U17 “Shqipëri 2025”. Pas përfundimit të raundit të dytë të kualifikuesve në Ligën A, shtatë vendet e para të çdo grupi siguruan pjesëmarrjen në finale, ku do të luftojnë së bashku me Shqipërinë si vend organizator për trofeun e Kampionatit Europian U17. Ky është kampionati i 44-tër Europian për moshën e 17 vjeçarëve, pasi ka nisur që në edicionin 1980-1982 me fituese Gjermaninë Perëndimore, ndërsa kampionatin e fundit në vitin 2023 e fitoi Italia.
Ndeshjet – Grupi A
E hënë, 19 maj 2025
Shqipëri-Portugali 0-4
Gjermani-Francë 0-3
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Portugalia 1 3
2.Franca 1 3
3.Gjermania 1 0
4.Shqipëria 1 0
E enjte, 22 maj 2025
Shqipëri-Gjermani 18:00
(Në “Elbasan Arena”)
Francë-Portugali 20:30
(Në “Arena Kombëtare”)
E dielë, 25 maj 2025
Francë-Shqipëri 20:30
(Në “Elbasan Arena”)
Portugali-Gjermani 20:30
(Në “Arena Kombëtare”)