Alban Bushi: “Sekretet e De Biazit”

483
Sigal

Menaxheri i Kombëtares zbulon stilin e punës së trajnerit italian: “Është njeri i detajeve”

Alban Bushi është menaxheri i Kombëtares shqiptare dhe i vetmi shqiptar që është pjesë e stafit prej katër italianësh në përfaqësuese, me në krye trajnerin Xhani De Biazi. Ish-sulmuesi dhe ish-rekordmeni i Përfaqësueses (14 gola) e njeh në detaje punën e De Biazit. Së bashku me të ai ka udhëtuar thuajse në të gjithë Europën, në ndjekje dhe në kërkim të lojtarëve dhe të “gjakut të ri kuqezi”. Për gazetën “Telegraf” ai tregon detajet e punës me italianin, marrëdhëniet më De Biazin, por dhe disa “sekrete” të karakterit dhe se çfarë i pëlqen këtij të fundit nga Shqipëria. Bushi, i cili është një ndër sulmuesit më produktivë me Kombëtaren tha, se Edgar Çani mund të jetë e ardhmja e vijës së parë të kuqezinjve, kjo për vetë aftësitë e këtij të fundit.

Alban, jeni prej thuajse një viti në rolin e menaxherit të Kombëtares shqiptare, si ndiheni në këtë detyrë?

Ndihem shumë mirë, kjo dhe për faktin se 12 vjet me radhë unë isha një lojtar i Kombëtares. E njoh mirë ambientin, dhe për më tepër është një punë që e bëj me shumë dëshirë. Dua të veçoj bashkëpunimin me trajnerin Xhani De Biazi, me të cilin kam ndërtuar marrëdhënie me të vërtetë të mira dhe tepër efikase. Në stafin teknik janë katër italianë, përfshirë dhe dy ndihmës trajnerët, Paolo Tramexanin dhe Anxhelo Perenin, si dhe përgatitësin atletik Alberto Belen. Ndihem goxha i respektuar, pasi dhe mendimet e mia i marrin në konsideratë, pasi dhe unë kam një rol të rëndësishëm. Të kuptohemi, që për detajet teknike, përfshirë formacionin, është trajneri ai që vendos. Gjithsesi, e rëndësishme është që të shkojmë mirë.

Bushi, ju keni qenë nën urdhrat e disa prej trajnerëve të huaj të Kombëtares, përfshirë Dosenën, Brigelin dhe Bariçin. Si do ta përshkruanit De Biazin?

Është një tip shumë impulsiv. Është një trajner i mirë dhe tepër i organizuar, madje deri në detajet më të imta. Mendoj se, i duhet Shqipërisë, por për një kohë të gjatë. Hë për hë, dhe ai është i bindur se i duhet shumë punë me këta lojtarë që kemi. Them se, nëse do të rijë 5-6 vjet jam i bindur se do të jemi në finalet e një Botërori apo Europiani. Kjo, duke parë dhe bazën e lojtarëve që kemi në ekipet e moshave. Ka shumë talente, si Shpresat, ashtu dhe te U-19-ta.

Çfarë duhet të korrigjojë në lojën e skuadrës?

Mendoj se, duhet të shikojë më shumë nga sulmi. Kjo dhe për vetë faktin se, kujdeset më shumë për pjesën ofensive.

Ju keni mbajtur rekordin e Kombëtares për disa vite, në kuotën e 14 golave, përpara se ta thyente atë Erjon Bogdani, i cili tani është në atë të 17 golave. Cili është gjykimi juaj për sulmuesit e përfaqësueses?

Kemi pesë-gjashtë sulmues. Kemi shumë alternativa. Nga ana tjetër, dua të veçoj Edgar Çanin. Mendoj se, mund të bëhet sulmuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Shqipërisë. Të paktën, me atë që shoh unë. Është një lojtar që të jep garanci, si në mbrojtjen e topit, organizimin e skuadrës, lojën në ajër. Është shënues tipik. Në ndeshjet e fundit të Kombëtares, Edgari ishte pa stërvitje, pasi ishte pa ekip, pra nuk kishte ndeshje në këmbë. Unë e vlerësoj shumë këtë fakt. Ai ishte goxha mirë në ndeshjen kundër Qipros dhe, për më tepër na nderoi me golin që shënoi, së bashku edhe me Bogdanin.

Në prag janë ndeshjet me Islandën dhe Slloveninë. Çfarë mund të presim?

Mendoj se, me rikthimet e Debatik Currit dhe Kristi Vangjelit, mund të spostohet Lorik Cana në mesfushë, dhe kemi më shumë alternativa. Sigurisht, që synojmë pikët e plota, pasi dhe takimet do të luhen në Tiranë.

Ekipi Kombëtar A është në një fazë rinovimi të ekipit, ku të paktën nën drejtimin e Xhani De Biazit kemi parë shumë emra të rinj…

Ripërtëritja e Kombëtares ka kohë që ka filluar. Trajneri Xhani De Biazi gjatë të pesë ndeshjeve që ka drejtuar, jo vetëm që ka grumbulluar një numër të madh lojtarësh, por ai ka futur në lojë futbollistë të rinj edhe në takimet zyrtare. Alban Meha dhe Burim Kukeli u futën direkt dhe në lojë, në dy ndeshjet e para kualifikuese të Kampionatit Botëror, ato me Qipron (fitore 3-1) dhe Zvicrën (humbje 2-0).

Një nga detyrat tuaja është edhe gjetja e elementëve të rinj dhe furnizimi i skuadrës përfaqësuese me lojtarë që luajën jashtë. Cili mund të jetë afrimi i radhës?

Jemi duke ndjekur Ergys Kaçen, mesfushorin e PAOK-ut. Është vetëm 19 vjeç dhe tepër i talentuar. Po luan çdo ndeshje si titullar, për më tepër ishte pjesë e formacionit të PAOK-ut në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Rapidit të Vjenës.

Ju keni luajtur për disa sezone në Greqi, me Apollon Smirnin, Levadhiakosin dhe Apollon Kallamarjanë. Çfarë do të thotë pqë një 19-vjeçar që të luaj si tituall me një skuadër të madhe si PAOK-u?

Trajneri i PAOK-ut, Jorgos Donis, është një teknik shumë i zoti. Dhe kur ai të jep shanse, që të luash në formacionin e parë të PAOK-ut do të thotë shumë. Donis është një trajner i ri (42 vjeç) dhe për më tepër që ai ka luajtur në Angli dhe beson shumë te lojtarët e rinj dhe të talentuar. Kam disi frikë, pasi Ergysin e ka kërkuar dhe Greqia, pasi ka ndikuar shumë trajneri Donis, duke ia rekomanduar Kombëtares greke. Pas disa kohësh do të shkoj të flas nga afër me të. Shpresojmë që ai të pranojë.

Së bashku me trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazin, ju keni udhëtuar shpesh për të parë lojtarët në aksion, apo për të zbuluar futbollistë të rinj. Ku keni qenë kohët e fundit?

Së bashku edhe me trajnerin Xhani De Biazi kemi ndërmarrë shumë udhëtime, thuajse në të gjithë Europën. Pas ndeshjes së Kombëtares, me Zvicrën, unë shkova në Austri, ku ndoqa dy lojtarë. Ishin lojtarë interesantë, por është ende shpejt për të dhënë emrat e tyre, për më tepër që flitet për futbollistë të Kombëtares së moshave. Nga ajo që unë kam parë, por dhe nga të dhënat që ka sektori i ekipeve Kombëtare, mendoj se kemi lojtarë shumë të mirë, por që janë të vegjël. Në të ardhmen, besoj se do të jemi shumë më mirë.

Duket se Kombëtarja është një kantier i hapur, apo jo?

Po, Kombëtarja është e hapur për të gjithë. E rëndësishme është të gjejmë ata për të cilët ne kemi nevojë, pavarësisht këtij grupi lojtarësh që kemi. E rëndësishme është të gjejmë në rolin e Altin Lalës, Ervin Skelës apo Klodian Duros. Unë mendoj se, aty po çalojmë edhe si ekip, pasi në mbrojtje dhe në sulm kemi shumë alternativa. Ne kemi shumë probleme në mesfushe, dhe kjo na ka dënuar edhe në lojën tonë.

_________________________________________________________________________________________________

BUSHI I 12 SKUADRAVE

Alban Bushi mban një rekord të pazakontë për një lojtar shqiptar: ka veshur fanellat e 12 ekipeve të ndryshme, tetë prej të cilave janë të huaja, dhe për më tepër ka luajtur në gjashtë vende të ndryshme: Shqipëri, Hungari, Gjermani, Bullgari, Turqi dhe Greqi.  Në Shqipëri, Albani e nisi karrierën te Tirana (1989-1994), për të vazhduar aventurën e tij jashtë vendit. Bushi e nisi me hungarezët e Szegedit (1994, 20 ndeshje, 7 gola), ndërsa më pas në u transferua në Gjermani te FC Remshajd. Pas rikthimit në Shqipëri te Tirana dhe Flamurtari, dhe në sezonin 1997-1998 u bë pjesë e Apolonit të Athinës, ku luajti së bashku me Ilir Shulkun.  Skuadra bullgare e Liteksit të Loveçit bleu kartonin e tij, dhe në sezonet 1997-1999 ai vendosi dhe një rekord unik për një futbollist shqiptar që luan në një kampionat të huaj: fiton dy tituj kampionë (në një prej tyre ishte dhe Altin Haxhi). Nga viti 1999 e deri në 2004, Bushi u bë “turk”, teksa luajti për skuadrat Adanaspor, Istanbulspor e Trabzonspor, për të veshur më pas fanellën e Dinamos së Tiranës, në fazën e dytë të sezonit 2004-2005. Rikthimi i “Lokut” në kampionatin grek ishte po ashtu i papritur. Sidoqoftë, shtypi vendas e ka pritur mjaft mirë ardhjen e tij te Levadhiakos, dhe me pas Apollon Kallamarjasë. Albani e mbylli karrierën futbollistike te Tirana, për të cilën luajti disa ndeshje në sezonin 2010-2011, ndërkohë që në karrierën e tij të gjatë futbollistike 22-vjeçare ka veshur dhe fanellën e Partizanit.