FSHF vendos çmimet për biletat e ndeshjes Shqipëri-Danimarkë

436
Sigal

Vendosen datat për fillimin e kampionateve të Kategorisë së parë dhe të dytë

Federata e Futbollit ka vendosur në një mbledhje të mbajtur, datat e fillimit të Kampionateve të Kategorisë së parë dhe të dytë të futbollit gjithashtu ka vendosur edhe çmimet për biletat e ndeshjes së Kombëtares tonë ndaj Danimarkës me 11 tetor. Sa i përket kampionateve, Federata ka vendosur që pas shtyrjes shumë të gjatë që u bë për fillimin normal të tyre, ndeshjet për këto dy liga të luhen që këtë javë, të shtunën dhe të dielën, me Kategorinë e parë që luan ndeshjet të shtunën dhe me Kategorinë e dytë që do i luajë ndeshjet të dielën. Nga ana tjetër Federata ka marrë një vendim edhe për biletat e ndeshjes së parë që do luajë Kombëtarja jonë në stadiumin e ri “Elbasan Arena”. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur çmimet e biletave të ndeshjes Shqipëri-Danimarkë që do të luhet me 11 tetor në ora 20:45 në “Elbasan Arena” dhe do fillojnë të shiten që me datën 5 tetor. Çmimet në fakt variojnë nga 10,000 lekë më e shtrenjta në 1,000 lekë më e lira dhe do të ketë dy pika shitjesh, një në Tirane dhe një në Elbasan. Në njoftimin e saj, FSHF bën me dije se biletat  do jenë konform teknologjisë më të lartë pasi çdo biletë do të ketë bar kodin e vet që do të bëjë të mundur në ndarjen e biletave origjinale nga ato të falsifikuarat. Nisur nga kjo në hyrje të stadiumit do ketë  kontrolle për çdo person që do të futet në stadium. Federata këshillon të interesuarit që të blejnë bileta vetëm në pikat e autorizuara për të mos rënë pre e falsifikimeve.

 

Çmimet e biletave për çdo tribunë:

Tribuna A2 + A3 – 10,000 leke
Tribuna B3 – 10,000 leke
Tribuna B2 + B4 – 8,000 leke
Tribuna A1 + A4 – 8,000 leke
Tribuna B1 + B5 – 6,000 leke
Tribuna E -3,000 leke
Tribuna D + F – 2,000 leke
Tribuna G1 + G3 + C1 + C3 – 1,500 leke
Tribuna G2 + C2 – 1,000 leke

 

Berat Xhimshiti, nuk nxjerr dot një ‘Po’ për Kombëtaren

Futbollisti me origjinë shqiptare që aktivizohet në Zvicër për skuadrën e Zyrihut, Berat Xhimshiti vazhdon të jetë në dilemë për Kombëtaren e tij të ardhshme, nëse duhet të zgjedhë atë zvicerane apo Kombëtaren shqiptare. Sipas prononcimeve të para pak kohësh dukej se Xhimshiti do të zgjidhte Shqipërinë, por pas deklaratës  së bërë në një media helvete (20 minuten Online) nga menaxheri i tij, çdo gjë kthehet në piken e nisjes. Menaxheri i tij u shpreh se ‘Nuk ka asgjë të vërtetë në ato që shkruhen, pasi Berati akoma nuk e ka bërë zgjedhjen e tij,por duhet thënë se ka pasur kontakte nga Federata Shqiptare e Futbolli ku i kanë shprehur interesin por nuk kanë marrë akoma një përgjigje nga klienti im’. Xhimshiti aktivizohet në radhët e FC Zyrihut në rolin e mbrojtësit të majtë.

Rudi Garsia, Serie A nuk do të luhet vetëm mes Romes dhe Juventusit

 Aktualisht në kampionatin italian kanë vendosur diktatin Roma me Juventusin që gjenden me pikë të plota dhe të barabarta pas tre javëve të para, por trajneri i Romes Garsia, nuk ngurron të deklarojë se kampionati nuk ka vetëm këto dy skuadra që do rivalizojnë për titull pasi janë edhe të tjerat që kanë treguar forcën e tyre dhe se nuk mund të flitet për titull kampion tre javë pas fillimit të sezonit. Roma në fakt është e vetmja skuadër bashkë me Juventus, që ka arritur të fitojë të gjitha ndeshjet dhe njëkohësisht mos të pësojë asnjë gol dhe ky rekord sigurisht që nuk anashkalohet as nga Garsia që thjeshtë shprehet se kanë pasur një fillim shumë të mirë të sezonit.

Sami Khedira drejt Arsenalit në merkaton e Janarit

Në mediat britanike po e bëjnë çdo ditë e më të sigurt kalimin e mesfushorit gjerman të Real Madridit drejt londinezëve të Arsenalit. Në fakt flitej për një kalim të tillë edhe gjatë merkatos së verës, por ishte Ançeloti ai që e bllokoi një lëvizje të tillë. Tani mediat bëjnë me dije se trajneri madrilen kërkon të largojë Khediran që t’i japë më shumë hapësirë Ilarramendit që u ble për një shumë të konsiderueshme parash, afro 40 milionë euro.

Robert Levandovski, golat do të vijnë në javët në vijim

Sulmuesi më i ri i Bajern Mynihut, Robert Levandovski, aktualisht gjenden në një ‘thatësirë’ golash pasi në katër ndeshje të Bundesligës ka shënuar vetëm një të tillë. Pritej më shumë me ardhjen e sulmuesit dhe mediat nuk kanë kaluar pa e përmendur këtë fakt, çka ka sjellë edhe reagimin e sulmuesit, i cili është shprehur: ‘Edhe vjet tek Dortmundi deri në ndeshjen e katërt kisha shënuar vetëm një gol,por pasi fillova të shënoja më pas nuk ndalova më, për tu shpallur edhe golashënuesi më i mirë i sezonit’.