Shkëlqim Sulçe: Vjedhja e Bankës së Shqipëris, ngjarje  e pa precedentë, ul imazhin dhe reputacionin

1122
Sigal

  INTERVISTË/Flet Shkëlqim Sulçe (Lame) drejtor i rajonit, Fier, Vlorë, Sarandë, “unionit shqiptar kursim kredi”

Menduam se është i vlefshëm edhe për lexuesit e gazetës “Telegraf” një bashkëbisedim me z. Shkëlqim Sulçaj (Lame) drejtor i rajonit Fier, Vlorë dhe Sarandë i “Unionit Kursim Kredi” edhe për faktin se ekonomia shqiptare sot është më shumë se kurrë e ndjeshme ndaj injektimit të kredive për mbështetjen e biznesit në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë i atij në Bujqësi-

 – JU s’jeni ndër të parët, po jeni të parët që operuat në zonat rurale me element të mikrofinancës, Si ndodhi?

– Historia jonë daton qysh në shtator 1993, kur një projekt i Bankës Botërore na ofroi mundësinë e një studimi fizibiliteti për zonat rurale, ku mund të ndihmoheshin fermerët me kredi të buta për të zhvilluar fermat e tyre. Gatishmëria jonë qe e plot dhe menjëherë u fillua nga organizimi, duke krijuar fondet e kredisë fshatare, si fillim në zonën e Velçë-Smokthinë dhe në vazhdim në komunën Sevaster, Kotë, Novoselë, Llakatund, Himarë, Dukat, etj. Me korrektesë  dhe përkushtim fermeri i këtyre zonave mori kredinë aty në fshat, e investoi atë dhe pa dyshim që u dha impakti fillestar!

2-Na fol për transferimin që ka pësuar institucioni juaj qysh nga viti 1993 deri në 2014? 

Ashtu siç fola dhe më lartë me mbështetjen edhe të përfaqësuesve të Bankës Botërore ku mund të veçojmë këtu Maria Novak dhe Konraf Esaisier, të përfshirë në institucionin e “Fondit të Zhvillimit Shqiptar” organizimi i parë është krijimi i fondeve fshatare të cilat nëpërmjet një komiteti kredie vendosnin për shpërndarjen e kredisë sipas parimit të karakterit, kapacitetit dhe kolateralit. Ky organizim funksioni në mënyrë perfekte mbasi kredia shkonte aty ku punohej dhe kthehej me korrektesë nga kredimarrësi fermer. Prova më e fortë qe dhe kjo formë organizimi në komunitet ishte viti i trazirave 1997, ku institucioni ynë nuk e ndaloi aktivitetin për asnjë çast dhe kreditë u kthyen normalisht.

 Por koha ecte, zhvillimet kërkonin transformim që tu përgjigjur kërkesave të reja. Në vitin 2000 miratohet ligji 8782 dt. 03. 05. 2001 “Për shoqëritë Kursim Kredi dhe në këto kushte edhe në rajonet tona filloi organizimi me shoqëri “Kursim Kredi” të cilat më vonë në vitin 2002 në një ansamble të përgjithshme krijuam: “Unionin Shqiptar Kursim Kredi”.

Me dy fjalë transformimi ishte i vrullshëm, legal dhe i suksesshëm, mjafton vetëm të përmendim se sot në vitin 2014 nga fondet fshatare ku shpërndarja e kredive bëhej me çanta, dhe kredia më e madhe ishte 1000 000 lekë, pa zyra, me sistem kompjuterik të kufizuar, kemi arritur të të kemi 98 sh. k. k, ku operojmë në 1080 fshatra, me 37000 anëtar, 26 milionë Euro portofol kredie, 15 milionë Euro depozita, me 160 punonjës, me 7000 të zgjedhur.

3-S’ka qenë e lehtë kjo rrugë, si u kapërcye?

Natyrisht që, pyetja më ngacmon dhe kthej kokën mbrapa dhe me thënë të drejtën nga kujtesa ime e freskët kam shumë mbresa nga që përfaqësojnë vështirësitë e kaluara; që nga udhëtimet e largëta edhe natën, me lekë fizike me vete, komunikim i vështirë në ndonjë rast, zhvillim i dobët i ekonomisë, pengesa nga më të ndryshmet etj..

Dhe, këto si u kapërcyen? Më përkushtim, me karakter të fortë, me komunikim të kulturuar me njerëzit, me diskutime gjithëpërfshirëse dhe vendime kolegjiale, për të gjitha situatat, me guxim, po dhe me rriskim …Po përmend prapë vitin më të mbrapsht 1997. Nuk u ndërpre puna asnjë ditë, ndërkohë që bëhej luftë dhe grabitësit, grabisnin rrugëve.

4-E nisët si oficer kredie, përgjegjës rrethi dhe sot drejtor rajonal, si ndiheni në këtë pozicion?

Ndihem mirë dhe i vlerësuar nga institucioni, e dua punën dhe këtë institucion, të cilin e kemi krijuar me shumë dëshirë dhe përkushtim, si një fëmijë që e ke rritur vet dhe me dhembshuri…

-Flasim pas 22 vjet punë. Ku dhe si janë treguesit tuaj?

Ne ekonomistët i kemi qejf shifrat dhe me këtë pyetje më ngacmove, sepse nëpërmjet tyre vlerëson se aktiviteti ynë ka patur formën e një orteku… Unë mund t’ju them se për periudhën e fundit 10 vjeçare 2004-2014 kemi realizuar 14200 kredi të dhëna dhe me një vlerë rreth 4 milionë Euro. Kemi pranuar anëtar të rinj, 9000 dhe shtuar rreth 400 depozitues dhe me shumën 3 milion Euro. Kemi 550 depozitues me një portofol depozite, 3 milionë Euro, kemi rreth 40 të punësuar dhe rreth 200 të zgjedhur në organet drejtuese.

-Suksesi dhe dështimi është konkurrenca apo…?

Me modesti mund të them se sukseset me punën tonë kanë qenë të shumta ku mund të përmendim: Ne punojmë totalisht me fondet tona, me të cilat kemi realizuar përballimin e financimit të pa ndërprerë të fermerëve në zonat rurale. Kredia është marrë dhe është kthyer në fshat, cilësinë e këtij shërbimi si në kosto ku me mburrje mund të themi se jemi më të lirët në treg, në shpejtësi si dhe në afat ku burokracitë për lëvrimin e kësaj kredie janë eliminar! Është e vërtetë se kohët e fundit në zonën ku ne operojmë, atë rurale bujqësore e blegtorale janë afruar edhe banka të tjera të cilat operojnë në Vlorë dhe Fier, dhe nuk janë pak, por rreth 12 të tilla. Megjithatë ne jemi aty dhe kemi hartuar strategji për përballimin e kësaj konkurrence, duke shtuar element që produktet tona si e kredisë dhe e depozitave të jenë më të favorshme për klientët:

– Kriza financiare dhe kreditë e këqija, a ju vënë në siklet?

Po ne jetojmë me këmbë në tokë dhe nuk mund të mohojmë krizën financiare qenë fakt, është globale dhe vendi ynë nuk bën përjashtim. Disa sektorë të ekonomisë janë prekur më rëndë si; ai i ndërtimit, por dhe tregtia dhe shërbimet, vihet re se edhe për shitjen e produkteve blegtorale dhe atyre bujqësore ka mungesë likuiditeti. Në këto kushte nuk ka sesi të mos japë kjo gjendje impakt negative edhe në punën tonë, në këtë e ndjejmë edhe në familjet tona… Mendimi ynë është se kjo situatë mund të përballet nga institucioni financiar duke vazhduar dhënien e kredive në sektorët prioritar dhe të vlerësuar pozitivisht nga tregu. Kjo është taktika jonë duke pazgjedhur klientët, duke i startuar ata edhe me mendim ekonomik, duke i trajtuar si bashkëpunëtor dhe jo thjeshtë si klientë. Edhe ne kemi kredi të këqija. Ato janë pjesë e jetës tonë financiare, ka nga ato që siç dhe shpjeguam për arsye objektive të krizës ekonomike, por ka edhe për punë të dobët të oficerit të kredisë, pra për fajin tonë në përzgjedhje, gjithsesi ato janë në parametra të kënaqshëm. Sa janë? Po ne kemi rreth 4 % të totalit të portofolit të kredive të vonuara, 30 ditë, por në asnjë mënyrë nuk i konsiderojmë ato të humbura. Puna për kthimin e tyre vazhdon me të gjitha format, edhe me ato ligjore. Puna jonë është sfidë dhe ne do të mundim frikën. Ne vazhdojmë të zgjerojmë territorin e ndërhyrjes edhe në rrethin e Sarandës, në komunën Vllahinë, Armen, Selenicë, Cakran etj, duke mos lënë asnjë fshat të rretheve përkatëse pa shërbim financiar!

– Nga media mësojmë se gjysma e aksionerëve të bankave shqiptare janë të huaj. Po kapitalet tuaja?

Është e vërtetë. Në bankat shqiptare ka kapitale të huaja, ndryshe ndodh me “Unionin Shqiptar Kursim Kredi”. Aty nuk ka pronar, aksionerë janë 37 000 anëtaret e 97 SH K K. Kapitalet tona shtohen çdo vit mbasi rezultati financiar nuk ndahet, po shtohet fondeve të rezervave ligjore dhe satistikore.

– Jeni përfaqësues i një banke: Një koment dhe për vjedhjen spektakolare të bankës të Shqipërisë.

Më vjen keq. Kjo ngjarje është e pa precedent, ul imazhin dhe reputacionin, mbasi Banka e Shqipërisë është koka e të gjitha institucioneve financiare. Mbas keqardhjes shpreh neveri për këtë veprim dhe më lejohet të shpreh thënien popullore: “Peshku qelbet nga Koka”. Kjo plagë duhet mjekuar thellë: që nga nepotizmi, pa përgjegjshmëria, deri te ndëshkimi pa mëshirë i hajdutëve. Me vullnet të plotë e nënshkrova dhe peticionin mbarëpopullor për largimin e guvernatorit të kësaj banke.

Nga AHMET DEMAJ