EURO 2020 (2021)/ Zvicra eleminon Francën pas gjuatjes së penalltive dhe “peshkon” Spanjën në çerek-finale

452
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Janë zhvilluar ditën e djeshme, dy ndeshje të tjera të raundit të 16-tave të Kampionatit Evropian, ‘Euro 2020’, i cili për shkak të pandemisë që vitin e shkuar preku gjithë Botën, u vendos që ndeshjet të zhvillohen këtë vit, në përputhje me masat anti-Covid, të vendosura nga shtetet ku do të zhvillohen ndeshjet. Me përfundimin e ndeshjeve të ditës së djeshme, u mësua dhe një tjetër  çift çerek-finalist, e cila do të jetë përballja Spanjë-Francë.

Kroaci 3-5 Spanjë

Spanja arriti të kalojë në fazën tjetër pas një ndeshjeje spektakolare me 8 gola, e cila u luajt në Kopenhagen të Danimarkës. Në atë çka mund të quhet ndeshja më e bukur deri tani në Kampionatin Evropian, “demat” spanjollë shkërrmoqën ‘shpresat’ e kroatëve në kohën shtesë, duke arritur të kualifikohen për në çerek-finalet e këtij kompeticioni. Spanjollët u dukën favoritë që në startin e lojës, por do të ishin kroatët ata që do të kalonin të parët në avantazh, ku minutën e 20’, Pedri kthen një top mbrapa drejt portierit Simon, i cili e neglizhon forcën e pasimit duke shkaktuar një autogol qesharak. Pas këtij autogoli spanjollët u hodhën menjëherë në sulm për të gjetur golin e barazimit dhe nuk do të vononte shumë, pasi në minutën e 38’ Sarabia do të mendonte për spanjollët duke vendosur barazpeshën dhe duke i çuar të tijët më të qetë në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të pjesës së parë.

Me startin e pjesës së dytë, Spanja u shfaq më e egër dhe në minutën e 57’, ‘furia e kuqe’ do të kalonte në avantazh pas një goli me kokë të mbrojtësit Aspilikueta. Pas shënimit të golit të dytë, spanjollët u hodhën sërish në sulm për të gjetur golin e sigurisë dhe e gjetën atë në minutën e 77’ me anë të Ferran Torres. Kur u mendua se gjithçka mori fund, Kroacia bën çmendurinë dhe barazon gjithçka me 2 gola të fund të lojës, përkatësisht me Orsiç në minutën e 85’ dhe Pasaliç në minutën e 92’ duke i dhënë dhe një shans tjetër ballkanasve. Kur u mendua se Spanja mund të ngelë jashtë Kampionatit Evropian, në minutën e 100’ 28-vjeçari Alvaro Morata shënon një gol tepër të rëndësishëm për të tijët, duke i rikthyer sërish në avantazh spanjollët dhe vetëm 3 minuta më pas, në minutën e 103’ do t’i vinte rradha dhe Ojarzabal për të shënuar, duke e çuar rezultatin në 5 me 3 në favor të spanjollëve. Me këtë fitore, Spanja arrin në fazën e çerek-finaleve të ‘Euro 2020’ dhe në fazën tjetër do të ndeshet me Francën.

Francë 3-4 Zvicër

Ashtu si Spanja, edhe “gjelave” të Deshamp, iu desh që të kthenin rezultatin në favorin e tyre, për të kaluar në fazën tjetër të këtij Kampionati Evropian. Francezët patën një start më pasiv të lojës se ‘helvetët’, duke i dhënë këtyre të fundit më shumë hapësira seç duhet. Falë kësaj hapësire do të vinte dhe goli i parë i sfidës, ku në minutën e 15’, pas një krosimi nga Zuber, sulmuesi Haris Seferoviç, do të kërcente më lart se të tjerët duke e çuar topin pas shpatullave të portierit Hugo Loris. Pas këtij goli, zviceranët u dukën më euforikë në fushën e lojës, ku krijuan dhe 2-3 raste të tjera të mira për shënim, por pa mundur dot të finalizonin siç duhet. Me startin e pjesës së dytë, Franca filloi të “ndryshonte” fytyrën duke u shfaqur më agresive në kërkim të golit. Në minutën e 55’, arbitri me ndihmën e sistemit VAR do të akordonte një 11-metërsh në favor të ‘helvetëve’, por nga pika e bardhë, Rodriges do të gabonte, duke mos e çuar dot topin në rrjetë.

Vetëm pas 2 minutash nga goditja e penalltisë, në minutën e 55’, Karim Benzema do të mendonte për të tijët, duke barazuar shifrat dhe vetëm 2 minuta pasi barazoi, Benzema do të shënonte sërish, duke përmbysur rezultatin. Pas kalimit në epërsi, francezët u dukën më të qetë dhe vazhduan të kërkonin golin e tretë, i cili do të vinte në minutën e 75’ nga mesfushori Pol Pogba, me një goditje fantastike nga jashtë zone. Por, nuk do të mbaronte me kaq, pasi ashtu si Kroacia dhe Zvicra, kishte rezervuar një surprizë, për ‘gjelat’. Golat e Seferoviç në minutën e 81’ dhe të Gavranoviç, në minutën e 90’ do të barazonin shifrat, duke e çuar lojën në kohën shtesë dhe ringjallur shpresat e zviceranëve për një kualifikim të mundshëm. Pas goditjes së penalltive, Zvicra doli fituese e kësaj supersfide duke i prerë rrugën drejt trofeut, ‘gjelave’ që këtë vit dukeshin favoritët kryesorë. Ndërkaq, ditën e sotme do të zhvillohen ndeshjet e fundit të raundit të 16-tave, Suedi-Ukrainë në orën 18:00 dhe Angli-Gjermani në orën 21:00.