Emin Lishi, muzikanti i lindur si kampion shumëdimensional në sport

274
Sigal

INTERVISTA/ Një nga të mëdhenjtë e Notit shqiptar tregon eksluzivisht për gazetën “Telegraf” gjithë karrierën e tij, rekordmen në tre sporte në Shqipëri 

 

Agron KAJA

 

Është hera e parë që gazeta “Telegraf” shkruan për ju si notar elite, si boksier e bilardist, cila është familja juaj gjenetike dhe sportive?

Ndoshta mund të duket paksa e veçantë për brezat e rinj, por unë rrjedh nga një familje muzikantësh dhe sportistësh të elitës në Shqipëri. Vëllai u madh Menduhu kampion noti, Esati kampion boksi, noti e peshëngritje, dhe Xhevati si boksier.

Cilët kanë qënë motivet, apo arsyet që ju nisët ta ushtronit më shumë sportin e notit?

Në fakt, unë nisa të ushtrohesha me sport që në moshën 13 vjeçare dhe ishte vëllai i madh Menduhu ai që më nxiti, pasi shkoja shpesh kur stërvitej apo garonte. Gradualisht noti u bë një pasion që edhe sot jam pranë tij, tashmë si një  trajner.

Të rrallë janë shkodranët që nuk dinë të notojnë, por të rrrallë janë edhe ata që dinë të garojnë si kampionë, sa vend ze për ju ky konstatim?

Qytetarët shkodranë janë sportdashës dhe artdashës. Për mua dhe familjen time të dyja këto u bashkuan tek të gjithë vëlezërit. Unë veç garimit si notar elite, kam mbaruar shkollë për muzikë dhe u bënë bashkëudhëtare gjatë gjithë jetës, të dyja.

Kur ka nisur Emin Lishi të notojë me një ekip noti të elitës në Shqipëri?

Pasi nga mosha 13 vjeç shkoja pas vëllait, më pas garova me të Rinjtë e Vllaznisë, ndërsa në ekipin e të Rriturve në vitin 1963. Stili im i preferuar ishte ai i shpinës, ku që në garën e parë 100 e 200 m thyeva Rekordin Kombëtar.

E nisët rrugëtimin tuaj sportiv në Shkodër me Vllazninë dhe e vazhduat me Partizanin dhe me Kombëtaren, pse kjo lëvizje?

Deri në vitin 1964 kam garuar me Vllazninë, dhe pasi erdha për studime në Tiranë garova me Partizanin deri në vitin 1970, një vit më pas edhe me Kombëtaren. Pasi u largova si notar në vitin 1970, kam qënë si trajner te Partizani, aktualisht trajner  privat.

Si e mbani mënd ekipin e parë që ju keni garuar, garën e parë dhe rekordin e parë që keni thyer në karrierë?

Unë e përmënda më sipër, se ekipi i parë që kam garuar në elitë ishte Vllaznia. Gara e parë 100 m stil shpinë nisi me rekord kombëtar e po kështu në 200 m shpinë. Kohët e arritura në këto gara nuk i kujtoj, por ishte start si rekordmen.

Të gjithë sportistët e kujtojnë trajnerin e parë si shembull në rezultatet e tyre, po për ju kështu ka ndodhur?

Edhe për mua kjo ndjesi ka qënë dhe është, për trajnerin tim të parë Shuaip Mehmeti. Ai kishte një karakter shëmbullor, ishte burrëror dhe një educator me kulturë, cilësi të cilat mendoj se i ka transmetuar tek të gjithë brezat që ai trajnoi.

Cilët kanë qënë rivalët tuaj në garë, të cilët ju kanë nxitur për rezultatet e larta, apo të përmirësonit edhe rekordet kombëtare?

Rivalë për mua kanë qënë disa notarë të nderuar, por më kryesori ishte Idriz Muço i Butrintit të Sarandës, dhe më pas edhe Niko Pema i Lokomotivës së Durrësit. Të dy ishin mjeshtra në garim, dhe kjo është arsyeja që unë i quaja rivalë kryesorë.

Ku e keni patur më të lehtë garimin tuaj, në pishinë, apo në det të hapur, apo në lumë?

Garën e parë në karrierë e kam bërë në Lumin Buna, Kampionati Kombëtar i vitit 1963, por garimi më i lehtë ishte në pishinë. Në vitin 1962 në Korçë kampion doli Tef Shestani i Vllaznisë, ndërsa rival në rekorde kisha Petrit Velaj i Lokomotivës.

Si erdhi nga ju largimi nga aktiviteti si notar, fizikisht apo për problem të tjera?

Në fakt, largimi im si notar erdhi pas një sedre personale të fortë. Në vitin 1970, notary i shkëqyer sarandiot Idriz Muço më mundi në garë, së bashku me Ilir Gjebrenë e 17 Nëntorit, edhe ky një notar I madh, konsiderohej “Peshkaqen” i ujit.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit në shërbimit të garimit?  

Në kohën kur unë kam garuar, nuk bëhej fjalë për kushte të mira të infrastrukturës. Garohej në det në Durrës e Sarandë, në Shkodër në lumin Buna. Pas vitit 1970 kur unë u largova si notar, u ndërtuan pishina në Lushnje, Durrës, Korçë dhe Elbasan.

Nëse do të ishe notar i brezit të pas vitit 1990, e ke menduar të garoje në një shtet tjetër ku sporti i Notit kishte nivele të larta?

Në atë kohë kurrë nuk e kisha menduar asnjëherë, sepse ashtu ishte sistemi polotik në vëndin tonë. Pas vitit 1990, nëse do isha në moshë garimi, patjetër që do shkoja në një shtet në Europë që sportin e notit e kishte prioritar.

Pasi jeni larguar nga aktiviteti fizik, si e ndiqni ritmikën e garave kombëtare të notit në Shqipëri?

Nga viti 1970 kur e lashë sportin si notar, unë kam qënë trajner dhe nuk jam larguar ende nga ky sport. Pasi punova si trajner te Partizani, trajnova shumë notarë elite në mënyrë private, jam edhe Kryegjyqtar i FSHN-së në çdo aktivitet kombëtar.

Nëse sot do tu krijohej një mundësi që të trajnonit një ekip noti sot, e keni mundësinë dhe dëshirën?

Ja u përmënda më sipër se unë kam disa vite që trajnoj notarë të të gjitha moshave e profesioneve, por në mënyrë private. Është e njëjta punë, por i mungon garimi zyrtar. Gjithsesi, mosha ime nuk mendoj se e përballon fizikisht.

Dhe me se merret sot kampioni shumëdimensional Emin Lishi?

Unë jam afër moshës 80 vjeçare, por ndjehem mirë fizikisht. Aktualisht nuk e quaj veten si një pensionist, dhe po e përsëris se kam disa vite që trajnoj notarë të të gjitha moshave e profesioneve, por në mënyrë private. Nuk e harroj edhe muzikën.

 

 

Emin Lishi ka qënë notar kampion, vaterpolist kampion, boksier kampion, trajner kampion, bilardist kampion. Sa kampionë qëndrojnë bashkë në jetën sportive të tij?! Ndoshta ai do mbetet një nga ikonat e gjalla në historinë e sportit shqiptar, i cili ka ushtruar disa sporte dhe në të gjitha ka dalë kampion e rekordmen

Në foto: Emin Lishi, Mjeshtër i Madh, viti 2022

 

Ilirjan Kreshpa, “ujku” i detit, Legjenda e Notit vlonjat

Emini, një notar dhe rekordmen absolut

Në foto: Ish-notari Ilirjan Kreshpa

 

Edhe pse i ka kaluar të 80-at në moshë, ish-notari vlonjat Ilirjan Kreshpa (burri me pantallona të shkurtra), e vlerëson figurën e Emin Lishit si notar e rekordmen absolut. “Unë ndjehem mirë kur shkruhet për notin, për historinë e tij dhe për gjithë ata notarë e trajnerë e që kanë shkruajtur këtë histori. Pjesë e kësaj historie është edhe Emin Lishi, që në kujtesën time mbetet një notar e rekordmen absolut për kohën kur ai garoi për Vllazninë, Partizanin e Kombëtaren. Në familjen e Eminit, sporti i notit ka qënë në gene, pasi edhe vëllezërit e tij më parë kanë qënë kampionë e rekordmenë. Eminin e vlerësoj si të MADHIN e notit shqiptar”, kështu e vlerëson Emin Lishin, “ujku” i detit, Legjenda e Notit vlonjat, Ilirjan Kreshpa.

 

Në foto: Emin Lishi thyen rekord kombëtar, viti 1965

 

 

Në foto: Kampionët Idriz Muço dhe Emin Lishi, viti 1967

 

Në foto: Emin Lishi pas thyerjes së rekordit kombëtar, viti 1966

 

 

Gara e parë

Emin Lishi ka garuar për herë të parë si notar i elitës me Vllazninë, në kampionatin Kombëtar të Notit që u zhvillua në lumin Buna, viti 1963

Rekordi i parë

Mbetet e veçantë në karrierën e Emin Lishit si notar elite, pasi në garën e tij të parë në vitin 1963 thyeu rekordin kombëtar në 100 e 200 m shpinë

 

CV Sportive EMIN LISHI

Datëlindja: 10 mars 1945  Vendlindja: Shkodër  Vendbanimi: Tiranë

Arsimi: Liceu Artistik “Jordan Misja”, Tiranë  Profesioni: Muzikant

Sporti që ka ushtruar: Notin, Boksin, Bilardon Starti i karrierës në elitën e Notit: Në vitin 1963 me Vllazninë, kampion dhe rekordmen në 100 dhe 200 m stil shpinë.

Skuadra e parë elitare në karrierë:Vllaznia në vitin 1963-1964  Stili i preferuar në gara: Stil shpinë, stafeta katërnotim Skuadrat e tjera në karrierë: Partizani në vitet 1964-1970. Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1963, kampionati kombëtar në Lumin Buna, Shkodër.

Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1963 në 100 dhe 200 m stil shpinë.

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1969 në Spartakiadën Kombëtare në Tiranë, vëndi parë dhe rekord kombëtar në 100 dhe 200 m stil shpinë.

Rekordi i fundit kombëtar (gara-ekipi-viti): Në vitin 1969 në 100 dhe 200 m stil shpinë.

Fitues në gara dhe rekordet kombëtare: Në vitet 1963-1970, kampion dhe rekordmen absolut në garat 100 dhe 200 m stil shpinë.

Karriera si trajner: 1970-1976 Ndihmëstrajner te Partizani, 1970-2000 trajner te Partizani, 2000 e në vazhdim trajner privat i Notit.

Tituj e trofe: Në periudhën 1963-1970 fitues i të gjitha garave 100 dhe 200 m stil shpinë.

Largimi nga aktiviteti si notar: Në vitin 1970 në përbërje të Partizanit.

Vazhdimi i aktivitetit sportiv: Nga viti 1970 e në vazhdim ndihmëstrajner, trajner te Partizani, kampion në Vaterpol me Vllazninë e Partizanin, Kryegjyqtar në sportin e Notit dhe Kampion i Bilardos.

Vlerësime e dekorime: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Mjeshtër i Madh.

Aktualisht: Trajner privat në sportin e Notit dhe të Bilardos, Kryegjyqtar në të gjitha garat zyrtare në sportin e notit në Shqipëri.

KONSIDERATA DHE VLERËSIME

Mjeshtri i Madh, Sadik Mema

Emin Lishi hyn në Legjendat e sportit shqiptar

Për Mjeshtrin e Madh, Sadik Mema, një notar kampion shumëdimensional si Emin Lishi, do të mbetet “gjallë” dhe gjatë në historinë e Notit shqiptar. Përshkrimi i tij për Eminin edhe si trajner, e kompleton figurën e këtij Mjeshtri të Madh. “Në gjithë karrierën e tij si notar rekordmen, Emin Lishi ka qënë gjithmonë modest, por ai është një kampion i lindur dhe shumëdimensional. Në sportin e Boksit ishte kampion me Gardën e Republikës, në vaterpol ishte kampion me Vllazninë e Partizanin, më pas kampion për katër vite rresht edhe në Bilardo. Emini e zbukuron sportin e notit, sepse është shumë i plotësuar si notar-trajner-kryegjyqtar. Prandaj edhe unë e vlerësoj atë si një nga Legjendat e sportit shqiptar. Janë më shumë se 65 vite karrierë sportive e Eminit, dhe do ta uroja që të ketë shëndet për të mos u ndarë nga pishina. Garat e notit pa Emin Lishin si Kryegjyqtar, nuk kanë kuptim dhe bukuri garimi”, kështu e vlerëson Mjeshtrin e Madh Emin Lishi, një tjetër Mjeshtër i Madh, Sadik Mema (Pupi).

Bashkim Mërtiri (Ish-sekretar i FSHBo, komentator i Boksit e Notit)

Emin Lishi është personalitet i historisë tonë sportive

Kur nga gazeta “Telegraf” iu kërkua Bashkim Mërtirit që të fliste për figurën sportive të Mjeshtrit të Madh, Emin Lishi, ai shprehu gatishmërinë, madje tregoi të gjitha displinat sportive të garimit të tij. “Në njohjen time, si drejtues i FSHBo-së dhe si komentator në sportin e notit, Emin Lishi më shfaqet si një personalitet i historisë tonë sportive ndër vite. Do përmënd tre disiplina sportive të notit, në të cilat Emini ka qënë absolut: Një shpinist model, një notar model dhe një vaterpolist model. Por Emin Lishi ka qënë edhe një kampion në Boks, njëherësh edhe një pergatitës model i boksierëve të rinj. Pse mos e them, Emini është edhe një kampion në Bilardo, dhe të gjitha këto e bëjnë atë një figurë poli-kampione. Së bashku ne kemi vite që bashkëpunojmë në sportin e notit, ku ai si Kryegjyqtar në të gjitha garat që organizon FSHN-ja në Shqipëri, tregohet shumë profesionist. Ndaj edhe unë e konsideroj një figurë të madhe sportive në Shqipëri”, ishte kjo konsiderata e Komentatorit të Boksit dhe Notit, Bashkim Mërtiri.