Ekskluzive për Telegraf/ Mjeshtri i Sportit Pavllo Kisi, matematicieni, që stilin bretkocë e “pronësoi” si kampion

47

PROFIL/ Mjeshtri i Sportit Pavllo Kisi, vjen në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Telegraf”, nga karriera sportive dhe te trajningu si pasion, në Shqipëri e Greqi.

Sigal

Agron KAJA

Unë jam diplomuar si mësues matematike, por angazhimi në sportin e notit më ka dhënë kënaqësi të madhe në jetë. Madje them se ka ndikuar pozitivisht në karrierën time, kryesisht si trajner. Por të dyja janë bashkuar me pasionin për notin.

Sporti i Notit nuk ka qënë shumë tërheqës në shekullin e kaluar, ju si e thyet këtë barrierë?

Duke qënë nga Vlora, e njëherësh duke patur shtëpinë në këtë qytet, kur ishim fëmijë stina e pranverës e vera na gjenin për t’u larë në det. Kjo dëshirë u forcua në vitin 1958 kur në Vlorë u zhvillua një Kampionat Kombëtar i notit.

Përse u ushtruat pikërisht me not, dhe jo me ndonjë sport tjetër?

Sepse sportin e notit e dashurova që në fëmijëri. Kujtoj grumbullimet që na bënte  trajneri Thoma Papa, dhe prej aty ai bënte seleksionimet e fëmijve që i mendonte për garë. Një ndër ta isha edhe unë, pikërisht në moshën 13 vjeçare.

Pasi i lindi dëshira Pavllo Kisit për tu ushtruar në not, kur e nisët garimin?

Kujtoj se që në fëmijëri kam marrë pjesë në akvitetet kombëtare të notit për fëmijë, dhe njëherësh ushtroja edhe atletikën. Por ishte e shkruar në mëndjen e pasionin tim që noti të ishte sporti. Në vitin 1965 garova në 100 e 200 m bretkocë, ku u kualifikova në finale. Më përgëzoi notari kampion durrsak, Agron Ismailati.

Po infrastruktura në sportin e notit në Vlorë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?

Edhe si notar, por në shumë vite edhe si trajner i Flamurtarit, përgatitjet tona në Vlorë bëheshin vetëm në det. Në vitin 1985 filluam në pishinën tonë që kishte përmasa 50 m. Tani kjo u bë për nostalgji, sepse sot nuk ekziston. Kam keqardhje.

Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë që ju keni zhvilluar dhe ku është zhvillua ajo?

 

Gara e parë zyrtare për mua ka qënë në vitin 1964 në Kampionatin Kombëtar për të Rinj që u zhvillua në Durrës. Unë garova në 400 m stil i lirë, në një korsi me notarin e shquar durrsak Jani Kurti. Mbeta prapa në garë, por nuk u dekurajova.

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujteën tuaj?

Unë e përmënda më sipër se trajneri im i parë ishte Thoma Papa, i cili me gjithë kushtet e vështira, që ishin në atë kohë, tregonte aftësi të veçantë në përgatitjet që kryente. Do të thoja se Thomai më ka injektuar i pari dashurinë për sportin e notit.

Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Gjatë gjithë karrierës time si notar, stili më i preferuar i garimit ka qënë stili Bretkocë. Por kam garuar edhe në stilin e Lirë dhe në stafetat ekipore, ndërsa bretkoca mbeti stili ku e gjeta veten jo vetëm si notar garues, por edhe si kampion e rekordmen.

Ju kujtohen rivalët tuaj në garat që keni zhvilluar (kombëtare dhe ndërkombëtare), cilët kanë qënë?

Patjetër që më kujtohen, por ata që kisha më shumë rivalë ishin Et’hem Avdija dhe Rrok Shestani, të cilët notonin në nivel të lartë teknik gjatë garës. Më pas, rivalitet kisha në garë edhe me notarin e Lokomotivës, Edi Kapidani, një notar kampion.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar?

Po, ka qënë në vitin 1966 në Kampionatin Kombëtar për të Rinj që u zhvillua në Sarandë. Garova në 100 dhe 200 m Bretkocë dhe thyeva rekordin kombëtar, dhe po atë vit i përmirësova rekordet kur garova me të Rriturit. Rekordmen që 15 vjeç.

Cilët ndani si momentet më të mira në karrierën tuaj si notar rekordmen, dhe nëse keni edhe moment jo të mira, si i përshkruani?

Si moment të mira ka shumë, por ato të fillimit në vitin 1966 kur së pari për të Rinj e disa mua më vonë me të rriturit, përmirësova rekordet në dy garat: 100 dhe 200 m stil Bretkocë. Moment jo i mirë? E kujtoj Spartakiadën Kombëtare në vitin 1969 ku më privuan medaljet e kampionit!

Ju keni një karrierë edhe si trajner i notit, trajningu është pasion për ju, apo ka ardhur si një detyrim i rrugëtimit sportiv?

Sporti i notit u nis si detyrim i rrugëtimit tim sportiv, por përfundoi e vazhdon si një pasion që më ka shoqëruar e do jetë prezent gjithë jetën. Në formimin tim profesional, rol të madh ka luajtur Arben Jorgoni, personi që e ka njohur shkencërisht teorinë e stërvitjes në not.

Duke qënë edhe matematicien për profesion, sa ndikonte kjo në pasionin tuaj për notin?

Unë jam diplomuar si mësues matematike, por angazhimi në sportin e notit më ka dhënë kënaqësi të madhe në jetë. Madje them se ka ndikuar pozitivisht në karrierën time, kryesisht si trajner. Por të dyja janë bashkuar me pasionin për notin.

Në gjithë karrierën tuaj si notar e trajner, si ka evoluar sporti i notit, nisur para vitit 1990 dhe deri në vitin 2024?

Unë e nisa karrierën si notar me detin, ndërsa më vonë si trajner u mundësua edhe trajnimi dhe garimi në pishinë. Pas vitit 1990 u vështirësua puna më sportin e notit, por trajnerët u munduan ta mbajnë gjatë këtë sport, ku do përmëndja kryesisht AN “Te Stela”.

Si nisiator i ngritjes së AN “Te Stela”, çfarë kujtoni nga ajo përvojë e shkurtër?

Gjithë jetën time, pasioni për notin për mbanin gjallë ëndrrën për të kontribuar në funksionimin e mirë në këtë sport. Në vitin 2011, Administratori i Resortit “Te Stela”, zoti Stefan Pinguli, më dha mundësinë që së bashku me kolegun Sadik Mema formuam AN “Te Stela”, ku sot notarët garojnë me dinjitet me ata të rajonit.

Nisur nga mosha juaj e “re”, mendoni se do riktheheni në pishinë në pozicione të ndryshme?

Është ëndrra ime! Gjithmonë mendoj se si mund të rifilloj aktivitetin tim në trajningun e notit. Ndoshta këtë herë me më shumë bagazh teorik e praktik, që përkthehet në përvojë. Do besoja se pasioni e mund vështirësinë e moshës.

Ka rreth 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN) e vlerësoj si një nismë të shkëlqyer në ndihmë të zhvillimit të sportit të notit në vëndin tonë. Por në këtë shoqatë gjejmë edhe nostalgjinë e viteve sportive, është shumë bukur.

Ju shkruani edhe libra me tematikë sportive, e keni hobi, apo dashuria për profesioni ?

Librat me tematikë sportive unë i konsideroj si një kontribut në zhvillimin e notit në vëndin tonë. Praktika ka nevojë për teorinë, sikundër edhe teoria i shërben praktikës.

Kampion dhe rekordmen, si notar e trajner

Në karrierën e tij sportive në sportin e notit, Pavllo Kisi ka qënë një ndër notarët që i dhanë shkëlqimin këtij sporti, edhe pse në kushtet e një infrastrukture të dobët të kohës. Duke e sfiduar këtë problematikë, Pavllo tregon se i mposhti vështirësitë e kohës duke u shpallur kampion e rekordmen në stilin Bretkocë. Dhe këtë sukses ai e arriti edhe si trajner te Flamurtari, duke treguar vlera në rritjen e nivelit të garimit me ekipet që drejtoi.

SHYRETE KABASHI (Ish-Sekretare e FSHN)

Në të gjitha drejtimet, Pavllo reflekton vetëm tregues pozitivë

Në periudhën që Pavllo Kisi ka zhvilluar si notar e më pas trajner, Sekretare e FSHN-së ka qënë zonja Shyrete Kabashi. Sapo gazeta “Telegraf” e ftoi të fliste për Pavllon, Shyretja nxorri nga “arsenali” i saj fjalët më falenderuese. “Unë isha në detyrë kur Pavllo Kisi garonte si notar, e më pas kur ishte trajner i Flamurtarit dhe i Kombëtares shqiptare të Notit. Si notar, do ta portretizoja një garues kampion të shkëlqyer. Si trajner, e veçoj si një specialist shumë i mirë. Mbi të gjitha, Pavllo është një njeri me kulturë e shumë miqësor dhe në të gjitha drejtimet reflekton vetëm tregues pozitivë. Nostalgjia ma shton respektin për të dhe do t’i uroja shëndet e sa më pranë notit shqiptar”.

AN “Te Stela”, shkollë e notit shqiptar

Që nga krijimi në vitin 2011 e deri më sot, AN “Te Stela” gradualisht është kthyer në një shkollë për sportin e notit në Shqipëri, dhe realisht është e vetmja, që e kryen këtë mision në vendin tonë. Duke qënë nisiator i parë në ngritjen e kësaj Akademie, Pavllo Kisi e kujton me nostalgji, por edhe me respekt kohën e shkurtër, por që atëhere u hodhën themelet e saj. “M’u dha mundësia të jem nisiator në ngritjen e AN “Te Stela”, ku së bashku me kolegun tim Sadik Mema, mendoj se kemi hedhur themelet e një shkolle noti. Rezultate, që notarët kanë arritur sot në nivelet më të mira të notit shqiptar, edhe mua më japin gëzimin e kontributit tim. Uroj që kjo shkollë të ketë qëndrueshmëri të tillë në vazhdimësinë e saj”, është kjo nostalgjia e Pavllo Kisit si një nga trajnerët e parë në AN “Te Stela”.

 

KONSIDETATA E VLERËSIME

MJESHTRI I SPORTIT, ILIRJAN KRESHPA

Pavllo ishte inteligjent dhe u përgjigjej pozitivisht situatave

Gjatë ditëve të nxehta të këtij qershori, një uikend në Vlorë me stacion hotelin e Ilirjan Kreshpës (Liros), mbeti edhe si “stacioni” ku “zbardheshin”  njohuritë e historisë për notarët vlonjatë. Kështu bëri Liro edhe për Pavllo Kisin, të cilin e quan një inteligjent pozitiv në kapjen e situatave, që krijon sporti i Notit. “Kur unë isha trajner te ekipi i të Rriturve të Flamurtarit, Pavllon e kam patur si notar. Edhe si notar, por edhe më pas kur vazhdoi si trajner në Vlorë, Pavllo i kapte shumë shpejt dhe u përgjigjej pozitivisht situatave. Kështu ai arriti rezultate të larta në të dy pozicionet, duke treguar se ishte një Mjeshtër Sporti i vërtetë. Dhe këto karakteristika e ndihmuan që me femrat e Flamurtarit të dilte 13 herë Kampion i Shqipërisë, me notare kampione rekordmene si Elinda Xhindi, Vasilika Bejo, Suzana Kamberi, Mbarime Arapi, e disa të tjera. I uroj jetëgjatësi edhe në Not”.

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Pavllo ishte dhe mbetet një notar e trajner kampion

Në çdo Profil për historinë e Notarëve shqiptarë, e kam përmëndur angazhimin e Mjeshtrit të Madh, Sadik Mema. Por për Mjeshtrin vlonjat Pavllo Kisi, Pupi ka bërë edhe punën e “gazetarit”, duke ndihmuar realisht që Pavllo të vinte në rreshtat e gazetës “Telegraf” me madhështinë e karrierës së tij. “Kur unë kam nisur të garoj në sportin e Notit, Pavllo ishte një kampion dhe rekordmen absolut në garat 100 dhe 200 metra në stilin Bretkocë. Së bashku e kemi ruajtur miqësinë tonë për vite me radhë, dhe në vitin 2011 ngritëm së bashku Akademinë e Notit “Te Stela” në Tiranë, që gjatë viteve u kthye në një shkollë e parë në sportin e notit në Shqipëri. Por po rikthehem edhe një herë në kohë, për ta rikujtuar Pavllo Kisin si një kampion, e më vonë pas vitit 1978 edhe si një trajner Kampion me femrat e Flamurtarit të Vlorës. Ai mbetet një notar e trajner kampion në gjithë historinë e Notit Shqiptar dhe të flasësh për karrierën e tij dhe për Pavllon si person, është nder personal”.

CV sportive PAVLLO KISI

Datëlindja: 9 Tetor 1951

Vendlindja: Vlorë  Vendbanimi: Vlorë

Arsimi: Universitetin e Tiranës, Dega Matematik.

Profesioni: Mësues i Matematikës

Sporti që ka ushtruar: Not

Karriera si sportist: Në vitin 1963 me Flamurtarin

Sukseset si notar: Në vitet 1966-1971, kampion dhe rekordmen në garat 100 e 200 m Bretkocë   

Gara e parë në karrierë: Në vitin 1964, Kampionati Kombëtar për të Rinj, në Durrës

Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1973, Kampionati Kombëtar për të Rritur, në Lushnje

Karriera si trajner: Në periudhën 1978-1991 trajner i Femrave të Rritura të Flamurtarit; Në periudhën 1986-1991, trajner i ekipit Kombëtar të Notit dhe Pjesëmarrës në Mitingun Ballkanik të Notit në Serez, Greqi; Në periudhën 1991-2010, trajner në KS PAOK, Selanik Greqi; Në periudhën 2011-2013, Kryetrajner në Akademinë e Notit “Te Stela”.

Kualifikime e formime: Drejtues në disa seminare teknike për kualifikimin e personalitetit të trajnerit të Notit.

Detyra në drejtimin e institucioneve sportive: Kryetar i Këshillit të Trajnerëve të Notit në Shqipëri, 1980-1991

Tituj personalë në sport: Mjeshtër Sporti

Botime sportive: Në vitin 1984, “Programi Unik i Notarëve”, në vitin 2012, libri “Sporti i Notit”   Aktualisht: Në pension

Përvoja në Greqi, profesionalisht e nevojshme

Pas vitit 1991, Pavllo Kisi ishte një ndër mijra qytetarë të Vlorës, që emigruan në Greqi. Por edhe aty, ai nuk e shkëputi marrëdhënien e tij me sportin e notit, me pasionin që edhe sot ai e quan si një ëndërr të jetuar. “Pasi emigrova në vitin 1991 në Greqi, nisur nga njohuritë e mia dhe nga emri që kisha në notin elitar shqiptar, më pranuan si trajner te moshat 12-14 vjeç në Akademinë e Notit të PAOK në Selanik, ku më pas arrita rezultate të mira. Ishte një përvojë e bukur dhe shumë profesionale për mua, sepse duke u marrë me moshat, besoj se u bëra më i qartë profesionalisht, pasi te moshat bëhet një trajnim shumë teknik. Kjo përvojë më shërbeu edhe në ngritjen e Akademisë së Notit “Te Stela”, e cila tashmë është kthyer në traditë nga trajneri Mjeshtër i Madh, Sadik Mema”, kështu e përshkruan Pavllo Kisi përvojën mbi 10 vjeçare të trajningut në Akademinë e Notit të PAOK në Selanik të Greqisë.