Agim Çiraku: Burronjat e Kuçit në festën e madhe

Agim Çiraku

Kryetar i Shoqatës “Labëria”

Sigal

Në kuadrin e 80 vjetorit të festimeve Çlirimit të Atdheut, si dhe në nderim të 82 vjetorit të çlirimit të Kurveleshit, të dëshmorëve, heronjve, luftëtarëve partizanë që dolën me armë në dorë për çlirimin e vendit nga okupatorët nazi-fashist, si dhe të gjithë shqiptarëve dhe patriotëve që e mbështetën këtë luftë, ditën e djelë më 23 qershor, Komisioni Organizator dhe Kryetarët e fshatrave  të krahinës së Kurveleshit përkujtuan në Burronja të Kuçit, jehonën e fuqishme “Para Partizan” dhe qëndresën legjendare në shekuj të popullit të kësaj krahine.

Labëri t’u mblodhën djemtë

në festime si nga mot…

Nëpër breza faqe ndritur

një urim nga zemra plot !

01

Nuk ka asnjë vend tjetër në Evropë, që toka e tij të jetë pëllëmbë e barut, sikurse është toka e lavdishme e Kurveleshit dhe e tërë Labërisë. Ndaj, ky fakt më bën të ndihem 2 herë krenar që jam sot këtu para jush:

Së Pari duke përfaqësuar një emër të lavdishëm  sikurse është Shoqata Atdhetare Kulturore “ Labëria” dhe:

Së Dyti i privilegjuar që përfaqësojë SI Ç’DO FAMILJE E Labërisë  paraardhësit e mi që u bashkuan me fitimtarët për interesin Kombëtar, dhe që luftuan me sakrifica sublime që nga Abdurraman Çiraku, i cili në tetor 1912 u largua nga Turqia për t’ju bashkuar Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, ku dhe u caktua prej tij si kreu i Policisë, ndërsa në Luftën e Vlorës 1920, e shtëna e topit të Abdurramanit, komandat i artilerisë shënoi fillimin e luftës dhe fitores së saj. Edhe gjatë Luftës së Lavdishme Antifashiste Nacional-Çlirimtare Xhule, Qemal, Jonuz dhe Seit  Çiraku u rreshtuan me Brigadën e 6-të Sulmuse duke luftuar në Çlirimin e vendit deri në Kosovë. Ndaj nderimi për dëshmorët dhe partizanët, është dhe do të mbetet nderim për luftën dhe Kombin. Për të kaluarën , pa të cilën nuk ka të ardhme të sigurtë.

Në këtë të veçantë ajo që na bashkon, është kujtimi për idealin e dëshmorëve që derdhën gjakun për atdheun. Por në këtë ditë të veçantë një falenderim shkon për kryeministrin, kryetarin e PS-së dhe deputetin e Vlorës z. Edi Rama, që me investimet e jashtëzakonshme që ka bërë në krahinën e Labërisë, për rrugët, ujsjellsat, turizmin malor, bujtinave etj. do të mbetet përjetësisht në historinë e Krahinës së Kurveleshit dhe gjithë Bregut të Jonit. Janë këto investime që na e bënë më të lehtë bashkimin dhe pjesmarrjen e sotme në këtë ngjarje të rëndësishme, ku Kuçi dhe Bregu janë shkrirë në një të vetme. Një nderim i veçantë i takon Komisionit Organizator dhe Kryetarëve të fshatrave të krahinës së Kurveleshit: Bolenë, Çorraj, Fterrë, Golëm, Gusmar, Kallarat, Kapariel, Kolonjë, Kuç, Kuç-Buronja, Lekdush, Nivicë, Rexhin, Picar, Progonat dhe Vërmik. Në cilësinë e kryetarit të SH.A.K.Labëria më duhet të falenderoj miqtë, anëtarë e drejtuesit lokalë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”, deputetët Gjiknuri, Klosi ,Sinaj, Ministren Denaj, prefektët e qarqeve Vlorë e Gjirokastër Vangjel Tavo e Odise Kote që u kujdesët për këtë ditë të veçantë si dhe Bashkinë e Himarës që e mbështeteti këtë Event. Zëri i këngëtarve të Labërisë ishte edhe amaneti i heronjëve për të treguar se Kurveleshi nuk i harron  partizanët, bijët dhe bijat e këtij populli që e çliruan krahinën e tyre 82 vite më parë. Por kjo ditë është edhe një homazh për të gjithë dëshmorët, luftëtarët dhe Brigadat partizane që derdhën gjakun dhe sakrifikuan për çlirimin e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare në Kosovë.

Festa labe mblidhet sot

plot gëzime plot me derte,

të kujtoj betejat zjarr,

që nga lufta jetë merte.

 

Bënte luftë e bënte këngë,

që të dyja lidhur fort.

Kush me mall se pret Heroin…

Memo Meto vall vjen sot ?

02

Burronja e Kuçit, gurgullima e ujrave të saj joshëse, ka rrjedhur nëpër shekuj, duke shpërndarë bashkë me freskinë, edhe jehonën e luftrave dhe qëndresën legjendare të këtij populli për ekzistencë. Në rrjedhën e gjatë shekullore, ujët e saj është kthyer në blerim, në lëvizje, në kujtesë për tërë ato festime nëpër vite, ku bashkë me popullin e krahinës, mernin pjesë edhe dëshmorët e heronjtë e Kurveleshit, kësaj krahine heroike, që e vaditi tokën arbërore me gjak rinor. Në saj të këtij gjaku të derdhur, Kurveleshi ka përballuar agresione të shumta dhe ka dalë fitimtar, sepse  u mbështet mbi traditat luftarake, kapërxeu në zjarr e në flakë, në vuajtje e mundime, duke e vaditur fitoren e madhe të çlirimit me gjakun e shenjtë të mijra partizanëve… Malet e Kurveleshit legjendar, panë sesi u përsërit historia heroike, panë çetat partizane, që kishin rrokur armët të frymëzuara me idealin e lirisë, panë goditjet e rrufeshme, që iu dhanë pushtuesit të vendit nga fshatarë e partizanë të një ideali, të cilët mbollën fjalën e lirisë dhe entuziazmin e fitores. Kurveleshi mbeti kala e pamposhtur e rezistencës antifashiste. Partizanët, bijtë e këtyre maleve, ishin zemra e popullit. Prej tyre ranë në luftë të përgjakshme për lirinë e Atdheut shumë dëshmorë dhe heronj. Nuk ka asnjë vend tjetër në Evropë, që toka e tij të jetë pëllëmbë e barut, sikurse është toka e lavdishme e Kurveleshit dhe e tërë Labërisë. Tek Buronjat e Kuçit, këtij fshati me 70 dëshmorë dhe pesë Heronj të Popullit, në qershorin e çdo viti, vijnë banorët e këtij trualli për të festuar ditën historike të Çlirimit të Kurveleshit, i cili gjatë viteve të Luftës Antifashiste, ka pasur disa çlirime, sikurse ishte ai i nëntorit 1942. I dërguari i prefekturës në mitingun e Gusmarit, ku ndodhej postkomanda e qeverisë fashiste për Kurveleshin, raportonte: “Në Gusmar gjetëm shumë popull dhe parësi të Kurveleshit. Kryetari ishte Mustafa Matohiti. Populli e pëlqeu Mustafa Matohitin. Ai na porositi për t’i dhënë Qazim Kocullit këto kondita: Të mos çarmartos popullin. Në Gusmar mund të kthehen vetëm karabinierët shqiptar. Karabinierë italian dhe milici shqiptare nuk pranojmë. Të lirohet Shefqet Peçi nga burgu. Të bëhet ndryshimi i n/punësave të sotëm. Pagimin e dëmeve të luftës deri në 25 dhjetor. T’i shpërndahet popullit deri në tre muaj miell, duke llogartur nga 10 kg miell në muaj për frymë. Të mos ndiqen të aratisurit politik.” Pas mitingut të Gusmarit, i cili entusiazmoi shumë popullin e krahinës, qeveria nxjerr traktin: “Kurveleshas ditën e 28 Nëntorit një çetë hajdutësh dhe të çmendurish, dëbuan nga Gusmari autoritetet e shtetit. Qeveria Mbretnore ka vendsur  t’i shtypë këto vepra të turpshme dhe aktorët e tyre. Dorzoni vetë armët me vullnetin tuaj se do të vini në plumb pa gjyq”. Jehona e kësaj ngjarjeje entuziazmoi shumë popullin e krahinës, sepse i gjithë Kurveleshi ishte me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, prandaj nuk u trëmb nga presionet e pushtuesit. Historikisht Kurveleshi kishte qëndruar i paepur para pushtimeve të huaja, dhe trimërinë, sakrificën e kishte lënë trashëgim në brezat pasardhës. Bashkimi i popullit shqiptar, i dha Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare zgjerim dhe rritje drejt fitores përfundimtare. Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar përpunoi, zhvilloi, dhe zbatoi me sukses taktikën, strategjinë dhe artin ushtarak gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, organizoi dhe fuqizoi ushtrinë, si krahu i armatosur i revolucionit popullor dhe Frontin Nacionalçlirimtar si krahu politik i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dy armët kryesore për fitoren mbi okupatorin. Organizimi i kryengritjes së armatosur dhe gërshetimi i Luftës Antifashiste me revolucionin popullor, i dha Luftës Antifashiste fitoren përfundimtare, sepse e drejtoi Luftën Nacionalçlirimtare si pjesë përbërëse të Frontit të madh antifashist botëror. Duke u mbështetur në kushtet konkrete të vendit, ku fshatarësia përbënte shumicën e popullsisë dhe kishte tradita të shquara pariotike e luftarake, Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar e ktheu fshatin në terrenin kryesor, ku u zhvillua kryengritja e armatosur në formën e luftës partizane kundër një ushtrie superiore me një teknikë ushtarake moderne. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë çlirimtare, e udhëhoqi këtë luftë me synime politike e ushtarake të përcaktuara  mirë, e cila do të shkrinte në një rrymë të vetme hedhjen në luftë të masave të gjera të popullit me veprimtarinë luftarake të formacioneve partizane të rregullta si njësi të një ushtrie të vërtetë popullore revolucionare. Në të gjitha operacionet Shtabi i Përgjithshëm  përcaktoi qartë momentin politik dhe ushtarak për përqëndrimin e forcave në drejtimin kryesor më të përshtatshëm për dhënien e grushtit kryesor, karakterin  e manovrës, taktikën që duhej përdorur etj. As pushtuesi fashist, as reaksioni i brendshëm dhe as ndërhyjet e presionet e prapaskenat e aleatëve  e të agjentëve të tyre, nuk mundën të pengonin zbatimin e strategjisë e të taktikës, që kish caktuar udhëheqja e Luftës Nacionalçlirimtare, nuk ndaluan zbatimin e detyrës përfundimtare për çlirimin e vendit. Fakti që në skenën politike shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar nuk u mashtrua nga kolaboracionistët, por shkoi pas Frontit Nacionalçlirimtar, tregon për progamin që i dha popullit, për perspektivën që i çeli, dhe rrugën e nderit që ndoqi. Drejtimi politik i Luftës Antifashiste në Shqipëri, çoi në dëbimin e pushtuesve të huaj dhe në përmbysjen e regjimit të vjetër, në garantimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë, që u rrezikua në Konferencën e Parisit në 1946.

03

Në këtë klimë politike dhe ushtarake, Kurveleshi ishte çuar i tëri në këmbë, zemrat e popullit rrahën me vrullin e stuhisë, që do ta shpëtonte vendin nga okupatori. Malet e saj mbeten si kurorë natyrore, që Luftën e Madhe të Kurveleshit tregojnë, por edhe flijimet e rinisë, flasin më qartë për sarificat që kërkonte Fitorja përfundimtare. Prandaj edhe nënat e Labërisë kanë kënduar:

Çfarë ndodh me juve kështu,

vitet tutje ju tëhu…

Do këndoj këngën e trimave

për ata që flenë lëndinave…

Labëria mbetet djepi i shqiponjave, djepi që përkundi trima, sepse Labëria historikisht kokën e ka mbajtur mbi dyfek, dhe zemra e saj ishte flakë e vetëtim. Labërit i janë betuar Atdheut të shenjtë: Ke në besë një Labëri! Bijtë e Labërisë e kishin zëmrën me çika, e mbanin pallën në supe dhe kur e dredhin vallen, ju qeshte nuri. Në këtë festë lebërit mblidhen, porsi zgjojt’ e bletës, u  ka hije krenaria. Çfarëdo furtunash të vërshojnë mbi truallin e saj, Labëria gjatë historisë do te mbetet krenaria e Kombit, palca e një populli të pamposhtur sikurse ka kënduar edhe Populli:

Bilbil Matohiti malli ç’na ka pikur;

trimëria jote, heroizm’ i ndritur.

Bijtë e Labërisë derdhur vetëtimë

Luftës Çlirimtare i dhanë gjithë rininë.

Labëri e trimërisë në këtë festë të lirisë, duket e çelur si zambak mbi gurë. dhe sot duket se ngrihet jehona e shpirtit të popullit, i cili përballoi me heroizëm dy perandori të mëdha që sajuan Luftën e Dytë Botërore; populli i Labërisë, si dhe i tërë popullit shqiptar. Labëria ka qenë përherë maj jatagani, i ka mbajtur nëpër kohra luftëtarët e lirisë të bashkuar, si në brezin e gjerdanit. E kemi detyrë t’ia ngremë Labërisë më lart historinë e shkruar me gjak, sepse historia e saj do të mbetet e kuqe si një zambak, për t’ia lënë trashëgim brezave. Thesaret më të mëdha të Labërisë janë heronjtë e saj dhe këngët për ta:

Labëri male në qiell;

fjala shpat e zëmra diell.

Djepi që përkundi trima,

zemrat flak’ e vetëtima.

 

Në shekuj mbete kala:

ata lart, e ti mbi ta!

Nuk t’u shterr fuqia kurrë ,

gjaku yt mbet në flamur.

 

Labëri kuror ergjëndi

madem i këtij vëndi.

Djemtë e vajzat si stëralle

janë male, përmbi male!

 

Në kuadrin e festës së çlirimit të Kurveleshit, i përulemi kujtimit të dëshmorëve dhe sakrificave të partizanëve, që na sollën lirinë.