Këtu do të merrte udhë transformimi që ndryshoi përgjithmonë spektaklin më madhështor sportiv të planetit. Për këtë arësye, Meksika 1970 është quajtur dhe “babai” i Kampionateve Botëror moderne.
Megjithëse kane kaluar pesëdhjetë e dy vite nga Kupa e Botës Meksikë 1970, nga shumë specialistë, edhe sot, konsiderohet si më e mira e historisë të botërorëve.
Për herë të parë në histori, FIFA vendosi organizimin e një Kampionati Botëror jashtë Evropës dhe Amerikës së Jugut dhe Meksika u bë vendi i parë që organizonte radhazi dy ngjarjet më të mëdha sportive: Lojërat Olimpike 1968 dhe Kampionatin Botëror të futbollit. Kampionati filloi më 31 maj 1970 në stadiumin Azteca (qyteti México). Në prani të 107.000 mijë spektatorëve Meksika dhe BRSS luajtën ndeshjen e parë që u mbyll me rezultatin, 0-0.
Është i pari Kampionat realisht ndërkombëtar dhe që i dha atij karakterin global që ka sot. Për herë të parë morën pjesë skuadra nga Europa, Amerika e Jugut, Amerika Qendrore, Afrika dhe Azia/Oqeania. Afrika u kualifikua për herë të parë direkt, me pjesëmarrjen e Marokut, ndërsa Izraeli (në atë kohë garonte në Azi) u kualifikua për herë të parë mbasi fitoi Australinë.
Pjesëmarrja masive e mediave dhe difuzioni ndërkombëtar i aktivitetit arriti nivele të panjohura deri atëhere. Për herë të parë, aktiviteti më i rëndësishëm i futbollit u transmetua në televizion në të pestë kontinentet dhe po për herë të parë me ngjyra.
Pikërisht në këtë kampionat, futbolli filloi të zbulonte potencialin e tij si një sipërmarrje e aftë të gjeneronte të ardhura të paimagjinuara më parë.

Për here të parë aktiviteti u luajt me një top ekskluziv që u quajt ‘Telstar’. U disenjua nga “Adidas” me 12 pesëkëndësha të zinj dhe 20 gjashtëkëndësha të bardhë, duke zëvendësuar topat klasikë ngjyrë kafe me qëllim që teleshikuesi të dallonte topin më me lehtësi. U quajt me këtë emër për të përkujtuar satelitin e parë aktiv të komunikimit në botë, Telstar. Sateliti, i cili u lëshua në hapësirë në vitin 1962, kishte formë dhe pamje të ngjashme me topin.
Për herë të parë FIFA vendosi përdorimin e kartonëve të verdhë dhe të kuq mbas propozimit të gjyqtarit të njohur anglez Ken Aston. Ai, teksa udhëtonte me makinë nëpër Londër, ndalon në një semafor dhe duke parë dritat e disqeve, i lindi ideja se një mënyrë e thjeshtë që lojtari (por edhe publiku) të kuptonin se ai po paralajmërohej apo përjashtohej ishte t’i tregonte një karton me ngjyrë. Deri atëherë, në ndeshjet e futbollit, lojtarët paralajmëroheshin verbalisht nga gjyqtari. Sovjetiku Evgeni Lovçev është i pari futbollist që mori kartonin e verdhë në historinë e Botërorëve.
Po ashtu, u zbatuan për herë të parë ndërrimet. Deri në 1970 lejohej vetëm ndërrimi i portierëve. Viktor Serebrjanikov (BRSS) u bë lojtari i parë që u zëvendësua, ndërsa Anatoli Pusatch i pari që doli nga stoli në një Botëror.

Ky kampionat ofroi futboll shumë të bukur ku spikatën me nivelin e lartë ekipe si: Brazili, Italia, Gjermania, Angli, Peru, etj., si dhe luajtën disa nga futbollistët më të mirë të historisë së futbollit: Pelé, Franz Beckenbauer, Bobby Charlton, Gianni Rivera, Gerd Müller, Teófilo Cubillas, Mazzola, Gordon Banks, Luigi Riva, Luis Cubilla, Uwe Seeler, Jairzinho, Bobby Moore, Façhetti, Tostao, Rivelino, etj.
Po ashtu në këtë kampionat u luajtën ndeshje shumë cilësore dhe të paktën katër prej tyre shfaqen në çdo listë serioze të ndeshjeve, të cilësuara, ndër më të bukurat e të gjitha kohërave:
Brazil v Peru, Angli v Brazil (fituesit e tre kampionateve të fundit botëror në atë kohë), Brazil – Itali si dhe e ashtuquajtura ndeshja e shekullit XX, gjysëm-finalja ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë. Loja e rregullt përfundon me rezultatin 1-1, me golin e shpejtë të italianëve nga Boningsena (min 8 dhe barazim në minutën 90-të nga Schellinger. Në 30 minutat shtesë të pranishmit në stadium dhe milionat e teleshikuesve patën fatin të shikonin një nga spektaklet më emocionues, të bukur dhe të paharruar të historisë së botërorëve. Müller, Burgnich, Riva, Müller dhe Gianni Rivera shënuan gola dhe Italia fiton 4-3. Nga kjo ndeshje në kujtesën e tifozëve mbeti dhe imazhi i famshëm i ‘Kaiser’ Beckenbauer duke luajtur me krahun e fashuar.

Po ashtu ky kampionat u karakterizua nga loja e ndershme (Fair-Play). Gjatë 32 ndeshjeve u nxorën vetëm 58 kartonë të verdhë dhe nuk u përjashtua asnjë lojtar.
Në këtë botëror, Brazili u konsiderua, dhe vazhdon të konsiderohet edhe sot, si ekipi më i mirë i historisë së botërorëve dhe Pelè u kurorëzua si “Mbret i Futbollit”.
Kupa “Jules Rimet” i dha lamtumirën Kupave të Botës, mbasi do të qëndronte përgjithmonë në vitrinat e federatës braziliane (megjithëse në vitin 1983 do të vidhej dhe shkrihej për t’u shitur). Në kampionatin e ardhshëm botëror, në Gjermani 1974, do të fillonte jetën “Kupa e Botës e FIFA-s” e vlefshme edhe sot.
FotografitË e mëposhtme, të viteve 70, janë nxjerrë nga libri:
“The Age of Innocence. Football in the 1970-ës.”





















