KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Dorian Bubeqi, e mendon të fortë garën në këtë kategori
Agron KAJA

Java e 15-të e Kategorisë së Parë u mbyll me rezultate interesante. Në gjashtë ndeshje u shënuan 12 gola, ndërkohë që vëmendjen e tërhoqën rezultatet e sfidave Skënderbeu-Pogradeci 1-2 dhe AF Luftëtari-Lushnja 1-2, të cilat realisht dolën edhe jashtë pritshmërive. Por në këtë javë, vëmendje ka marrë edhe fitorja e Besës me Burrelin, e cila i mbylli të gjitha ndeshjet e javës së 15-të, në të cilën u shënuan 12 gola. Por, për ish-kryegolashënuesin e Shqipërisë, njëherësh edhe të Besës, Dorian Bubeqi, këndvështrimi i tij si specialist futbolli kjo skuadër duhet të ishte më lart në renditje. “Një fitore të Besës ndaj Burrelit unë e kisha menduar, sepse ajo ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, është ekip që duhet të ishte më lart në tabelën e renditjes. Duke menduar se me këtë ekip ka kontigjent, do ngjitet më lart në renditje, pasi ndryshimi i bankinës me Maganin do sjellë edhe frymën e re dhe idetë e reja. Uroj që edhe lojtarët ti kapin këto ide të tij, që Besa të jetë aty ku e meriton. Fitorja me Burrelin i dha këto sinjale”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit Dorian Bubeqi, i cili në këndvështrimin e tij teknik, në 15 javët e luajtura është bërë një kampionat shumë i fortë. Sipas tij, diferencat mes skuadrave janë të vogla. “Mendoj se në 15 javë është bërë një kampionat i fortë, ku tek skuadrat nuk shohim shumë dallim, si mes të kryesuesve dhe mesin e tabelës, ashtu edhe mes atyre që kërkojnë mbijetesën në Kategorinë e parë. Të gjitha në këtë këndvështrim duket se janë të barabarta, ndaj nuk është përcaktuar një renditje ku çdo skuadër ta kishte të siguruar vëndin në renditje. Duke qëndruar tek renditja, kryesisht në 4 javët e fazës së dytë, skuadrat kanë nisur të mendojnë edhe për shkëputje, apo edhe për mbijetesë”. Por në këndvështrimin teknik, si i përshkruan Bubeqi ndeshjet e javës së 16-të? “Do jenë ndeshje edhe më të forta, pse jo edhe më të bukura se java e 15-të. Por duke ju referuar kalendarit, duket se luajnë pretendentët për ngjitjen direkte në Superiore, por edhe për ngjitjen e shkallëve në vëndet e kreut. Laçi-Skënderbeu dhe Lushnja-Besa, këto janë kryendeshjet me aromë Superioreje. Dy të parat janë pretendente për ngjitjen në Superiore, dhe dy të tjerat për grupin e skuadrave që do luajnë në Play-off. Do luhen edhe tre javë deri në mbyllje të vitit 2025, dhe këtu mendoj se edhe Besa do të jetë dy tre vënde më sipër në renditje”, kështu e mbylli këtë bisedë Dorian Bubeqi, ish-kryegolashënues i Superiores.
Në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025” edhe “Arbitri i Vitit”

FSHF-ja e ka bërë traditë tashmë që në çdo fundvit të shpallë më të mirët e topkëmbës për vitin që mbyllet (dy gjysma të edicioneve të rradhës). Kështu do të ndodhë edhe këtë muaj, ku në datën 15 dhjetor, në një mbrëmje Gala do të shpallen të gjithë fituesit e vitit 2025. Nuk mund të ketë futboll pa drejtësi në fushë, dhe për këtë arsye një trofe i veçantë në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025” do të jepet për të vlerësuar edhe “Arbitrin e Vitit 2025”. Për këtë trofe, arbitrat shqiptarë kanë nominuar katër emra: Emanuela Rusta, Florjan Lata, Juxhin Xhaja dhe Kreshnik Cjapi. Fituesi i këtij trofeu për këtë edicion do të zbulohet mbrëmjen e 15 dhjetorit në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në sezonin e kaluar, Arbitri i Vitit 2024 u nominuan: Juxhin Xhaja, Eldorian Hamiti, Enea Jorgji, Kreshnik Cjapi.
Emanuela Rusta, Juxhin Xhaja dhe Enea Jorgji bilbila në Europë
Emanuela Rusta është një nga arbitret e futbollit femra që po gjykon ndeshje me nivel jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në atë europian. Këtë javë asaj i është besuar të drejtojë ndeshjen e Femrave, Juventus-Pafos, e vlefshme për raundin e gjashtë të UEFA Youth League. Ndërsa dy asistentët janë sërish shqiptarë, Emigers Gançi dhe Mario Shazivari, ndërsa arbitri i katërt do të jetë italiani Andrea Calzavara. Ky takim do të luhet sot, të mërkurën më 10 dhjetor, në “Juventus Training Ground”, në orën 15:00. Arbitri shqiptar, Juxhin Xhaja do të drejtojë një tjetër takim të rëndësishëm në Ligën e Europës. Bëhet fjalë për duelin Olimpik Lion(Francë)-Go Aehad Eagles(Holandë) që luhet të enjten në orën 21:00. Ndërsa në Ligën e Konferencës, UEFA i ka besuar Enea Jorgjit sfidën Breidiablik-Shamrok Rovers, në orën 18:45 në Islandë.
Fillon malorja në kalendar për Skënderbeun
Në javët 14 e 15, Skënderbeu ka patur situatën më të dobët të tij në këtë kampionat. Kanë qënë dy javë tronditjeje, që për korçarët kanë nisur me kaosin e dhunën në Fushë-Krujë, për tu pasuar me humbjen në fushën e tij me Pogradecin. Të dyja këto sfida kanë rikthyer presionin, dyshimet dhe nervozizmin në Korçë, edhe pse “Ujqërit e dëborës” janë ende në kryesimin e kampionatit, 7 pikë larg vëndit të dytë. Më 13 dhjetor luajnë në transfertë me Laçin, ndërsa më 17 dhjetor do luajnë po në transfertë, ndeshjen e shtyrë me Ilirinë. Dy sfida “sizmike”!

Më të mirët e javës 15, Pogradeci dhe Lushnja dominojnë
Trajnerët e ekipeve Kombëtare kanë përzgjedhur këtë javë edhe formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës së 15-të të Kategorisë së Parë, sipas skemës 1-4-3-1-2.
Portier Oltjan Haremi (Lushnja); Mbrojtësa: David Gjinollari (Kastrioti), Elion Stafa (Iliria), Arlind Kurti (KF Laçi) dhe Ersi Kapo (Besa); Mesfushorë: Edmond Hoxha (Kastrioti), Paolo Kasmollari (Pogradeci),Salvatore Ribaudo (Lushnja). Në sulm: Olsi Myrta (Laçi), Santiago Selmani (Iliria), Freeman Pius (Pogradeci). Trajner: Emiliano Çela (Pogradeci).
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java e 16-të
E shtunë, 13 dhjetor 2025
Apolonia-Korabi 13:30
Burreli-Kastrioti 13:30
Iliria-Luftëtari 13:30
Laçi-Skënderbeu 13:30
Pogradeci-Kukësi 13:30
E dielë, 14 dhjetor 2025
Lushnja-Besa 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 14 34
2.Laçi 15 27
3.Pogradeci 15 26
4.Apolonia 15 22
5.Iliria 14 21
6.Kastrioti 15 20
7.Burreli 15 19
8.Besa 15 17
9.Korabi 15 17
10.Lushnja 15 16
11.AF Luftëtari 15 10
12.Kukësi 15 9





















