Artur Lekbello: Kampionati po jep nota pozitive, sa i përket konsolidimit të lojës

INTERVISTA/ Ish-portieri i Partizanit, Teutës e Kombëtares, Artur Lekbello analizon 15 javët e luajtura

Agron KAJA

Sigal

Me ndeshjet e javës së 15-të, faza e dytë e Superiores po shkon drejt fundit, si i përshkruani këto javë?

Ndryshe nga fillimi i kampionatit me disa oshilacione, tashmë edhe mund të themi se gara ka hyrë në shina. Janë disa skuadra që synojnë katërshen, ndërsa të tjerat janë për mbijetesë. Por, kompaktësimi i formacioneve është ende për tu rregulluar.

Në këto 15 javë me 75 ndeshje të luajtura, cilën e veçoni si më të mirën, dhe cilën më të dobët?

Ndryshe nga mendimi i fillimit për Vllazninë, në tre katër javët e fundit më ka zhgënjyer, ka një ngecje psikologjike. Kam nota pozitive për Dinamon, e cila ka rritje e do jetë favorite për kampionatin. Në konfigurimin e lojës, Tirana nuk po e gjen veten.

Po rezultatet e kësaj jave, ishin në pritshmëritë teknike, apo kishte edhe jashtë pritshmërive?

Rezultatet kishin edhe oshilacione, sepse nuk pritej që të fitonin Partizani me Tiranën, dhe Dinamo 3-0 me Flamurtarin. Ndërsa Teuta nuk po e gjen rrugën e duhur për të fituar në fushën e saj, ndryshe luan jashtë ku ka pësuar vetëm një humbje.

Cili është komenti juaj për renditjen e skuadrave në 15 javët e luajtura?

Renditja është e merituar për të gjitha skuadrat në këto momente., Atë që kanë dhënë në fushë, atë edhe kanë marrë në renditje. Dhe këtu do veçoj Partizanin, i cili në “derbi” tregoi se ka forca për “Final 4”, por edhe ngjitjen e Dinamos.

Ju si i kujtoni ndeshjet “derbi” që keni luajtur në karrierën tuaj si lojtar,  kundër Tiranës?

Kam luajtur disa ndeshje “Derbi” kundër Tiranës, por historikisht nuk e kam parë kaq të dobët si me Partizanin. Tirana ka shumë probleme për tu rregulluar, nuk ka lojtarë që ta ndjejnë peshën e fanellës së saj. Duket në pikjatë, por ka kohë për ndryshim.

Në javën  e 15-të shënuan 10 gola dhe u dhanë 28 kartonë të verdhë dhe 1  karton i kuq, është mesatare normale për një javë të Superiores?

Për 10 ekipe, 10-12 gola është mesatare normale, sepse mbrojtjet janë më të konsoliduara, edhe pse sulmuesit ende nuk kanë dalë mirë në skenë. Përjashtuar Dinamon dhe Elbasanin si ekipe të kompletuara e me trajnerë profesionistë në stolin e tyre.

Si dukurinë më të spikatur të javës së 15-të, ju çfarë mendoni se duhet veçuar?

Një ndeshje që mund të ndryshonte në këtë javë ishte Flamurtari-Dinamo, ose Teuta që morri 1 pikë në Ballsh. Ecurinë e mirë e ka AF Elbasani, që fitoi ndaj Vllaznisë rivale për kreun. Ritmi i AF Elbasanit tregon përgatitje fizike të lartë.

Të shtunën nisin ndeshjet e javës së 16-të, cilën prej tyre e mendoni si një  kryendeshje?

Dinamo-Egnatia dhe Partizani-Flamurtari do jenë ndeshje të forta. Aty pres futboll të bukur dhe mund të presim surpriza. Nëse Partizani do ta kalojë Flamurtarin, do ta sulmojë zonën “Final 4”. Ndeshjet e tjera kanë rëndësinë e tyre për çdo skuadër.

Nisur nga 15 javët e luajtura, ku mendoni se duhet të përmirësohet gara e Superiores në vazhdimësinë e saj?

Partizani ka filluar të ngrihet, edhe pse nuk ka emra të mëdhenj. Fryma e grupit është determinante në menaxhimin e lojës. Ndërsa Tirana duhet të përmirësohet, duhe të ndryshojë shumë në përbërje dhe në konceptin e lojës. Gara po forcohet nga java në javë.

FORMACIONI MË I MIRË I JAVËS

Edhe gazeta “Telegraf” ka vendosur një formacion tip të javës së 15-të, ku lojtarë të Egnatias, Partizanit e Dinamos bëjnë diferencën. Partizani “blindon” bankinën me Kërnajën: Dajsinani (Egnatia), Ndreca (Egnatia), Xhemajli (Egnatia), Beqja (Dinamo City), A.Marku (Partizani), Manellari (AF Elbasani), Ismaili (Partizani), Human (Partizani), Tsague (AF Elbasani), Neziri (Dinamo City), Mustapha (Bylis). Trajner: Oltijon Kërnaja (Partizani). Asnjë lojtar nga Teuta, Flamurtari, Vora e Vllaznia.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026     

Ndeshjet-Java e 16-të

E shtunë, 13 dhjetor 2025

Vora-AF Elbasani                   16:30

Partizani-Flamurtari                16:30

Teuta-Tirana                            19:30

E dielë, 14 dhjetor 2025   

Vllaznia-Bylis                         16:30

Dinamo City-Egnatia              19:00

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       P

1.Egnatia                     15        28

2.AF Elbasani              15        26

3.Vllaznia                    15        25

4.Dinamo City             15        23

5.Teuta                        15        23

6.Partizani                   15        20

7.Vora                         15        16

8.Bylis                         15        14

9.Flamurtari                 15        13

10.Tirana                     15        7

Brënda dhe jashtë fushe, java e 15-të ka tregues negativë

Java e 15-të  duhet veçuar edhe në disa tregues të saj, ku gjatë zhvillimit të ndeshjeve dhe pas përfundimit të tyre, kishte edhe sherre e kacafytje mes lojtarëve, ku në Elbasan sikur ishte një luftë e vërtetë. Dhe një nga treguesit më të dukshëm në këtë javë ishin kartonët e verdhë, ku në 5 ndeshje u dhanë 28 të tillë. Në sfidën AF Elbasani-Vllaznia i dhanë 10 kartonë: 9 të verdhë dhe 1 i kuq,te Tirana-Partizani u ndëshkuan 7 lojtarë me kartonë të verdhë. Në Elbasan, trysnia e fushës u zhvendos edhe në mbyllje të saj. Tension, përplasje dhe nerva të acaruara, lojtarët treguan lodhjen psikologjike në përballimin normal të ndeshjes. Tension kishte edhe në tribuna, ku dy tifozë vendas janë shoqëruar në polici, por edhe te pankinat. Në tërësinë e saj kjo ndeshje u kthye në një betejë, ku futbolli u ndërthur me konfrontimin, me provokime dhe me një atmosferë të tensionuar. Në Vlorë janë bërë traditë fishekzjarret e tymueset në fushë, ndërsa sharrjet asnjëherë nuk kanë munguar në dielektin vlonjat. Këtë herë ndaj arbitrit Lata, si edhe ndaj lojtarëve të Dinamos. Tregues për t’u veçuar.