Disfata e Gjermanisë me Japoninë, Gundogan shpërthen ndaj skuadrës: Nuk është shënuar ndonjëherë më lehtë se ndaj nesh

167
Sigal

Humbja ndaj Japonisë ka ndezur menjëherë kampin te Gjermania me deklarata të rënda të Ilkai Gyndogan.

Mesfushori 32-vjeçar, nuk është kursyer në kritikat e tij ndaj shokëve të skuadrës teksa ka vënë në diskutim përkushtimin në këtë sfidë të bashkëlojtarëve.

“Ia bëmë shumë të lehtë. Sidomos golin e dytë, nuk e di nëse është shënuar në Kupën e Botës më lehtë ndonjëherë se sa ai gol. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë. Ne jemi në Kupën e Botës këtu. Mendoj se dominuam ndeshjen për pjesën më të madhe të saj, Manu na shpëtoi një herë në pjesën e dytë. Kjo është arsyeja pse e kemi. Kishim disa mundësi të pabesueshme përpara dhe nuk ia dolëm të shënonim golin e dytë. Mënyra se si u pësuan golat brenda 8 minutash ishte shumë e thjeshtë.

Kishim pak mungesë besimi kur kishim topin në nisjen e aksioneve nga mbrapa. Mbajtja e topit, lëvizja, pasimi. Dhe ne besuam shumë më tepër se sa duhet te topi i gjatë në pjesën e dytë. Kur luanim top të shkurtër, e humbnim shumë lehtë, E ndjeje që jo gjithkush e donte topin. Ne humbëm topin shumë shpesh dhe me shumë lehtësi”, theksoi Gyndogan në intervistën e tij për “ARD” pas sfidës me fjalë që janë përhapur me shpejtësi në të gjitha mediat gjermane të cilat paralajmërojnë “furtunë” brenda grupit.