Dinamo City-Tirana, “derbi” me bardheblutë të “sëmurë”

SPECIALE / Dy “zonjat” e kryeqytetit përballë në sfidën e 153-të, flasin Artur Çobani dhe Bedri Omuri

Agron KAJA

Sigal

HISTORI-BILANC-AKTUALITET

Ndeshjet ekstreme

Ndeshja e parë

Qershor 1950

Tirana-Dinamo            0-1

Ndeshja e fundit

27 shtator 2025

Tirana-Dinamo C        1-2

 

Bilanci në Superiore

Ndeshje                       152

Fitore Dinamo             51

Fitore Tirana                65

Barazime                     36

Golat               196-227

 

Bilanci në Kupë

Ndeshje                       31

Fitore Dinamo             16

Barazime                     6

Fitore Tirana                9

Golat                   44- 32

 

Bilanci total

Ndeshje                       183

Fitore Dinamo             67

Barazime                     42

Fitore Tirana                74

Golat               240- 259

 

DINAMO CITY

Në vëndin e 5-të/ 20 pikë

Me: 5 F, 5 B, 3 H, G 12:6

KF TIRANA

Në vëndin e 10-të/ 7 pikë

Me: 1 F, 4 B, 8 H, G 9:21

 

DINAMO CITY/ ARTUR ÇOBANI

Ky “derbi”, nuk do jetë i barabartë si ndër vite

Sa herë kujtoni se jeni përballur në karrierën tuaj në “derbin” me Tiranën, si lojtar apo edhe në pozicione të tjera?

Kanë qënë shumë ndeshje kundër Tiranës, ku veç atyre të kampionatit, jemi ndeshur edhe në Kupa, madje edhe në finale e gjysmëfinale. Në çdo sezon, me Tiranën kam luajtur 3-4 “derbi” në katër vite me Dinamon, pra 10-12 “derbi”.

Cilën përballje “derbi” si lojtar i Dinamos e veçoni për karakteristikat e saj dhe rezultatin?

Finalen e Kupës së Shqipërisë në vitin 1982, ku e humbëm ndeshjen e parë dhe fituam ndeshjen e dytë e fituam Kupën, për shkak të fushës kundërshtare. “Derbi” më i bukur kujtoj në vitin 1979 ku dolëm 5-4, ku u gjuajtën edhe 5 penallti.

Si do ta vlerësoje këtë përballje të javës 14, nëse do riktheheshe edhe një herë në kohë te Dinamo?

Ndryshe nga ato që unë kam përjetuar në karrierë, këtë “derbi” të Dinamos me Tiranën e ndjejmë edhe nga ju gazetarët sportivë. Sot ka humbur interesi dhe stadiumet mbushen rrallë, por edhe kushtet e pabarabarta e bëjnë edhe më interesante këtë sfidë.

Aktualisht jashtë fushës së Dinamos, si mendoni se duhet përgatitur kjo ndeshje?

E veçanta është se ky “derbi” do luhet në Tiranë, jo siç është luajtur vite më parë jashtë kryeqytetit. Dinamo e ka detyrë fitoren, edhe pse është përballë Tiranës. Kërkon të jetë në zonën “Final 4”, dhe nuk duhet të gabojë si në ndeshjet e fundit. Nisur nga paraqitja në 13 javë, ku i mendoni pikat e dobëta të Tiranës, dhe si do kërkojë Dinamo suksesin?

Më vjen keq që skuadra më e titulluar në Shqipëri, me një tifozeri nga më të zjarrtat në Shqipëri ndodhet në këtë situatë. Nuk ka të garantuar timonierin dhe nuk kanë një drejtim të konsoliduar. Këtë duhet ta shfrytëzojë Dinamo për të marrë tri pikët.

Në këtë përballje “Derbi” të 153-të, çfarë kërkoni më shumë nga Dinamo nisur nga renditja e saj?

Dinamo ka ekip të konsoliduar, ka një President shumë serioz e korrekt, ka një trajner që dihet se në cilat nivele të larta drejton Ilir Daja, edhe pse disa largime sikur ja kanë prishur ekuilibrat. Ky “derbi” nuk do jetë i barabartë si ndër vite.

Kjo ndeshje luhet në javën e 14-të të Superiores, si e parashikon rezultatin: 1-X-2?

Duke mos qënë i dhënë me bastet sportive, e kam të vështirë ta përcaktoj. Gjithsesi, unë vetëm fitoren e Dinamos mendoj, pasi e përmënda më sipër për shumë arsye. Në këtë “Derbi” Dinamo do dalë fituese, dhe sipas basteve është 1.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026     

Ndeshjet-Java e 13-të

E mërkurë, 3 dhjetor 2025

Teuta-AF Elbasani                  16:30

Partizani-Bylis                                     16:30

Dinamo City-Tirana                19:30

E enjte, 4 dhjetor 2025

Vora-Vllaznia                          13:30

Egnatia-Flamurtari                  16:30

RENDITJA     

Skuadrat                    Nd       P

1.Egnatia                     13        25

2.AF Elbasani              13        25

3.Vllaznia                    13        24

4.Teuta                        13        21

5.Dinamo City             13        20

6.Vora                         13        15

7.Partizani                   13        14

8.Bylis                         13        13

9.Flamurtari                 13        10

10.Tirana                     13        7

 

 

Majtas ndeshjeve dhe renditjes

Te Vllaznia, Kallaku-Bismark mungojnë, Mala në dyshim

Te skuadra e Vllaznisë do ketë disa mungesa për sfidën e nesërme ndaj Vorës në transfertë. Sepse dëmtimet e futbollistëve po shndërrohen në një “makth” tek kjo skuadër, e cila thuajse çdo javë, që kur ka nisur edicioni nuk e ka pasur asnjëherë ekipin e plotë. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e fundit, të humbur 0-1 ndaj Teutës, ku tek shkodranët u larguan nga fusha tre futbollistë për probleme fizike. Fillimisht ishin Esat Mala dhe Sherif Kallaku që mbetën në dhomat e zhveshjes në pjesën e dytë, të cilët kërkuan ndërrim. Për të shtuar këtu “dhimbjet e kokës” shtohen edhe më lëndimin e radhës të Bismark.

Kreshnik Çipi e pranon: Kemi stadium, nuk kemi lojtarë

Gjatë një bashkëbisedimi mediatik dje, ish-kapiteni i Flamurtarit Kreshnik Çipi, në një analizë që i ka bërë skuadrës sonë, midis të tjerave u shpreh se lojtarët nuk kanë qënë të duhurit për këtë skuadër. “Flamurtari sot ka  stadiumin, por nuk ka lojtarët e duhur, sepse ata që kanë ardhur në merkaton e verës nuk janë të duhurit. Ndaj duhet me patjetër që të bëjmë ndërhyrje në merkato, ndryshe situata nuk do të shkojë mirë dhe skuadra do mbetet në këto vënde të fundit në tabelën e renditjes. Por edhe Bashkia duhet të reagojë që të kemi fusha të tjera sportive në Vlorë, sepse është vetëm një te Pylli i Sodës”.

 

 

TIRANA/ BEDRI OMURI

Tiranës i ka mbetur vetëm emri, por dëshiroj të fitojë

Sa herë kujtoni se jeni përballur në karrierën tuaj në “derbin” me Dinamon, si lojtar apo edhe në pozicione të tjera?

Nuk i kam numëruar, por në karrierën e 12 viteve me Tiranën, luheshin nga dy “derbi” në vit, që do të thotë 24-25 gjithsej. Kanë qënë ndeshje të zjarrta e të bukura, sepse edhe Dinamo kishte ekip të mirë e lojtarë cilësorë dhe e denjë si konkurrente.

Cilën përballje “derbi” si lojtar i Tiranës e veçoni për karakteristikat e saj dhe rezultatin?

Kujtoj se përveçse kanë qënë të bukura, ndeshjet “derbi” me Dinamon ishin edhe me gola të shumtë, si 5-4 për Dinamon, 4-3 për Tiranën. Atëhere stadiumi “Qemal Stafa” mbushej në kapacitet maksimal, nuk diskutohej prania e madhe e tifozerisë.

Si do ta vlerësoje këtë përballje, nëse do riktheheshe edhe njëherë në kohë te Tirana?

Sot kanë ndryshuar shumë situatat, sepse janë në favor të Dinamos, që aktualisht  është ekip i mirë. Tirana ka vite që sikur kërkon vetëm mbijetesën, por “derbi” është “derbi”, dhe besoj se do jetë i bukur, që edhe tifozeria të kënaqet në stadium.

Aktualisht jashtë fushës së Tiranës, si mendoni se duhet përgatitur kjo ndeshje?

Kjo ndeshje duhet të ketë vlerësimin maksimal, kjo është përgatitja më e madhe. Sepse “derbi” i prodhon të gjitha, por të shohësh 200-300 veta në stadium, ja humbasin bukurinë. Do ta vlerësoja maksimalisht, pavarësisht renditjes që kanë të dyja skuadrat.

Nisur nga paraqitja në 13 javë, ku i mendoni pikat e dobëta të Dinamos, dhe si do kërkojë Tirana suksesin?

Dinamo është më e konsoliduar si skuadër, në raport me Tiranën. Në të gjitha repartet ka individë që bëjnë diferencën në raport me Tiranën, e njëherësh duhet thënë se ka një trajner që e njeh mirë futbollin shqiptar.

Në këtë përballje “Derbi” të 153-të, çfarë kërkoni më shumë nga Tirana nisur nga renditja e saj?

Tiranës tani i ka mbetur vetëm emri, sepse për lojtarët nuk di të them se sa e njohin peshën e fanelës 26 herë kampione e futbollit shqiptar. Por unë do kërkoja që në këtë “derbi”, lojtarët e Tiranës ta vlerësojnë veten si 25 herë kampionë.

Kjo ndeshje luhet në javën e 14-të të Superiores, si e parashikon rezultatin: 1-X-2?

Dëshira ime është e madhe për ta fituar Tirana, por edhe barazimi nuk do jetë keq në një ndeshje “derbi” të tillë. Nga ana e saj, Dinamo është skuadër që të lejon të luash lirshëm në fushë, dhe pres një “derbi” të bukur dhe me gola.