Dhimitraq Xhambazi: Me pak kujdes, Skënderbeu e kalon Mlladën dhe kualifikohet

677
Nga Agron KAJA
LIGA E EUROPËS/ Për situatën në skuadrën korçare pas humbjes në Çeki, flet për “Telegraf” ish-sulmuesi që sot “shënon” në media
Duke qenë e vetmja skuadër shqiptare e futbollit në turin e tretë të Evropa Ligë, sa e përfaqëson Skënderbeu veten në këtë kompeticion?
Kjo tregon se skuadra e Skënderbeut ka vazhdimësi të mirë për ndeshjet në Evropë, pavarësisht atij dënimi njëvjeçar, i cili duket se e ka forcuar më shumë. Edhe pse në pesë ndeshjet që ka luajtur në këto tre ture ka treguar disa luhatje, gjithsesi, në një këndvështrim më profesional duket se ka dhënë më të mirën.

Nëse e kalon edhe turin e tretë, e sfidon Skënderbeu situatën e dënimit në sezonin e kaluar?
Dhe aktualisht unë mendoj se e ka sfiduar, pasi është e vetmja skuadër shqiptare që po vazhdon në turin e tretë. Dy të tjerat, Partizani dhe Tirana u larguan që në turin e parë, dhe po kështu kampionati, Kukësi, në Ligën e Kampioneve. Skënderbeu është i pastër për sa u akuzua dhe u dënua sezonin e kaluar.

Si luajti Skënderbeu të enjten në takimin e parë të turit të tretë me çekët e Mllada Boleslavit?
Mendoj se Skënderbeu ka një përbërje shumë të mirë dhe të denjë për sa po luan në Europa Ligë. Ka pasur edhe momente të veçanta luhatjeje, si edhe në ndeshjen me Mlladën, por aty u ndjenë shumë mungesat e Lilajt dhe të Xhejmsit. Bëri një lojë mbi mesataren, por ndeshjen duhet ta kishte mbyllur në barazim 1-1, sepse goli i parë që pësuam ishte shumë amator.

Në fakt, kjo humbje fajëson më shumë mbrojtjen, apo të gjithë skuadrën?
Unë do të thosha se në atë ndeshje, një paraqitje të mirë bëri portieri Shehi, i cili shmangu disa raste goli. Humbja është faturë e gjithë skuadrës, ndërsa analiza teknike që do të bëhet nga trajneri, mendoj se do të nxjerrë më në dukje mangësitë. Nëse do të fillohet nga mbrojtja, besoj se duhet bërë ndryshim në ndeshjen e dytë që do ta luajmë në Elbasan.

Reparti i sulmit u duk i zbehtë, mos ende nuk është gjetur zëvendësuesi i Salihit?
Salihi ishte një sulmues race, ishte tipik për golin, dhe aktualisht asnjeri nga sulmuesit që po luajnë nuk ka arritur të jetë në nivelin e tij. Në ndeshjet e dy tureve të para, u shënuan 7 gola dhe u pësua 1, por jo të gjithë golat i shënuan sulmuesit. Ndoshta edhe këtu duhet të përmirësohemi ndjeshëm që në takimin e radhës me skuadrën çeke të Mlladës.

Çfarë ndryshimi mendoni tek Skënderbeu për takimin e kthimit, me qëllim kualifikimin në turin tjetër?
Unë mendoj se çdo gjë është e hapur për kualifikim. Sepse në Çeki u luajt futboll thuajse i barabartë dhe kundërshtari nuk kishte ndonjë diferencë për të trembur. Lojtarët duhet të jenë të përgatitur psikologjikisht se këtë kundërshtar e kalojnë, ndaj do të thosha se kualifikimi është i hapur. Skënderbeu duhet të fitojë me më shumë se 2 gola diferencë.

Angazhimi në ndeshjet e Evropa Ligë, do ta pengojë skuadrën korçare të jetë e gatshme për sezonin e ri të Kategorisë Superiore?
Unë mendoj ndryshe, se kjo pjesëmarrje në Evropë e ndihmon më shumë skuadrën, për të qenë në gjendje më të mirë fizike. Edhe në botë, futbollistët pak pushojnë, e më shumë janë të përqendruar me skuadrat, çka më bën të them, se Skënderbeu tashmë është skuadër e orientuar në standarde të larta evropiane.

Duke ju referuar merkatos dhe përgatitjeve që po bëjnë skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore, cilat po tregohen më me emabicie në këto dy etapa?
Nëse i referohemi përgatitjeve që po bëjnë skuadrat e Superiores, të gjitha janë larg nga Skënderbeu. Sepse korçarët janë në aktivitet dhe e kanë ruajtur gjendjen më të mirë. E gjithë kjo periudhë deri në fillimin e kampionatit më 9 shtator, mendoj se do të jetë vetëm për harmonizimin e vlerave të futbollistëve që mund të vijnë rishtas gjatë merkatos.

Ku i mendoni përforcimet e Skënderbeut në këtë merkato vere?
Në të gjithë repartet. Sepse Shehi ka deklaruar se do të largohet pas ndeshjeve të Evropa Ligë, dhe largimi i tij krahasohet me një “gropë të madhe”që duhet mbushur sa më parë. Ndoshta boshti në vertikale: portier, mbrojtës, mesfushor e sulmues duhet të ketë përqendrim, dhe duke u bashkuar me futbollistët aktualë, kualitetet do të bëjnë diferencën me të gjitha skuadrat e Superiores të sezonit të ri.
Mendoj se çdo gjë është e hapur për kualifikim, sepse në Çeki u luajt futboll thuajse i barabartë dhe kundërshtari nuk kishte ndonjë diferencë për t’u trembur. Lojtarët duhet të jenë të përgatitur psikologjikisht se këtë kundërshtar e kalojnë, ndaj do të thosha se kualifikimi është i hapur. Skënderbeu duhet të fitojë me më shumë se 2 gola diferencë.
Lilaj e Xhejms, titullarë në “Elbasan Arena”
Në takimin e parë në Çeki përballë Mladës, Skënderbeu kishte dy mungesa të rëndësishme, në mesfushë Sabjen Lilaj, dhe në sulm Xhejma Adeny. Lilaj ishte i skualifikuar pas kartonit të kuq që morri në fitoren 2-0 ndaj Kairatit, ndërsa Xhejms nuk u aktivizua, pasi nuk kishte formën më të mirë fizike. Për ndeshjen e kthimit, të dy mbeten titullarë dhe kjo e qetëson disi trajnerin Daja, pasi Lilaj është një lojtar që vendos rregull në mesfushë, ndërsa Xhejma krijon lëvizshmëri dhe hapësira, nga mesfusha në sulm.
UEFA Evropa Ligë
Ndeshjet e Skënderbeut
Turi parë eliminator
Takimi parë/ 29.06.2017
Skënderbeu-S. Hullia 1-0
Takimi kthimit/ 06.07.2017
S. Hullia-Skënderbeu 0-5
Turi i dytë eliminator
Takimi parë/ 13.07.2017 
Kairat A-Skënderbeu 1-1
Takimi kthimit/ 20.07.2017 
Skënderbeu-Kairat A 2-0
Turi i tretë eliminator
Takimi parë/ 27.07.2017 
Mllada B-Skënderbeu2-1
Takimi kthimit/ 03.08.2017 
Skënderbeu-Mllada B20:00
Bilanci në ndeshje
Ndeshje 5
Fitore 3
Barazime 1
Humbje 1
Golat 10:3
Sigal