Armand Duka, “mbreti” i futbollit shqiptar

734
Sigal

Më 28 shkurt 2014 do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore. Kreu aktual i FSHF-së, kandidat i vetëm

 Armand Duka ecën i sigurt drejt mandatit të katërt të tij si President i Federatës Shqiptare të Futbollit, duke e çuar në 16 vjet periudhën e “mbretërimit” të tij në krye të futbollit kuqezi. Komiteti Ekzekutiv aktual, i dalë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2010, përcaktoi zyrtarisht datën e zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2014, më datë 28 shkurt 2014 ora 09:00 në hotel “Tirana International”. Deri tani nuk ka kandidat tjetër të regjistruar, përveç kreut aktual të FSHF-së, edhe pse mediat kanë përmendur edhe emrin e Igli Tares si kandidat i mundshëm, por drejtori sportiv i Lacios nuk ka konfirmuar asgjë zyrtarisht. Armand Duka është zgjedhur president i FSHF-së nga viti 2002, kur pasoi ish-presidentin Miço Papadhopulli, sot i rreshtuar me kritikët e butë të Dukës.

“Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është zhvilluar mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Forumi më i lartë i zgjedhur i Futbollit Shqiptar ka vendosur në bazë të statutit thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2014, të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo Asamble do të zhvillohet më datë 28 shkurt 2014 ora 09:00 në hotel “Tirana International” Tiranë. Në këtë mbledhje të fundit, Komiteti Ekzekutiv ekzistues miratoi njëzëri edhe rendin e ditës për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2014”, – thuhej në komunikatën e “qeverisë” së futbollit shqiptar. Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, është organi më i lartë kolegjial, që drejton dhe merr vendime gjatë periudhave mes dy Asambleve. Ai është i zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme dhe përbëhet nga 11 anëtarë: Presidenti, dy zv/presidentë dhe 8 anëtarë. Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, zgjidhet automatikisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Konkretisht përbërja e Komitetit Ekzekutiv të dalë nga asambleja e fundit e zhvilluar më 9 shkurt 2009 në Durrës, është: Armand Duka (President), Lutfi Nuri (Zv/President), Bujar Kasmi (Zv/ President), Skënder Hyka (anëtar), Muhedin Tarkaj (anëtar), Arben Dervishaj (anëtar), Artan Hajdari (anëtar), Pjerin Fushaj (anëtar), Abdyl Kuriu (anëtar) Alfred Zijai (anëtar, i ndarë nga jeta) zëvendësuar nga Bardhyl Minxhozi, Tahir Kastrati (anëtar, President i Shoqatës së Arbitrave). E drejta e votës gjatë Asamblesë Zgjedhore i garantohet me Statut të FSHF-së të gjitha klubeve të anëtarësuara në FSHF (aktualisht 54 të tilla), 8 Shoqatave Rajonale, Shoqatës së Trajnerëve, Shoqatës së Mjekëve Sportivë, Shoqatës së Arbitrave dhe Shoqatës së Futsallit.

Katër votimet për President

 2002

Armand Duka ishte një njeri i panjohur më parë në botën e futbollit, por me kandidimin e tij të parë ai arriti t’i imponohej Asamblesë Zgjedhore së vitit 2002, duke marrë shumicën e votave në raport me kandidatin tjetër, Mehdi Bushatin

2006

Më 27 shkurt 2006, Armando Duka rizgjidhet President i Federatës Shqiptare të Futbollit. Me 51 vota në favor të tij, Duka mbetet President i Federatës së Futbollit Shqiptar dhe për katër vitet e ardhshëm. Dy rivalët e tjerë, menaxheri i FIFA-s, Edmond Haxhia mori 16 vota, ndërsa Salvador Kaçaj mori vetëm një votë. Ky i fundit deklaroi pas shpalljes se rezultateve se nuk do t’i njohë zgjedhjet e Asamblesë së FSHF-së.

2010

Më Armand Duka është rizgjedhur për herë të tretë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, përmes një procesi tejet të qetë, edhe pse nën masa të rrepta sigurie të sallës ku u mbajtën punimet e Asamblesë Zgjedhore të zhvilluara, më 9 mars në Durrës. 65 anëtarët e Asamblesë Zgjedhore të futbollit shqiptar i dhanë Armand Dukaës, plot 49 vota, ndërsa 15 vota të tjera i ka marrë kandidati tjetër, Refik Halili. Vetëm një votë ka marrë Rudi Vata, kandidati i tretë.

2014

Armand Duka duket se është i sigurt, për të qenë sërish në krye të Federatës Shqiptarë të Futbollit, në zgjedhjet e 28 shkurtit. Vetëm disa ditë më parë, pra më 19 shkurt, do të vijë në Shqipëri, Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i njohur si një nga miqtë e afërt të Dukës.

Rezultatet

2002, Tiranë

Armand Duka

Mehdi Bushati

2006, Tiranë

Armand Duka     51 vota

Edmond Haxhiaj       16 vota

Salvador Kaçaj   1 votë

2010, Durrës

Armand Duka     49 vota

Refik Halili 15 vota

Rudi Vata           1 votë

Ja si zgjidhet Presidenti

 Për zgjedhjen e presidentit të FSHF-së kandidatët duhet të marrin 2/3 e votave. Nëse asnjë nuk e arrin këtë numër, dy kandidatët me më shume vota, zhvillojnë raund tjetër. Fiton ai që merr më shume vota. Nëse edhe në këtë rast nuk fiton askush, 24 orë më vonë mbahet një tjetër asamble, me votim tjetër. Ndërsa për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, fitojnë ata që kanë 50 për qind plus 1 votë në raundin e parë. Nëse në raundin e parë nuk fitohet, zhvillohet i dyti dhe fitohet me shumicë të thjeshtë votash. Nëse sërish votat janë barabar, bëhet një raund i tretë dhe, nëse as ky nuk mjafton, anëtarët zgjidhen në bazë të shortit. Neni 13, Pika 2: Çdo kandidat propozohet nga të paktën një anëtar i FSHF-së, jo më vonë se 20 ditë para datës së asamblesë.

Kuqezinjtë ëndërrojnë të bien në një grup me Italinë, dy sfida speciale për trajnerin De Biazi

 Shqipëria, në vazon e pestë për shortin e Euro 2016

 Shqipëria është vendosur zyrtarisht në vazon e pestë për shortin e eliminatoreve të Euro 2016, që do të zhvillohet në Francë, e që për herë të parë do të presë në fazën finale 24 skuadra. UEFA bëri dje publike shpërndarjen e 53 skuadrave në gjashtë vazo, ku në pesë prej tyre ndodhen nëntë skuadra ndërsa në të fundit vetëm tetë, ndërsa Franca merr pjesë direkt si vendi organizator. Shpërndarja e skuadrave në vazo është bazuar te koefiçentët e UEFA-s në kualifikueset e Botërorit 2010 dhe 2014 si dhe Europianit 2012. Për herë të parë në eliminatoret e Europianit UEFA ka pranuar pjesëmarrjen e Gjibraltarit, që gjithsesi nuk mund të shortohet në të njëjtin grup me Spanjën, kampionen në fuqi të Europës. Shorti i eliminatoreve që do të hidhet më 23 Shkurt në Nice të Francës, do t’i shpërndajë skuadrat në 9 grupe, 8 me 6 ekipe dhe vetëm një me 5 skuadra. Në grupin me 5 ekipe do të vendoset Franca, takimet e së cilës me kundërshtarët e tjera të grupit do të konsiderohen thjesht sfida miqësore. Të gjitha skuadrat e vazos së parë, Spanja, Gjermania, Holanda, Italia, Anglia, Portugalia, Greqia, Rusia dhe Bosnja-Hercegovina, pra gjithsej 9 do të jenë koka grupi. Në fund të eliminatoreve, 2 të parat e çdo grupi, si dhe e treta më e mirë, do të kualifikohen direkt në Europian, ndërsa të tretat e çdo grupi do të luajnë play-off për të përcaktuar 4 skuadrat e fundit, që do të marrin pjesën në finalet e Europianit. Fushata eliminatore e Euro 2016 nis më 7 Shtator të 2014 dhe mbyllet më 13 Tetor të 2015. Ndërsa faza play-off është parashikuar të zhvillohet në mes të nëntorit të 2015.

VAZOT

Vazo 1: Spanja (kampione e Europës), Gjermania, Holanda, Italia, Anglia, Portugalia, Greqia, Rusia, Bosnja

 Vazo 2: Ukraina, Kroacia, Suedia, Danimarka, Zvicra, Belgjika, Çekia, Hungaria, Irlanda

 Vazo 3: Serbia, Turqia, Sllovenia, Izraeli, Norvegjia, Sllovakia, Rumania, Austria, Polonia

 Pot 4: Mali i Zi, Armenia, Skocia, Finlanda, Letonia, Uellsi, Bullgaria, Estonia, Bjellorusia

 Vazo 5: Islanda, Irlanda e Veriut, Shqipëria, Lituania, Moldavia, Maqedonia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Qiproja

 Vazo 6: Luksmburgu, Kazakistani, Lihtenshtejni, Ishujt Faroe, Malta, Andorra, San Marino, Gjibraltari

 Skënderbeu fiton me Zavizas

 Skënderbeu fitoi 2-1 ndeshjen miqësore kundër Zaviszas së Polonisë në Malaga (Spanjë). Golat e kampionëve të Shqipërisë u shënuan nga Orelesi dhe Radas. Skënderbeu humbi edhe një penallti.

 Teuta humbet me Groznin

 Teuta e Roberto Sorrentinos humbi 3-0 miqësoren me ekipin çeçen  Terek Grozny (luan në ligën e parë ruse). Golat e takimit u shënuan nga Grovaz në minutën e 41’ dhe 69′ nga Kanu dhe në të 73’ nga Tagilov.